Premtimi i Berishës: Do të ndërtojmë dhe 433 hidrocentrale
Shkodër Është inauguruar përfundimi i fazës së parë të punimeve në hidrocentralin e Ashtës në Bushat të Shkodrës, ku në ceremoninë përkatëse ka qenë i pranishëm dhe kryeministri Sali Berisha; kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli; ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naçe; ministri i Bujqësisë, Genc Ruli; drejtues të bordit të kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN, përfaqësues të autoriteteve lokale, ambasadori austriak në Tiranë, punonjës të kompanive etj. Arritja e kuotës maksimale të stacionit elektrik të hidrocentralit Ashta 1, shënon përfundimin e fazës së parë të punimeve për këtë hidrocentral, pjesë e projektit i cili po vihet në zbatim nga kompania austriake “Energji Ashta”, një kompani e përbashkët e kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN.
Me Ashta 1 përfundon faza e parë e projektit për ndërtimin e dy hidrocentraleve Ashta1 dhe Ashta 2 në zonën e Bushatit, në Shkodër, një investim me vlerë rreth 200 milionë euro, që aplikon teknologjinë më të avancuar në prodhimin e energjisë ujore. Pas përfundimit të këtij objekti në Ashtë do të prodhohen 240 milion kvh energji elektrike. Nga viti 2012, energjia elektrike e prodhuar do të ushqehet në rrjetin shqiptar 110 kV.
Përurimi
Duke përshëndetur ceremoninë, kryeministri Berisha u shpreh se kjo ditë është një ditë e madhe në përpjekjen e shqiptarëve për të shndërruar në realitet ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, Shqipëria - vend i zhvilluar .Ai përgëzoi drejtuesit e bordeve të kompanive austriake për punën e bërë dhe shprehu besimin për një të ardhme premtuese në bashkëpunimin e gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Austrisë, veçanërisht në sektorin energjetik. “Sot është një ditë vërtet e madhe për Shqipërinë që po ndryshon. Një ditë e madhe për realizimin apo në përpjekjen e shqiptarëve për të shndërruar në realitet ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, Shqipëria - vend i zhvilluar. Në zhvillimin e një vendi, energjia është themeli i të gjitha themeleve, është forca lëvizëse e të gjitha fushave. Për qeverinë kjo është dhe mbetet përparësia e të gjitha përparësive. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që pasuritë e mëdha ujore të këtij vendi të shndërrohen në vlera të mëdha energjetike për Shqipërinë e shqiptarët. Shqipëria ka pasuri të gjithanshme, të shumta, por gjithnjë mbetem i bindur se pasuria e saj më e madhe natyrore janë ujërat e bollshme, të pasura që e bëjnë këtë vend të vogël një Norvegji të dytë të vogël, në gadishullin e Ballkanit”, ka pohuar Kryeministri. Sipas tij, hidrocentrali që po përurojmë fazën e parë është gjithashtu jo vetëm për shkak të teknologjisë, por edhe për parametrat, unik në llojin e tij, nuk është më i madhi apo ndër më të mëdhenjtë, por është më i miri se çdo hidrocentral tjetër i ndërtuar, është një diamant e do të mbetet i tillë në kurorën e qindra hidrocentraleve që do të ndërtohen në këtë vend. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha që rezervat ujore të Shqipërisë të shndërrohen në vlera energjetike për qytetarët e vendin.
Hidrocentralet
Sipas Kryeministrit, “gjatë dy-tre viteve të fundit, ne kemi firmosur me sektorin privat kontrata për ndërtimin e 220 hidrocentraleve në të katër anët e vendit. Në 36 prej tyre po punohet me intensitet. Problemi i tyre është vetëm një, se nuk janë përreth Sheratonit e Rognerit. Ato janë të vendosura në zona nga më të bukurat, por valët e televizorëve nuk i kapin ato. Ndaj u bëj thirrje mediave të jenë më të ndjeshme ndaj Shqipërisë së lumenjve të djersës. Në një vit shihni se çfarë kanë bërë punëtorët, inxhinierët e teknikët në këtë kantier ndërtimi. Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të njohin gjithnjë e më shumë vendin e tyre. Ne mbetemi të vendosur të bëjnë çdo përpjekje, të inkurajojmë ndërtimin e mbi 443 hidrocentraleve në këtë vend. Ujërat e Shqipërisë duhet të shndërrohen në vlera energjetike për qytetarët shqiptarë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të bëhet një superfuqi e vogël energjetike në rajon. Përparësia për energjinë është përparësia jonë më madhore. Unë shoh një të ardhme të shkëlqyer në bashkëpunim ekonomik, kulturor, politik e të gjithanshëm me Austrinë mike. Tradita e tyre në energjinë e rinovueshme dhe atë ujore është jashtëzakonisht e çmuar për Austrinë, për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën. Ne mbetmi të vendosur të bëjnë çdo përpjekje, të inkurajojmë ndërtimin e mbi 443 hidrocentraleve në këtë vend”, u shpreh Kryeministri. Ai vlerësoi teknologjinë e avancuar të prodhimit të energjisë ujore, nëpërmjet instalimit të turbinave metriks, të cilat instalohen për herë të parë në botë, në hidrocentralin e Ashtës. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka që pasuritë e mëdha ujore të këtij vendi të shndërrohen në vlera të mëdha energjetike për Shqipërinë e shqiptarët.