E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Basha fitoi Tiranën

15-05-2011 / Gazeta 55

Ankthi elektoral është mbyllur me një rezultat të diskutueshëm, por procesverbalet e 485 qendrave të votimit parathonë një fitore të Lulzim Bashës me një diferencë të vogël votash për kreun e bashkisë së Tiranës. Analiza pritet të bëhet sot në KQZ, ndërkohë që procesi do të jetë krejt transparent.
Njoftimi i KQZ: Llogaritja paraprake ka gabime, po rishqyrtojmë të dhënat

Pas një maratone të gjatë numërimi votash në të gjitha KZAZ-të e kryeqytetit, u shpall fituesi i këtyre zgjedhjeve, i cili është padyshim Lulzim Basha. Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” zhvilloi një garë fantastike e cila u kurorëzua me një sukses të veçantë që ishte kthimi i Tiranës te qytetarët dhe vënia e saj në shërbim të interesave primare të komunitetit. Lulzim Basha erdhi në këto zgjedhje me një platformë ambicioze, gjigante dhe vizionare. Projektet e tij për një Tiranë të zhvilluar, jo Tiranën e skamjes dhe kaosit, projektet e tij për një Tiranë ku në qendër të saj të ishte qyteti dhe jo interesi personal i drejtuesve, Tiranën ku të mbizotëronte harmonia, dinjiteti social i qytetarëve dhe përgjegjshmëria e pushtetit vendor ndaj komunitetit dhe halleve të tij, gjeti një mbështetje optimale të mbarë qytetarët e Tiranës. U pa qartë. Pjesëmarrja në votime e qytetarëve të Tiranës ishte në shifrat 60% e tyre, si asnjëherë më parë dhe i gjithë ky trend pozitiv, përkthehej në vota për kandidatin demokrat Lulzim Basha. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Vullneti i lirë dhe demokratik i votuesve të kryeqytetit kishte vetëm një destinacion, të shpallte Lulzim Bashën fitues të kësaj gare, edhe pse me diferencë të ngushtë votash, përballë rivalit të tij që kandidonte për një mandat të katërt. Përpos vizionit dhe perspektivës së çmuar që i ofronte Tiranës Lulzim Basha, nga ana tjetër në versionin e Drakulës, qëndronte kandidati socialist, i cili për 11 vjet me radhë thjesht e vetëm ka instrumentalizuar aksionin e “vampirit”, duke kacafytur çdo burim dhe potencial të kryeqytetit shqiptar. Gllabërimi i taksave të qytetarëve, zhvatja e qindra investitorëve të huaj si dhe rritja e taksave me disa fish vit pas viti, rëndoi gjithnjë e më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve të Tiranës, duke i katandisur ata te standardi i mbijetesës. E gjithë kjo, meritë e punës së “çmuar” të ish kryetarit të bashkisë Edi Rama, e kësaj “gorille” që nuk u ndal për asnjë moment nga zhvatja e taksave të qytetarëve shqiptarë, nuk u ndal për asnjë moment nga varfërimi i qytetarëve të Tiranës. Dhe në përfundim vlen të thuhet se qytetarët e Tiranës larguan ‘tiranin’ nga Tirana. Drejtimi, ngjyra dhe imazhi i Tiranës do marrë tashmë një çehre tjetër. Nuk do jetë më Tirana e plakur, pa jetë dhe Tirana e degraduar ekonomikisht, moralisht dhe fizikisht, por do jetë Tirana e emancipimit, vizionit, zhvillimit dhe kulturës Ebvropiane. Tirana simotër e kryeqyteteve të Bashkimit Evropian, është dhe mbetet çelësi i suksesit të Lulzim Bashës për bërjen e Tiranës mirëfilltazi kryeqytet të denjë. Në respekt të plotë me procedurat ligjore dhe administrative të institucionit përgjegjës, i cili edhe do të përligjë fitimtarin e “betejës” elektorale për bashkinë e Tiranës, sot Lulzim Basha merr urimet dhe mesazhet për triumfin e tij elektoral si detyrën e re, të cilën tashmë ia ngarkuan qytetarët e Tiranës.

PD: Lulzim Basha fiton Tiranën, të dhënat tona janë të sakta

“Lulzim Basha fitoi përballjen elektorale me Edi Ramën”. Kështu deklaruan dje menjëherë pas mbylljes së procesit të numërimit të votave te njësia bashkiake nr.5 ose KZAZ nr. 49, vëzhguesit dhe komisionerët e Partisë Demokratike, të cilët kishin të gjitha procesverbalet e KZAZ-së me të dhënat e rezultateve kuti pas kutie. Surpriza erdhi në momentin kur disa media, duke iu referuar monitorit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhanë lajmin se Edi Rama kishte fituar me 10 vota diferencë. Por, menjëherë pas këtij spekulimi, erdhi reagimi i KQZ-së. Nëpërmjet një konference për shtyp, organi që administron zgjedhjet, pohoi se bëhet fjalë për një gabim njerëzor në serverin e të dhënave të KQZ, ku nuk përjashtohet mundësia e gabimit të shifra. Qëndrimi i KQZ-së është plotësisht realist dhe se ky institucion do të rishohë problemin. Nga ana tjetër, burime pranë Partisë Demokratike konfirmojnë zyrtarisht se Lulzim Basha ka fituar zgjedhjet për bashkinë e Tiranës. Të dhënat e komisionerëve dhe vëzhguesve të Partisë Demokratike pranë KZAZ-ve pohojnë se Lulzim Basha është 12 vota para Ramës. Të dhënat që disponon PD-në dhe të cilat vlerësohet se janë zyrtare, porsa kohë janë certifikuar nga firmat e komisionerëve në KZAZ, bëjnë që kandidati demokrat, Lulzim Basha të jetë fituesi i kësaj gare të “ashpër” dhe të “nxehtë”. Ka qenë vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni që ka lajmëruar se, ka pasaktësi në hedhjen e të dhënave në serverin qendror. Kësisoj, KQZ do publikojë rezultatin zyrtar, pasi të rishikojë pasaktësinë e shifrave në server.   

KQZ: Llogaritja paraprake ka gabime, po rishqyrtojmë të dhënat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi mbrëmë zyrtarisht se s’mund të përjashtohet mundësia e gabimit njerëzor në afishimin e rezultateve të KZAZ-ve, gjatë procesit të numërimit në Tiranë. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësi i KQZ, Arti Lushi, tha se KQZ e konsideron të pakuptimtë rezultatin paraprak të zgjedhjeve vendore për kryetarin e bashkisë së Tiranës, duke e argumentuar me faktin se të tillë e bën diferenca me vetëm 10 vota në favor të njërit kandidat, që sipas KQZ-së mund të jetë edhe për efekt të gabimeve njerëzore. Në këtë kontekst, Lushi sqaroi se KQZ do të shpallë fituesin e garës së Tiranës pasi të shqyrtojë të gjitha procesverbalet. “KQZ do të shpallë fituesin e garës zgjedhore për Tiranën vetëm pas shqyrtimit të të gjithë procesverbaleve dhe tabelave të rezultateve të komisioneve të Qendrave të Votimit. Ligji ia jep këtë të drejtë KQZ-së, të shpalljes së fituesit vetëm pas shqyrtimit të tabelave të rezultateve të komisionit të Qendrave të Votimit”- tha në deklaratën për shtyp, zëdhënës Arti Lushi.
Zëdhënësi i KQZ-së bëri me dije se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur punën për verifikimin e çdo procesverbali të komisioneve të Qendrave të Votimit me tabelat e rezultateve të QV-ve dhe se do të shpallë kryebashkiakun e ri të Tiranës vetëm pas përfundimit të këtij shqyrtimi. Madje, vetë Kodi Zgjedhor i jep një hapësirë prej 48 orësh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të nxjerrë fituesin e zgjedhjeve. Është vetë Neni 123, Nxjerrja e rezultateve nga KQZ-ja që thotë se “KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse”. “Për këtë, KQZ-ja plotëson Tabelën e Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore dhe e miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të Zonës Zgjedhore. Kur gjatë llogaritjes së tabelës, KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të palëve, vëren mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelat e rezultateve të qendrave të votimit, merr vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit me shifrat e korrigjuara, duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit”- thotë Neni 123 i Kodit Zgjedhor, Nxjerrja e rezultateve nga KQZ. 
Mbledhja/KQZ vendos sot për rivlerësimin e rezultatit/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi gjithashtu se sot në orën 10:00 do të zhvillojë mbledhjen e paralajmëruar. Ankthi për shpalljen e kryebashkiakut të ri të Tiranës do të mbajë pezull edhe për pak orë mbarë qytetarët shqiptarë, deri në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që do të vendosë për fatin e qeverisjes së Tiranës. Edhe pse ishte paralajmëruar një mbledhje e KQZ-së në orën 18.00 të ditës së djeshme, ishte vetë KQZ që konfirmoi se ky takim ishte anuluar, me qëllim për të shqyrtuar mirë shifrat e procesverbaleve të 11 njësive bashkiake të kryeqytetit dhe krahasimin e tyre me databazën e KQZ-së. Komisioni Qendror do ta mbajë këtë mbledhje në orën 10.00 të së dielës. Ky shqyrtim bëhet për shkak të mospërputhjeve të rezultateve në procesverbalet përkatës me ata të databazës së KQZ-së. Sipas procesverbalit të njësisë 5, e fundmja njësi që mbajti ndezur tensionin e garës zgjedhore për Tiranën, kandidati i majtë Edi Rama kryesoi me vetëm 10 vota ndaj kandidatit demokrat Lulzim Basha.
Kjo diferencë e vogël mes dy kandidatëve bën që sipas Kodit Zgjedhor, duhet që KQZ-ja të vendosë për emrin e kryebashkiakut të Tiranës. Nga ana tjetër, të dyja selitë politike festuan fitoren e kandidatëve të tyre.

Kodi Zgjedhor: KQZ nxjerr rezultatin jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e tabelave të Zonë Zgjedhore

Neni 123
Nxjerrja e rezultateve nga KQZ-ja

1. KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të  rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë, KQZ-ja plotëson Tabelën e Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore dhe e miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të Zonës Zgjedhore. Kur gjatë llogaritjes së tabelës, KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të palëve, vëren  mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelat e rezultateve të qendrave të
votimit, merr vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit me shifrat e korrigjuara, duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit. Një kopje e Vendimit për miratimin e Tabelës e Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore u jepet të gjitha subjekteve zgjedhore që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e zonës zgjedhore përkatëse.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›