E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli vulos pafajesine e Bashes

TIRANE - Gjykata e Apelit ka vulosur dje pafajesine e Ministrit te Jashtem Lulzim Basha, per dosjen "Durres-Kukes". Dje trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Pajtim Hoxha, ka lene ne fuqi vendimin e gjykateses Fatmira Hajdari per fletethirrjen e ministrit Basha ne Prokurori te Pergjithshme te dates 24 nentor te vitit te kaluar me numer shkrese percjellese 1048 me fraksion 74. Po ashtu Apeli deklaroi te pavlefshem flete-njoftimin e akuzes te dates 27 dhjetor te vitit te kaluar te Prokurorise se Pergjithshme, Tirane. Sipas vendimit te gjykates, Ministri i Jashtem Lulzim Basha eshte marre i pandehur, jashte procedurave ligjore. Te gjitha aktet hetimore te kryera nga Prokuroria ne lidhje me dosjen "Durres-Kukes" pas dates 6 nentor 2008, jane shpallur edhe dje, si te pavlefshme. Vendimi i Gjykates se Apelit konsiderohet si nje tjeter goditje per Prokurorine e Pergjithshme ne lidhje me kete ceshtje, veprimet e te ciles, pala mbrojtese i ka cilesuar me sfond te paster politik.

Seanca

Procesi gjyqesor ka nisur mengjesin e djeshem ne oren 09:00 si dhe eshte zhvilluar me dyer te mbyllura. Fillimisht eshte ngritur prokurori i ceshtjes, i cili ka kerkuar prishjen e vendimit te dhene nga Gjykata e Shkalles se Pare pasi kompetente per kete gjykim ishte gjykata e Larte. Nga ana tjeter, Zef Nikaj, avokati mbrojtes i Ministrit aktual te Jashtem, Basha, i ka kerkuar trupit gjykues te kryesuar nga gjyqtari Pajtim Hoxha, lenien ne fuqi te vendimit te dhene nga Shkalla e Pare. Pasi ka degjuar te dyja palet, gjykata la ne fuqi vendimin e dhene nga kolegia e tyre Hajdari. Ndersa deklaroi te pavlefshme te gjitha aktet procedurale te hetimeve pas dates 6 nentorit deri me 6 dhjetor te vitit te kaluar.

Vendimet

Pushimi i hetimeve ne lidhje me dosjen "Durres-Kukes", u vendos nga Gjykata e Tiranes me daten 18 nentor te vitit te kaluar, pas vendimit te marre nga ana e gjyqtarit Sokol Tona, e cila shqyrtoi kerkese padine te bere nga Armand Teliti dhe Andi Toma. Keta te dy bashke te pandehuri i kerkonin gjykates pushimin e hetimeve te tejzgjatura nga akuza. Pas pushimit te hetimeve me vendim gjykate, Prokuroria e Pergjithshme, vendosi qe te perjashtoje nga hetimet Armand Telitin dhe Lajla Saracin, ndersa mori si te pandehur Ministrin e Jashtem Lulzim Basha. Por te gjitha veprimet e kryera nga prokuroria jane cilesuar te pavlefshme, pasi ato ishin te pushuara. Me daten 6 dhjetor akuza dergoi per gjykim dosjen hetimore te perbera nga 4 fashikuj. Ndersa te pandehur per akuzen jane ministri i Jashtem, Lulzim Basha, si dhe Drejtori i Pergjithshem i Rrugeve, Andi Toma. Prokuroria ka ngritur ndaj tyre akuzat e "shperdorimit te detyres" dhe "shkeljes se barazise ne tendera".

Te dyja keto akuza te ngritura ne ngarkim te ministrit Basha kane marre forme te prere nga Gjykata e Apelit, e cila cilesoi se ato jane kryer ne kundershtim me Kodin e Procedures Penale, pasi hetimet ishin pushuar, po nga kjo gjykate. Edhe pse Gjykata e Apelit ka cilesuar marrjen te pandehur te Ministrit Basha ne kundershtim me ligjin, sipas burimeve nga prokuroria kjo nuk perben asnje pengese per zhvillimin e procesit gjyqesor ne Gjykate te Larte.

Nikaj: Procesi, me prapavije te paster politike

Avokati mbrojtes i Ministrit te jashtem, Lulzim Basha, Zef Nikaj ka theksuar se hetimet ndaj klientit te tij jane politike. Nikaj gjate procesit gjyqesor ka theksuar se shperfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit te Gjykates demonstron qarte prapavijen e paster dhe prapaskenat politike te trajtimit te kesaj ceshtje dhe perdorimin si nje mashe politike te Prokurorise se Pergjithshme. Gjate deklarimeve te tij avokati ka sqaruar se i qendronte vendimit te dhene nga ana e gjyqtarit Sokol Tona per pavlefshmerine veprimeve te kryera pas pushimit te hetimeve. Edhe vete Ministri i Jashtem, Lulzim Basha, ne nje interviste dhene per "Opinion" te Blendi Fevziut ne TV Klan ka pohuar faktin se sulmet ndaj tij per rrugen Durres-Kukes kane motiv te forte politik.

18 nentor 2008

Gjykata e Tiranes ka mbyllur hetimet per dosjen "Durres-Kukes". Pas kerkese padise se bere nga ana e Armand Telitit dhe Andi Tomes, per moszgjatjen e hetimeve ne ngarkim te tyre, gjyqtari Sokol Tona ka vendosur te pushoje hetimet. Ndersa te gjitha veprimet qe do te kryeshin pas dates 6 nentor jane te pavlefshme.

15 dhjetor 2008

Gjyqtarja Fatmira Hajdari, cilesoi te pavlefshme te gjitha veprimet e kryer nga ana e organit te akuzes per ministrin e Jashtem Lulzim Basha. Sipas vendimit te gjyqtares, Basha eshte marre i pandehur, jashte procedurave ligjore, ndersa te gjitha aktet e prokurorise mbi Bashen jane te pavlefshme.

11 dhjetor 2008

Gjyqtari Altin Abdiu vendosi te rrezoi kerkesen e Prokurorise se Pergjithshme per perjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi per pavlefshmerise se flete-thirrjes se Ministrit ne Prokurori, si dhe pyetjes se tij para organit hetimor. Abdiu deklaroi se prokuroria nuk kishte baze ligjore per kerkesen mbi perjashtimin e gjyqtares.

22 dhjetor 2008

Gjykata e Apelit ka lene ne fuqi vendimin e marre nga ana e Gjyqtarit Sokol Tona. Gjate seances gjyqesore prokuroret kerkuan rrezimin e vendimit te marre nga ana e gjykates se Shkalles se Pare, ndersa avokati mbrojtes i Andi Tomes dhe Armand Telitit, kerkoi lenien ne fuqi te vendimit te dhene nga kolegu i tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›