E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për parkimin, shpallet në kërkim i forti i "Myslym Shyrit"

TIRANE- Rikthehet në skenë Gjergj Cukali, njëri prej djemve të njohur si anëtar i bandës së rrugës "Myslym Shyri" dhe i dënuar me 10 vite burg nga drejtësia shqiptare, për pengmarrjen e Fatjon Demirlikës në vitin 2004. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se e kanë shpallur në kërkim këtë të fundit së bashku me Kataldo Lezhjan, pasi dyshohet se këta të dy kanë kërcënuar me armë dhe kanë goditur punonjësin e një firme private sigurimi, për një vend parkimi. NGJARJA Mësohet se më datë 5 maj, rreth orës 16:00, 43-vjeçari Sh. Kadiu, punonjës i një kompanie private sigurimi, ka bërë kallëzim se në rrugën "Mihal Grameno", pranë Shkollës së Baletit, është kanosur me armë dhe goditur nga dy persona të paidentifikuar pas një debati mes tyre për një vend parkimi. Ndërkaq, mësohet se nga puna e bërë dhe deklarimet e marra është arritur të bëhet identifikimi i autorëve të ngjarjes, të cilët janë Gjergj Cukali dhe Kataldo Lezhja, të dy persona me precedent të mëparshëm kriminal. Nga ana tjetër, grupi hetimor kryeu veprimet e nevojshme proceduriale e hetimore, ndërsa është bërë shpallja në kërkim e Cukalit dhe Lezhjajt dhe mjetit të tyre. Ndërkaq, materiali i kalon Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Plagosjes së lehtë" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake". 
HISTORIA E CUKALIT 
Gjergj Cukali është njëri prej personazheve të njohura të botës kriminale të kryeqytetit, pasi ai së bashku me miqtë e tij Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij. Por plani i tyre dështoi, pasi u arrestuan në kohë nga Policia e Tiranës. Në korrik të vitit 2004, në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë, pranë një karburanti, merret peng Fatjon Demirlika. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së Demirlikës një shumë prej 100 mijë eurosh në këmbim të lirimit të të afërmit të tyre. Vendi i dorëzimit të parave ishte lënë në varrezat e Tufinës. Familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit. Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika. Pak orë më vonë, falë një tjetër operacioni policor, u bë i mundur lirimi i pengut si dhe u arrestuan Gjergj Cukali, Florian Metalla, Ilir Kodumi e Eduard Skuka. Në përpjekje për të shpëtuar nga duart e policisë, banda e pengmarrësve vrau Endri Shimën, mik i ngushtë me pengun Fatjon Demirlika. Nga hetimet rezultoi se autori i vrasjes së Shimës ishte Durim Gurzi. Ky i fundit mundi t'u shpëtojë prangave, për t'u kapur tre vjet më vonë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›