E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack: Rama po e mban peng vendin

Europarlamentarja sulmon opozitën për qëndrimet e deritanishme dhe grevën e urisë

Edi Rama po e mban peng vendin dhe partinë që ai vetë drejton. Kjo ishte deklarata që bëri dje nga Zagrebi eurodeputetja Doris Pack në lidhje me situatën politike në vend. Sipas Pack, është e rëndësishme që brenda vetë PS-së të nisë një lëvizje, e cila t’i tregojë atij se rruga që ka zgjedhur është e gabuar. “Brenda Partisë Socialiste është e nevojshme që të fillojë një lëvizje për t’i treguar liderit të PS-së që rruga që ai ka zgjedhur nuk është ajo për të cilën vendi ka nevojë. Situata e krijuar nuk mund të zgjidhet në rrugë, por vetëm në Parlament, kjo duhet të jetë e qartë”, rekomandoi deputetja e PE-së, duke theksuar se ishte fatkeqësi që në një vend modern, kryetari i opozitës të ketë të tillë mendësi. Po kështu Pack e konsideroi si të pakuptimtë lëvizjen e opozitës, nisur nga fakti që sipas saj zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë në Shqipëri. Po kështu, eurodeputetja theksoi se protestat e opozitës po ndikojnë negativisht edhe në imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Qëndrimet e saj mbi situatën politike në Shqipëri, Pack ia ka shprehur edhe Kryeministrit Berisha, me të cilin u takuan rastësisht në Zagreb, ku kreu i qeverisë po merr pjesë në takimin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të rajonit, anëtare të BERZH-it. Pack i ka bërë të ditur Kryeministrit Sali Berisha se në Parlamentin Europian po punohet për t’i bërë disa amendime të nevojshme raportit të përgatitur nga reporteri për Shqipërinë, Nikolas Chountis, pasi në të nuk ishin reflektuar zhvillimet pozitive që vendi ka njohur gjatë viteve të fundit. Në mënyrë të përsëritur, eurodeputetja Pack u ka kërkuar forcave politike në vend që të bashkëpunojnë në Parlament dhe jo në rrugë për të zgjidhur çështjet e ndryshme politike që ka vendi. Gjatë qëndrimit të tij në Zagreb, Kryeministri Berisha zhvilloi edhe një takim me Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski. Gjatë takimit Gruevski i bëri me dije Berishës se pala maqedonase është duke punuar që së shpejti të fillohet me pjesën maqedonase të projektit të autostradës që do të lidhë të dyja vendet, pjesë e Korridorit 8, si edhe së shpejti do të nisë hartimi i projektit për pjesën maqedonase të linjës hekurudhore, që do të lidhë të dyja vendet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›