E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli, qeveria të marrë masa për mbështetjen e prodhimit vendas

16/11/2009  Konfindustria: Ja problemet me të cilat janë ndeshur industritë e vendit

Grupimi i industrive më të mëdha të vendit Konfindustria kërkon një vlerësim më të mirë nga ana e qeverisë shqiptare dhe vendimmarrjes për situatën ekonomike. Me anën e një komunikimi për mediet, Konfindustria ka bërë thirrje që të ndërtohet dhe zbatohet sa më shpejt një paketë masash për t’u përballur me zhvillimet në ekonominë shqiptare. Sipas Gjergj Buxhukut, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë, këto masa duhet të synojnë mbështetjen e prodhimit vendor dhe uljen e sasisë së parave që pa arsye vazhdojnë të largohen në mënyrë shqetësuese nga tregu shqiptar. “Konfindustria, bazuar në të dhënat e deritashme të sjella pranë saj nga industritë kryesore të vendit dhe nga të dhënat e përgjithshme makroekonomike për 9-mujorin e vitit 2009, parashikon prirje rënëse të zhvillimit ekonomik të vendit dhe prodhimit të përgjithshëm (PPB) për periudhën e mbetur 2009, nëse do të marrim si të njëjta treguesit kryesor ekonomik të të njëjtës periudhë të vitit 2008. Shfaqjet më të prekshme të parashikimit të mësipërm do të jenë rënie të nivelit të shitjeve, mungesa të likuiditetit dhe rënia e fuqisë konkurruese të prodhimit vendor ndaj mallrave dhe shërbimeve të importit”, - tha Buxhuku. Sipas tij, industritë kryesore të vendit janë ndeshur me probleme të rënies të treguesve “të shitjeve” dhe mungesë “likuiditeti” gjatë periudhës së 6-mujorit të parë të vitit financiar 2009. Gjithashtu, gjatë muajve korrik dhe gusht kryesisht si pasojë e sezonit turistik ka pasur përmirësim të treguesve të mësipërm për industrinë ushqimore në përgjithësi dhe veçanërisht industria e prodhimit të vezëve, prodhimit të pijeve joalkoolike, të birrës, të përpunimit të mishit, të përpunimit të miellit. Po kusht edhe industritë e rënda dhe veçanërisht industria mekanike, ajo e përpunimit të metaleve, metalurgjike, e prodhimit të tullave, e prodhimit të letrës kanë vazhduar të njëjtën problematikë shqetësuese gjatë gjithë periudhës 9-mujore. “Duhet mbajtur parasysh, se mungesa e ndjeshme e likuiditetit për mjaft industri në periudhën në fjale, ndodh në kushtet e një deficiti buxhetor, mjaft herë më e lartë sesa në të njëjtën periudhë të vitit pararendës, si pasojë e shpenzimeve publike të rritura të kryera gjatë vitit zgjedhor”, - nënvizoi Buxhuku. Kjo do të thotë, sipas tij, se pjesa e mbetur e vitit 2009 si pasojë e shpenzimeve publike tashmë të kryera në shumicë dërrmuese në gjysmën e parë të vitit dhe domosdoshmëria për të ruajtur deficitin buxhetor të parashikuar, do të rëndojnë më tejshtimin e masës së kërkesës të pambuluar për likuiditet të ekonomisë dhe industrive shqiptare në përgjithësi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›