Apeli lë në fuqi sekuestron e pasurive të Orest Sotës, nuk pranohet ankimi i biznesmenit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të mos ndryshojë vendimin për sekuestrimin e pasurive të biznesmenit Orest Sota, të vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Gjithashtu, gjykata nuk pranoi të shqyrtojë ankimin e paraqitur nga Orest Sota dhe një prej kompanive të lidhura me të, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Sota u arrestua në qershor të këtij viti me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim parash.
Vendimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Dhimitër Lara, sot më datë 29.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 30 akti, datë 14.07.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve O.S, E.Xh, A.Z, O.K, V.A, V.M, Shoqëritë ***, ***, ***, ***: “Ankim kundër vendimit Nr. 432, datë 10.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive, në kuadër të procedimit penal nr. 287/1 të vitit 2021, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, si vijon: – Miratimin e urdhrit të sekuestros preventive nr. 432, datë 10.06.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, apeluar nga personat e interesuar “***” shpk, z. A.Z, zj. O.K, zj. E.Xh, zj. V.A, zj. V.M, “***” shpk, “***” shpk, “***” shpk dhe “***” shpk. – Mospranimin për shqyrtim të ankimit të ngritur nga personat e interesuar z. O.S dhe “***” shpk ndaj urdhrit të sekuestros preventive nr. 432, datë 10.06.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall më 29.07.2026.
/rtsh.al/