E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë sërish në burg ish-Shefin e Krimeve të Komisariatit 1

TIRANE- Fatos Goxhaj, ish-Shefi i Krimeve i Komisariatit Nr.1 do të qëndrojë sërish në burg. Këtë vendim e ka marrë ditën e djeshme Gjykata e Apelit Tiranë, pranë së cilës është shqyrtuar ankimi i ardhur nga avokatët e Goxhajt. Pavarësisht pretendimeve të ngritura prej tyre për lirimin e ish-Shefit të Krimeve, Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë sipas të cilit, Goxhaj duhet të qëndrojë në "arrest me burg". Fatos Goxhaj akuzohet nga ana e Prokurorisë se ka marrë shumë prej 3500 eurosh për të lënë të lirë një të ndaluar. 

Referuar dosjes, mësohet se më datë 22.11.2011 R.A. ka qëlluar brenda shtëpisë së tij me një armë tip pistoletë që e mbante pa leje, ndaj dhe është bërë shoqërimi për në ambientet e këtij Komisariati i shtetasit R.A.. Kallëzuesi E.A., djali i R.A., ka takuar personin e dyshuar dhe i ka kërkuar këtij të fundit ta ndihmonte për të nxjerrë nga ambientet e Komisariatit babain e tij pasi ishte i vjetër në moshë dhe i sëmurë. Personi i dyshuar ka marrë përsipër të kryente veprimin sipas kërkesës së kallëzuesit në këmbim të shumës prej 3000 euro. Personi i dyshuar ka shkuar në ambientet e Komisariatit Nr.1 së bashku me E.A. dhe i ka kërkuar këtij të fundit që t'i thoshte babait të tij që të shtiret si i sëmurë. 

Pas kësaj, një makinë policie ka bërë shoqërimin e R.A. për në Spitalin Ushtarak dhe pas qëndrimit për një kohë të shkurtër aty, R.A. së bashku me të birin kanë shkuar në shtëpi. Kallëzuesi pas disa ditësh ka takuar personin e dyshuar dhe i ka ofruar dhe shumën prej 300 eurosh, por ky i fundit i ka kërkuar dhe 200 të tjera dhe në përfundim i ka dhënë personit të dyshuar dhe 500 euro të tjera. Personi i dyshuar ka premtuar se nuk do të kishte asnjë problem për babain e tij dhe se çështja ishte e mbyllur. Por, pas disa muajsh, R.A. është thirrur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 22.11.2011.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›