E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i kryeministrit Berisha: Të përmbajmë emocionet, derisa të dalë vlerësimi final

15-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha foli dje menjëherë pas finalizimit të numërimit të kutive të fundit në njësinë bashkiake nr.5 në Tiranë, duke përshëndetur konkludimin e këtij procesi, i cili u ndoq me një interes të jashtëzakonshëm. Sipas kryeministrit, fituesi i kësaj gare do përcaktohet nga një rezultat tepër i ngushtë, por, siç tha ai, ky është verdikti i qytetarëve të Tiranës. “Numërimi, i cili u ndoq me interesin me maksimal ka përfunduar me një ngushticë të paimagjinueshme”- tha Berisha. Ai deklaroi se në bazë të të dhënave të Partisë Demokratike, Lulzim Basha është fitimtari i kësaj gare të jashtëzakonshme. “Sipas database të Partisë Demokratike, Lulzim Basha është fitimtar me pak vota, sipas database të selisë rozë z. Rama është fitimtar me pak vota”- tha Berisha. Kryeministri Sali Berisha, në një dalje për mediat i bëri thirrje të dyja partive politike që të presin rezultatin përfundimtar ndërsa vendimtare do të jepet nga KQZ-ja. “Të gjithë qytetarët, simpatizantët, numëruesit, komisionerët dhe të gjitha partive politike duhet të tregojnë civilitet dhe të presin rezultatin përfundimtar, pasi përfundimi i rezultatit ende nuk është konfirmuar. Unë dua të bëj një thirrje më vëllazërore, të gjithë qytetarëve, anëtare militantëve të PD-së, por të gjithë forcat e partive politike të presin, pasi duhet të presim finalizimin nga KQZ-ja”- konkludoi deklaratën e tij, kryeministri i vendit Sali Berisha. Ndërkohë, pritet që KQZ të bëjë përllogaritjet e sakta në bazë të të dhënave të përcjella nga KZAZ dhe më pas të publikojë rezultatin zyrtar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›