E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja elektorale tërësisht e qetë

16/11/2009  Kosova mban zgjedhjet e para për pushtetin vendor pas shpalljes së pavarësisë

Ndërkombëtarët evidentojnë organizimin dhe ecurinë pozitive të zgjedhjeve

Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar ditën e djeshme për të zgjedhur drejtuesit e rinj të pushtetit vendor. Rreth 1.5 milion qytetarët janë thirrur për të shprehur vullnetin e tyre për kryetarë të komunave dhe për asambletë komunale. Sipas informacioneve, këto zgjedhje janë zhvilluar në një klimë tërësisht të qetë dhe nuk janë vërejtur incidente që mund të cenonin procesin zgjedhor. Përballja e djeshme elektorale për qeverisjen lokale është e para pas shpalljes së pavarësisë dhe që organizohet nga vetë institucionet e shtetit të Kosovës. Në nivel republike, deri në mesditë u hapën 98.5 për qind të qendrave të votimit. Për të eliminuar çdo situatë që lidhet me moshapjen e qendrave të votimit, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë bënë me dije se kanë dërguar qendra të lëvizshme votimi. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka deklaruar se procesi zgjedhor ka ecur shumë normalisht në të gjitha qendrat e votimit. Ajo ka bërë me dije se përqindja e pjesëmarrjes ka qenë e kënaqshme dhe nuk janë vërejtur parregullsi gjatë procesit të votimit. Për të siguruar qetësinë dhe mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor, i cili është konsideruar tepër i rëndësishëm, u vunë në dispozicion mbi 5 mijë forca policie. Qëllimi ishte sigurimi i një procesi normal, zgjedhje të lira për të gjithë qytetarët dhe mënjanimi i çdo situate të pakëndshme. Përveç forcave të Policisë së Kosovës për sigurinë në ditën e zgjedhjeve janë kujdesur edhe trupat e policisë ndërkombëtare dhe ato të KFOR-it.

Ndërkombëtarët

Diplomatët ndërkombëtarë kanë ndjekur nga afër zhvillimin e procesit zgjedhor. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, ka qenë edhe në Graçanicë, ku jeton një komunitet i konsiderueshëm serb. Ai ka mbetur i kënaqur me pjesëmarrjen e votuesve serbë në zgjedhje. “Gjithçka po ecën mirë, kështu që unë jam mjaft i kënaqur”, - tha Dell. Nga ana e tij shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ka vizituar një qendër votimi në Prishtinë, ku ka biseduar me kryetarin e saj dhe është njohur me ecurinë e procesit. “Gjithçka po shkon mirë në qendrën e votimit. Përshtypjet janë shumë të mira. Shpresoj për një përqindje sa më të lartë të mundshme të pjesëmarrjes së votuesve”, - ka thënë Feith. Zgjedhjet lokale i ka ndjekur nga afër edhe kryetarja e Delegacionit për Europën Perëndimore Doris Pack, e cila kryesoi një delegacion e vëzhguesve të Parlamentit Evropian. Në një prononcim për radion “Evropa e lirë” Pack ka deklaruar se zgjedhjet e sotme, të cilësuara si test për funksionimin e demokracisë në shtetin më të ri të botës, janë organizuar mirë.

Drejtuesit e shtetit

“Zgjedhjet janë ditë historike për vendin”

Krerët më të lartë të Republikës së Kosovës janë shprehur se këto zgjedhje përbëjnë një ndër ditët më historike për vendin, duke marrë parasysh se janë të parat zgjedhje në shtetin e pavarur. Presidenti Fatmir Sejdiu, duke evidentuar këtë fakt, ka thënë se “janë zgjedhjet e para lokale pas pavarësimit të vendit. Dëshiroj që Kosova vërtet të jetë në ditë feste, të jetë me një pjesëmarrje masive të të gjithë qytetarëve, që të kalojmë edhe këtë pjesë të vendimit që kanë vendet e Evropës në kuptimin e pjesëmarrjes së qytetarëve”. Nga ana e tij kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se 15 nëntori është dita më e rëndësishme për shtetin dhe për të gjithë qytetarët pas shpalljes së pavarësisë. “Kjo është ditë historike, dita e votimit të parë të qytetarëve të Kosovës në shtetin e pavarur, sovran, demokratik, multietnik. Të gjithë kemi sakrifikuar shumë për këtë ditë, prandaj është një ngjarje historike dhe unë dua të besoj fuqishëm se të gjithë do të bëhemi pjesë e kësaj historie të re të shtetndërtimit, të ndërtimit të demokracisë së re, të një shoqërie moderne dhe multietnike”, - ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Komuniteti serb

Serbët e Graçanicës dalin masivisht në votime

Serbët në Kosovë kanë qenë të ndarë në pjesëmarrjen në zgjedhje. Serbët e Mitrovicës nuk kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, ndërkohë që ka ndodhur e kundërta në Graçanicë, ku jeton një komunitet i madh serb. Banorët të etnisë serbe të Graçaniçës i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e zgjedhjeve. Raportohet se ata kanë shkuar në qendrat e votimit me një pjesëmarrje të konsiderueshme. Ndryshe nga të tjerët, serbët e kësaj zone kanë injoruar thirrjet e Beogradit për të bojkotuar zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur. Duke iu referuar medieve në Kosovë, që në orët e para të hapjes së qendrave të votimit është vërejtur një interesim i madh i serbëve për të votuar. Qytetarët serbë që votuan janë shprehur se presin ditë më të mira për komunitetin e tyre. “Shpresoj që të ketë punësim për mua dhe familjen time. Unë pres që ata që do të zgjidhen të hapin vende të reja pune. Jam i bindur se ata mund ta bëjnë këtë”, - thotë një qytetar i Graçanicës. Por drejtuesi i qendrës së votimit në Graçanicë, Fatmir Gashi, është ankuar për mungesë të kushteve elementare për të votuar në këtë lokalitet. Ai tha se interesi dhe pjesëmarrja është e lartë, gjë që nuk e kishin pritur. Në rast se arrihet një pjesëmarrje e kënaqshme e serbëve të Graçanicës në zgjedhje, ky lokalitet do të shndërrohet në komunë në bazë të planit të Ahtisarit. Janë 10 subjekte politike që kërkojnë votën e banorëve të Graçanicës me fshatrat përreth, në mesin e të cilave është vetëm një parti politike e shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›