E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i ndërkombëtarëve dhe veshi i shurdhët i politikës

25/02/2010 Këshilli i Evropës kërkon lënien e bojkotit jo vetëm për një seancë

Ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet hapi i dytë për krizën

Lënia e bojkotit dhe kthimi në Kuvend ishte kërkesa kryesore dhe më emergjente që Këshilli i Evropës, dhe jo vetëm, i kërkoi opozitës shqiptare si një përpjekje e parë për zgjidhjen e krizës politike që ka mbërthyer vendin. Ndërsa ngritja e një komisioni hetimor për hetimin e zgjedhjeve ishte një kërkesë dytë e po këtij organizmi të lartë ndërkombëtar, që iu prezantua si opozitës, e cila ka kohë që e kërkon këtë, ashtu dhe mazhorancës, për t’i dhënë hapësirat e nevojshme kundërshtarit të tij politik në ushtrimin e kësaj të drejte. Hapja e kutive apo numërimi i votave që gjendet brenda tyre ishte një çështje që përmendet fare. Për të dërguarit e KiE-së në Shqipëri, diskutimi i kësaj çështjeje u la pezull, deri në arritjen e disa përparimeve nga politika shqiptare. Në mungesë të një marrëveshjeje mes dy lidershipëve, ndërkombëtarët pritet të sugjerojnë adresimin e “konfliktit” drejt Komisionit të Venecias. Të tjera ndryshime që priten pas lënies së bojkotit janë edhe ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin themeltar, Kushtetutën e Shqipërisë. “Krijimi pa vonesa të tjera i një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një shumicë efektive; përgatitja nga ky komision hetimor i amendamenteve për Kodin Elektoral në përputhje me rekomandimet e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit dhe të Rezolutës 1709; dhënia opozitës e një numri të drejtë të kryesive të komisioneve parlamentare”, ishin parimet bazë mbi të cilat, sipas delegacionit të Këshillit të Evropës, duhet të arrihej në zgjidhjen e krizës politike. Lidhur me termat e referencës të komisionit parlamentar, delegacioni i APKE-së vuri re se të dy palët bien dakord që zgjidhja e krizës politike dhe ndjekja e hapave konkretë duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Roli i Presidentit

Negociatat mes palëve kanë kaluar tashmë në nivel ekspertësh, ku Presidenti i Republikës ka angazhuar këshilltarin e tij ligjor, ish-ministrin e Drejtësisë, Spiro Peçi. Roli individual i kreut të shtetit, duke ulur në një tryezë dy liderët e politikës: Sali Berishën dhe Edi Ramën, u vlerësua lart nga ndërkombëtarët. “Është udhëheqësi dhe njeriu i parë në Shqipëri që ka zbatuar rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës”, ishte konsiderata që ata dhanë për Presidentin Topi. Në fakt, deri tani, nga rekomandimet që Këshilli i Evropës i dha politikës shqiptare përmes rezolutës së saj të miratuar në janar, vetëm Presidenti e ka përmbushur pjesën e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›