E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji shqyrton sot “Tiranën”, PS me ankimim rezervë

Në rast të një rrëzimi të padisë së sotme, atëherë do duhet pritur sërish disa ditë për të zyrtarizuar fituesin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës

Vendimmarrja e sotme e Kolegjit Zgjedhor mund të mos i japë përgjigje përfundimtare garës së kryebashkiakut të ri të Tiranës. Kolegji do të marrë sot në shqyrtim ankimin e Partisë Socialiste ku kërkohet shpallja antiligjore e tabelës së miratuar nga KQZ, për garën e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe shpalljen e pavlefshmërisë në 284 qendra votimi. Sakaq, juristët e selisë rozë kanë vënë në jetë një skenar rezervë, për të pasur një siguri në rast të vendimmarrjes negative nga Kolegji për këtë padi që shqyrtohet sot. PS ka depozituar një ankimim tjetër, ku kërkon anulimin e vendimit Nr. 1160 datë 28-06-2011 i KQZ-së “Për mospranimin e për shqyrtimin e kërkesës ankimore Nr.164 të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe detyrimin e KQZ-së të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të marrë vendimin bazuar në 4 nene të Kodit Zgjedhor. Ankimimi është depozituar më datën 2 korrik dhe për arsye taktike nuk është bërë i ditur për publikun. Në kërkesën e dytë të PS thuhet se “arsyetimi i KQZ-së dhe vendimet Nr. 1094 të datës 16.06.2011 dhe Nr. 1158 datë 25.06.2011 janë treguesi evident i pabazueshmërisë në ligj të vendimit të marrë për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore Nr.164 paraqitur nga PS”. Për të respektuar procedurën normale që përcakton Kodi, socialistët u ankuan fillimisht në KQZ, duke kërkuar atje pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë dhe më pas të kalonin në etapën e Kolegjit. Por kërkesa ankimore (që tanimë përbën objektin e padisë së dytë) u rrëzua nga KQZ me argumentimin se ky institucion nuk kishte prodhuar një tabelë të re, por thjesht kishte zbatuar vendimin e Kolegjit dhe kishte riformatuar tabelën e miratuar më parë. Rrjedhimisht, KQZ pretendoi se socialistët janë jashtë afatit, për të depozituar një kërkesë pavlefshmërie ndaj kësaj tabele të Tiranës. Ankimimi i dytë i socialistëve duket se tenton ta vendosë Kolegjin para një pozite që nuk i lejon dot të thotë se Partia Socialiste duhet ta dërgonte kërkesën për pavlefshmëri, fillimisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e më pas ta sillte në Kolegj. Juristët e PS-së argumentojnë se kërkesa ankimore Nr. 164 është në afat dhe është paraqitur përpara organit kompetent KQZ, pasi kemi të bëjmë me afate të reja për t’u ankimuar. “Vendimi Nr. 1158 datë 25.06.2011 në pikën 3 ka miratuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe ka shpallur fitues z. Lulzim Basha. Ky është vendimi për shpalljen fitues dhe nga ky moment lind e drejta e subjektit zgjedhor të kërkojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Këtë ka bërë PS me kërkesën drejtuar KQZ-së”, shkruhet në padinë e dytë të PS. Burime nga Gjykata e Apelit pohojnë se në shortin e hedhur për këtë kërkesë të dytë ankimore, relatore do të jetë gjykatësja Sashenka Jonuzi dhe anëtare gjyqtarët Astrit Kalaja, Dhurata Haveri, Meriban Mullai dhe Marie Qirjazi. E përbashkëta e dy ankimeve të PS-së në Kolegjin Zgjedhor është kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve për Tiranën. Rrjedhimisht, nëse vendimmarrja e sotme do të përfundojë me një pranim të plotë, ose të pjesshëm të ankimimit të socialistëve, atëherë shqyrtimi i kërkesës së dytë kalon në një plan të parëndësishëm. Nëse ndodh e kundërta, që padia e selisë rozë të rrëzohet, atëherë pritet që diskutimi të vijojë sërish me një tjetër seancë, ku Kolegji do të shqyrtojë thelbin e padisë së dytë që lidhet padyshim me të atë të sotmen.Por teorikisht ekziston edhe një mundësi e tretë që e nxjerr jashtë lojë lëvizjen e fundit të PS: ajo që Kolegji të rrëzojë sot për pavlefshmëri duke argumentuar se mospërputhja nuk është pasojë e ndfërhyrjes në kutitë e votimit.

Tabela

Elementët kyç të ankimimit të sotëm

1) Në kuti janë 870 fletë votimi më shumë se votues

2) 626 fletë votimi më shumë në kuti se gjithë fletët e votimit që janë vlerësuar

3) Janë vlerësuar 244 fletë votimi më shumë se numri i votuesve

4) Detyra e KQZ ishte të hetonte 1472 kuti votimi. KQZ-ja hetoi 1793 kuti votimi

5) U dokumentua mosrakordimi i kodit të 5 të sigurisë të kutisë së votimit

6) Një sërë kutish votimi të dëmtuara para ardhjes në KQZ

7) U evidentua qartazi mundësia e ndërhyrjes nga jashtë në një sërë kutish

8) Në disa kuti të QV-ve mungonin krejtësisht zarfet e fletëve të pavlefshme

9) Në disa kuti votimi fletë votimi që nuk i përkisnin fare asaj qendre votimi

10) KQZ hetoi dhe numëroi fletët që ishin jashtë zarfeve të votave të pavlefshme

11) Në 109 QV janë 248 fletë votimi më shumë se zgjedhës

12) Në 175 QV të tjera janë 506 fletë votimi më pak se zgjedhës

13) Në 40 QV, të cilat kanë qenë të balancuara, tanimë janë 75 fletë votimi më shumë

14) Në 99 QV të tjera, të cilat kanë qenë të balancuara, tanimë mungojnë 240 fletë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›