E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apollon Baçe: Do përgatis terrenin për reformën e trashëgimisë

I sapoemëruar për një mandat të dytë në krye të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe paralajmëron se do të punohet për një sistem centralizues në fushën e trashëgimisë. Puna e tij do të përqendrohet në përgatitjen e terrenit për zbatimin e draft-reformës së propozuar prej tij dhe Neritan Cekës

Vetëm dy ditë më parë, thuajse në heshtje të plotë, ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, ka bërë prezantimin zyrtar të Apollon Baçes si drejtor i ri i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Valter Shtylla, drejtori aktual, mbushi moshën e pensionit. Emri i Baçes kishte disa kohë që përflitej si drejtor i mundshëm i IMK-së, ndërsa ka qenë i vetmi emër i propozuar nga ministri në vend të tri emrave. Ky është mandati i dytë për të. Baçe ka drejtuar Institutin e Monumenteve në vitet 2005-2007, vit në të cilin u shkarkua nga ish-ministri Ylli Pango për dëmtime arkeologjike në qytetin e Durrësit, akuza të hedhura poshtë pas një procesi gjyqësor. Në intervistën e parë për këtë mandat të dytë, Baçe sqaron se puna e tij do të përqendrohet në vendosjen e një sistemi të ri të trashëgimisë, i propozuar në reformën që ai ka bashkëhartuar me Neritan Cekën. Specialistë të shumtë të trashëgimisë e kanë kundërshtuar këtë draft, por Baçe këmbëngul se ngërçi i sistemit aktual është mungesa e specialistëve të terrenit.

Zoti Baçe, ju sapo jeni rizgjedhur drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Në cilën pikë do ta rimerrni punën?

Më duket sikur kam qenë në një pushim të gjatë dhe jam rikthyer. Gjatë kohës që unë drejtova për dy vjet Institutin e Monumenteve kam ngritur bazën e nevojshme materiale: solla 4 laboratorë modernë që punojnë me metodat e fundit për dokumentim, u specializuan 20 vetë jashtë shtetit dhe u hap shkolla e restaurimit, në të cilën erdhën të jepnin mësim përveç pedagogëve shqiptarë edhe nga Politekniku i Milanos. U krijua baza e nevojshme që të kalohet në një sistem bashkëkohor të dokumentimit të restaurimit të monumenteve. Ky sistem do të jetë në lëvizje dhe do të fillojë të punojë.

Ju edhe mund ta kishit refuzuar këtë emërim. Pse e pranuat?

Nuk e bëra sepse isha pa punë. Deri para pak ditësh kam kryer detyrën e sekretarit shkencor për teknologjinë dhe shkencat humane në Akademinë e Shkencave. Po ashtu, nuk përfitoj as nga ana materiale, sepse jam në të njëjtin nivel page. Një proverb amerikan thotë: njeriun nga shtaza nuk e dallon vetëm intelekti por edhe respekti që ka ndaj trashëgimisë së tij. Në këtë drejtim mua më duket se ne nuk jemi akoma koshientë për pasurinë që kemi. Nëse shembet një godinë apo prishet një rrugë, ato mund të rindërtohen, por nuk mund ta bësh nga e para kalanë e Krujës, Butrintin apo Bylisin.

Ju u larguat nga Instituti i Monumenteve të Kulturës ende pa e mbaruar mandatin pas një konflikti me ish-ministrin Ylli Pango dhe akuzave që ai ngriti kundrejt jush. është mbyllur përfundimisht ajo çështje?

U largova me njëfarë akuze dhe mendoj se Kryeministri veproi në mënyrën më normale të mundshme: caktoi një ekspertizë për verifikim dhe problemi kaloi në gjykatë. çdo gjë u sqarua dhe u vërtetua që unë nuk kisha bërë veprime të paligjshme në qytetin e Durrësit, ashtu siç ishte pretenduar.

Sipas draft-reformës së sistemit të trashëgimisë, parashikohet që Instituti i Monumenteve të marrë rolin e institucionit qendror. Mendoni se ky institucion është i gatshëm t’i marrë përsipër këto kompetenca?

Ky sistem ekziston në shumë vende të tjera, që nga Tunizia, Anglia dhe Italia. Kjo reformë nuk parashikon vetëm më shumë kompetenca, por një sistem që do të kursejë personelin burokratik. Për ta sqaruar mund të marrim si shembull Vlorën. Në Drejtorinë Rajonale ka gjithsej 15-16 punonjës, nga të cilët 3-4 shefe financash. Ne do të synojmë një drejtim të centralizuar, ku të hiqen dublimet dhe personeli i panevojshëm dhe kthimin e elementit administrativo-burokratik në fuqi specialistësh.

çdo drejtues sjell edhe një platformë të vetën. Ku do të jetë e përqendruar puna juaj?

Te ne nuk ka pasur një ndarje të qartë mes konservimit dhe restaurimit. Në të kaluarën, me 1 milion euro arrihej që monumentet të ishin në gjendje shumë të mirë. Sot harxhohen 5-6 milionë euro dhe monumentet janë në gjendje shumë të keqe. Kjo vjen ngaqë sistemi nuk i ka të ndara mirë përparësitë që duhet të ketë përkujdesja në terren me procesin e restaurimit. Nëse nga çatia e një kishe bie fillimisht një tjegull e nuk e rregullon njeri, do të bien 5 të tjera në vazhdim dhe shuma që mund të kërkojë rindërtimi i kësaj çatie është shumë më e madhe nëse specialisti do ishte në terren për të rregulluar tjegullën e parë të rënë. Ne do të synojmë fort në procesin e mirëmbajtjes. Reforma parashikon që mirëmbajtja të bëhet në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Institutit, ndërsa restaurimet do të bëhen nga ndërmarrjet e specializuara me tenderime, ashtu siç është vepruar deri më tani. Do të ketë brigada lëvizëse me nga 2-3 specialistë që do të kenë kujdestarinë e vazhdueshme të monumenteve. Do t’i përmbahemi itinerareve që ndjek një rrugë nga Shkodra dhe mbaron në Gjirokastër apo Butrint dhe Via Egnatia ku janë përqendruar monumentet kryesore.

Gjatë këtyre muajve në IMK është bërë një plan me projektet e ndërhyrjes. Do të ketë rishikime të mundshme?

Ne do të përqendrohemi në thithjen e fondeve të jashtme, ashtu siç ka bërë edhe në mandatin e mëparshëm. Në sistemin e centralizimit, që pritet të krijohet me aplikimin e reformës, do të hyjmë në kontakte me pushtetin lokal për të koordinuar fondet për mirëmbajtjen e monumenteve. Kabineti Berisha ka një sensibilitet të madh ndaj trashëgimisë.

Kishit konkurrentë të tjerë për postin e drejtorit?

Unë kam titullin akademik, që është titulli më i lartë i mundshëm në vendin tonë dhe mendoj se kam pasur edhe njohuri të akumuluara prej një kohe të gjatë. Kam nisur punën që 24 vjeç në këtë Institut dhe është pak a shumë jeta ime.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›