E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja, evakuohen 50 qytetarët e parë

25/02/2010 Në terren zbresin sërish forcat e armatosura. Fillon ndërtimi i argjinaturave

Katër lagje të Shkodrës, mbulohen nga uji i lumenjve

TIRANE- Rikthehen për të dytën herë përmbytjet në zonën e Nënshkodrës si dhe në disa lagje të qytetit dhe për pasojë kanë filluar edhe evakuimet e para nga Shtabi i Emergjencave që është ngritur në këtë zonë. Të parët që janë evakuar kanë qenë disa familje në fshatin Dajç dhe Obot, ku me ndihmën e mjeteve të ushtrisë, këto familje janë transportuar me varka. Mësohet se për strehimin e tyre, prefektura e Shkodrës ka vënë në dispozicion ambientet e një konvikti. Nuk dihet me saktësi se sa është numri total i personave të evakuar, por burime pranë Ministrisë së Brendshme pohojnë se rreth 50 familje kanë lënë banesat e tyre, duke u strehuar në njerëzit e afërm dhe disa të tjera në konvikt. Për të përballuar situatën që sa vjen e po përkeqësohet nga hapja e portave të hidrocentraleve, ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje me anëtarët e Komisionit të Emergjencave Civile për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet e shiut që vijojnë pa ndërprerje që prej 23 ditësh. Përgjatë tri javëve ka rënë mbi 600 milimetra shi dhe vetëm 12 orët e fundit ka rënë 70 milimetra shi. Shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës janë 1300 m3 për sekondë. Ndërkohë që situatë po përkeqësohet edhe nga prurjet e lumit Kir, të cilat aktualisht kapin shifrën 800 m3/s, ndërsa nga lumi Gjadër rreth 200 m3/s. Niveli i hidrometrit të Dajçit është 6,55 m, ndërsa i Urës së Bunës 8,55 m. Një tjetër pikë që paraqet rrezik është edhe tej fryrja e rezervuarit të Shtodrit, i cili është i mbushur me kapacitet të plotë dhe për këtë shkak nga Drejtoria e Bordit të Kullimit ka filluar të lëshohet ujë nga portat fundore dhe për të shmangur situatën katastrofike të këtij rezervuari. Këto rrethana kanë krijuar probleme të shumta në lagjet periferike të qytetit Shkodër, si në “Bahçallëk”, “Ajasëm”, “Livadhe”, lagja “Mar Lulaj”. Po kështu probleme ka në fshatrat Kuç dhe Vukatanë të komunës Guri i Zi, në fshatin Obot të komunës Ana e Malit si dhe në Dajç. Në këto zona aktualisht po vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturave me qëllim kufizimin e përhapjes së ujit në zonat e tjera. Ndërkohë grupe të posaçme po vazhdojnë të punojnë, për dhënien e ndihmës së banorëve në këto zona, ku në disa raste është kryer edhe evakuimi i tyre.

Disa nga masat

Marrja e masave nga Drejtoria rajonale e Arsimit për mbylljen e shkollave në komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, lagjet “Bahçallëk”, “Ajasëm”, “Livadhe”, për 24 orët në vijim deri në një urdhër të dytë, si dhe vënia në dispozicion të KECQ të njërit nga konviktet e shkollave të mesme profesionale për akomodimin e komunitetit që mund të evakuohet. Dërgimi i ndihmave ushqimore të nevojshme nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit, si dhe kufizimit të aksit të rrugës së Dajçit me treguesit e rrugëve për identifikimin e saj.

Në terren FAS

Paraqitja e kërkesës pranë FA për vënien në dispozicion të KECQ të 8 mjeteve vetëshkarkuese, 2 fadromave, 2 ekskavatorëve dhe 20 varkave me motor. Gjithashtu në funksion të drejtimit të operacioneve të evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit nga ana e strukturave të ushtrisë të vihen në dispozicion 2 varka në komunën Dajç, 2 varka në fshatin Obot të komunës Ana e Malit për llogari edhe të transportit edhe nga komuna Dajç, 1 varkë tek ujësjellësi i Trushit, 1 varkë në komunën Velipojë, 1 varkë në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›