E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimet për diplomën e integruar të nivelit të dytë

06/09/2009  Pranimet për kandidatët që kanë mbaruar sistemin 4-vjeçar gjatë vitit 2008-2009

Udhëzohen universitetet për çeljen e këtyre programeve gjatë vitit të ardhshëm

Kandidatët që kanë mbaruar studimet e larta gjatë vitit të shkuar akademik për ciklin katërvjeçar mund të aplikojnë për marrjen e diplomës së integruar të nivelit të dytë, e cila quhet e marrë vetëm në rastet kur gjatë vitit plotësohen 300 kreditet për gjithë programin studimor. Njohja e studimeve për marrjen e kësaj diplome do të lejohet vetëm në rastet kur kandidatët që kanë mbaruar ciklin katërvjeçar kanë grumbulluar për të gjitha vitet e mbaruara totalin e kërkuar të krediteve. Në një prononcim të dhënë dje burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë deklaruar se “për të gjithë studentët që janë diplomuar në vitin 2008-2009 në një program studimi të hapur me kohëzgjatje 4 vjet akademikë (gjatë së cilës kanë fituar 240 kredite), do të fitojnë diplomë universitare me 240 kredite. Ndërkohë këto kredite do të jenë të detajuara në suplementin e diplomës që ata do të marrin”. Duke disponuar këtë diplomë, këta kandidatë mund të drejtohen sërish fakulteteve të tyre për të marrë diplomën e integruar të nivelit të dytë. Për këtë MASH ka dërguar një shkresë zyrtare, nëpërmjet të cilës udhëzohen të gjitha institucionet e arsimit të lartë që, nëse këta studentë dëshirojnë të fitojnë diplomë të integruar të nivelit të dytë me 300 kredite, në përputhje me ligjin e arsimit të lartë në fuqi, të marrin masat që në vitin akademik 2009-2010 t’u japin mundësinë te diplomuarave të plotësojnë studimet edhe me një vit akademik. Për këtë cikël të ri studimesh njëvjeçare kërkohen rreth 60 kredite për të zyrtarizuar mbylljen e tij. Procedurat e aplikimit për këto programe studimi pritet të hapen në fund të këtij muaji, ku dhe vetë universitetet do të publikojnë kuotat e mundshme për çdo degë. Gjithashtu në nisjen e vitit të ri akademik në muajin tetor pritet që të çelen dhe masterat e nivelit të dytë për një sërë fakultetesh publike. Pak kohë më parë kreu i rektoratit të UT-së ka deklaruar se në rast mosmiratimi të programeve të mbetura nga qeveria, do të ketë shtyrje të vitit akademik deri në marrjen e masave të reja për hapjen e këtyre studimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›