Hyri me skaf në zonën e pushuesve në Shëngjin, gjobitet me 500 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti lundrues

Policia Kufitare ka ndëshkuar me gjobë 500 mijë lekë drejtuesin e një mjeti lundrues, pasi hyri në perimetrin e sigurisë dhe lundroi me shpejtësi pranë zonës së dedikuar për pushuesit në plazhin e Shëngjinit.
Sipas Policisë, gjatë monitorimit të vijës bregdetare, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, konstatuan se mjeti lundrues po lëvizte brenda zonës së ndaluar, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e pushuesve.
Pas verifikimeve, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale D. M., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë në det të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke paralajmëruar se ndaj çdo shkelësi do të merren masa të menjëhershme.
/rtsh.al/