Topi: Gjykimi të jetë i paanshëm, pa ndikime politike
Kreu i shtetit priti dje në një takim pune shefin e prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Eugen Volfarth
Kreu i shtetit, Bamir Topi, lëshoi dje apelin e tij publik në drejtim të Kolegjit Zgjedhor një ditë përpara se të shqyrtonte ankimimin e Partisë Socialiste. Topi zhvilloi në mesditë një takim pune me kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Volfart. Duke diskutuar për situatën paszgjedhore në vendin tonë, Topi theksoi “nevojën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011, sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me qetësi nga të gjitha palët të gjykimit përfundimtar, të paanshëm e të pandikuar politikisht nga ana e institucioneve të pavarura ligjore përkatëse, në këtë rast të Kolegjit Zgjedhor, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë proces të stërzgjatur”. Në këtë pikë, Presidenti Topi dhe Ambasadori Volfart vunë në pah nevojën për nisjen sa më shpejt të punës me konsensus dhe dialog ndërpartiak për reformimin e Kodit Zgjedhor në fuqi dhe përmirësimin e mangësive të tij aktuale. Ambasadori Volfart shprehu mbështetjen e vendosur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij të vazhdueshme që bëjnë thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ligjeve në fuqi, duke theksuar nevojën e rivendosjes së dialogut institucional e funksional demokratik. Presidenti i Republikës dhe Ambasadori i OSBE-së, duke pasur parasysh aspiratat ende të papërmbushura integruese europiane të mbarë popullit shqiptar, ndanë të njëjtin shqetësimin për sa i përket mos shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore, duke vënë në dukje se: “Në këto momente duhet të funksionojë vetëm ligji dhe shteti i së drejtës, në mënyrë që të zbatohen standardet e vërteta të drejtësisë e të demokracisë më të konsoliduar perëndimore”. Dy ditë më parë, kreu i shtetit takoi shefin e delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, dhe ambasadoren e Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Polonisë në Tiranë Irena Tatarzinska, vendi i së cilës sapo ka marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Edhe në atë takim, Presidenti tha se “objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe europiane”. Topi tha se, ne kemi shpresë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura e të kemi kapërcyer ngërçin e stërzgjatur politik, duke rivendosur dialogun funksional institucional e duke respektuar ligjet në fuqi dhe institucionet e pavarura kushtuese. Tatarzinska i parashtroi Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës së radhës së Bashkimit Europian, ku më kryesoret do të jenë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes europiane. Tatarzinska theksoi se “Polonia do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë të palëkundur vendin tonë, në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke uruar që Shqipëria të arrijë ta fitojë sa më shpejt statusin e vendit kandidat”.