E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimet për skemat mbështetëse në bujqësi mbyllen më 25 qershor, interes i lartë në Tepelenë

Në rrethin e Tepelenës është regjistruar një interes i lartë nga fermerët për aplikimin në skemat kombëtare mbështetëse.

Sipas të dhënave nga specialistët e bujqësisë, numri më i madh i aplikimeve i përket sektorit të blegtorisë, ndërsa interes të konsiderueshëm ka pasur edhe për skemat në bujqësi, ku fermerët duhet të bashkohen për të plotësuar sipërfaqen minimale prej 3 hektarësh.

“Ka pasur interes për subvencionet në të dyja bashkitë, si në Tepelenë ashtu edhe në Mallakastër. Interesi më i madh është shfaqur për blegtorinë, pasi është skema më e thjeshtë për të aplikuar. Gjithashtu, këtë vit udhëzimi ka ulur numrin minimal të krerëve për përfitim, si në blegtori ashtu edhe në bletari dhe për fermat e gjedhit. Për këtë arsye ka pasur interes të lartë dhe kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm fermerësh”, tha Fetah Hoxha, specialist bujqësie në Tepelenë.

Pranë Zyrës së Bujqësisë në Tepelenë, deri më tani janë kryer mbi 50 aplikime, ndërsa procesi vijon dhe pritet që numri i përfituesve të rritet në ditët në vijim.

Specialistët e sektorit ju bëjnë thirrje fermerëve që ende nuk kanë aplikuar të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen për të përfituar nga fondet mbështetëse dhe për të rritur kapacitetet prodhuese në bujqësi dhe blegtori pasi aplikimet mbyllen në 25 qershor 2026.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›