SPAK zgjat me 3 muaj hetimet për dosjen Balluku, Gjyli dhe Elezi njoftohen për vendimin

SPAK i ka komunikuar këtë të mërkurë zgjatjen me tre muaj të afateve hetimore ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentian Gjyli dhe ish-drejtorit të OSHEE-së, Erald Elezi.
Komunikimi i zgjatjes së hetimeve është bërë për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Afati i ri i hetimeve shkon deri në muajin tetor, pasi prokurorët kanë argumentuar se nevojiten ende veprime hetimore për t’u kryer.
Ndërkohë, edhe ish-Zv.kryeministres Belinda Balluku i është dërguar fletëthirrja për t’u paraqitur në SPAK më 31 korrik, e shoqëruar nga avokati i saj, për t’u njohur me vendimin për zgjatjen e afateve hetimore.
Balluku akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera” në procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Ajo është gjithashtu nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, si edhe për tre procedura të tjera tenderuese.
/rtsh.al/