E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolon Baçe: Janë vjedhur rezervat arkeologjike nënujore

Objektet arkeologjike janë një pre e lehtë e grabitjeve, me qëllim trafikimin që ka nisur si “profesion” fill pas viteve ‘90. Edhe pas dy dekadash institucionet e kulturës që merren me trashëgiminë ende nuk kanë ngritur një sistem të fuqishëm funksional parandalues për këtë fenomen shqetësues, por ngrenë zërin duke dhënë alarmin se çdo ditë e më shumë grabitja e objekteve arkeologjike po kthehet në një fenomen të rrezikshëm. Drejtori i Institutit të Monumenteve, Apolon Baçe, e cilëson situatën alarmante, ku problemi më i madh aktualisht, sipas tij, janë zhytësit nënujorë të bregdetit shqiptar, të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë vjedhur gjithë rezervat arkeologjike nënujore. “Problemi më i madh qëndron te zhytësit nënujorë, të cilët hyjë e dalin në det, për të gjetur sende e objekte me vlerë. Pasi i gjejnë ato, ata i shesin në tregun e zi me një çmim fare të ulët nga ai që ato vlejnë në të vërtetë. Në shumë raste objektet me vlera të mëdha arkeologjike dhe kulturore kanë përfunduar edhe në duart e shtetasve të huaj, siç ishte edhe rasti i fundit që një italian u kap në portin e Durrësit me dy amfora. Por ky nuk është i vetmi rast. Rreziku më i madh i kësaj është se ato dalin nga territori shqiptar dhe përfundojnë jashtë kufijve dhe gjetja apo rikthimi i tyre bëhet i pamundur” - deklaroi drejtori Apollon Baçe në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, e cila e gjeti në qytetin e Durrësit. Ai problemin nuk e sheh vetëm te mungesa e një strukture për ruajtjen e tyre, por dhe te sistemi i drejtësisë, ku, sipas tij, ka shumë raste që grabitësit i shpëtojnë ndëshkimit. Teksa akuzon për neglizhencë strukturat e gjyqësorit, Baçe ndalet edhe në rastin më flagrant, atë të Korçës, ku grabitësin u ndaluan nga policia, por u lanë të lirë nga gjykata. “Në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave, është hequr edhe rrjeti i kujdestarëve të pasurive kulturore e arkeologjike, duke i lënë ato në mëshirë të fatit. Një përgjegjësi shumë të madhe në vjedhjen e vlerave arkeologjike dhe historike kanë edhe strukturat e gjykatës, pasi janë ato që nuk japin dënimin maksimal për vjedhësit e tyre. Siç është edhe rasti i fundit ai i Korçës ku grabitësit u lanë të lirë nga gjykata e këtij rrethi. Prandaj bëj thirrje në këtë ditë që të gjithë së bashku të marrim masa dhe të ruajmë me çdo kusht vlerat arkeologjike të vendit tonë,” shprehet Bace. Sipas statistikave, që pas viteve ’90 rezultojnë mbi 2 mijë objekte të trashëgimisë kulturore të humbura. Nga këto, 280 janë objekte arkeologjike, ndërsa 57 objekte janë grabitur nga Muzeu Arkeologjik i Durrësi, kryesisht amfora, togëza, kanë, terakota, skulptura guri gëlqeror, mermeri etj. Vjedhja më e fundit është regjistruar në pasurinë arkeologjike të qytetit të Durrësit, ku një shtetas italian u përpoq të kalojë në Itali dy amfora 2-mijëvjeçare.

Pas 23 vjetësh kalaja e Vlorës i nënshtrohet restaurimit

Po në kuadër të 29 shtatorit, Ditës së Trashëgimisë në Vlorë, është prezantuar projekti Aulona, i cili parashikon restaurimin e mureve të vjetër të kalasë së Vlorës, në të cilat nuk ishte ndërhyrë qysh prej vitit 1988. Ky projekt synon të kthejë “kohën” mbrapsht në muret e kalasë, ku sipas Prof. dr. Luan Përzhita, arkeolog pranë Institutit të Arkeologjisë, në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ndërtimet në kala fillojnë nga shekulli IV, ku shihet kulla drejtkëndore, e më pas, sipas periudhave historike, ka ndërtime që i përkasin shek. VI, XI e XIV. “Ky projekt është një ristartim i punës aty ku u la 23 vjet më parë, sepse në vitet ’86-’88 në këtë zonë vetëm janë bërë kërkime arkeologjike dhe konservime. Aktualisht specialistët po merren me punime të rëndësishme që kanë të bëjnë me nxjerrjen dhe evidentimin e gjithë strukturave ndërtimore. Kjo është një kala tek e cila Aulona, ose Vlora e sotme, ka qenë e ngritur brenda mureve të saj. Më vonë kemi një rindërtim që lidhet me shekullin VI, dhe vijojnë të tjera ndërtime që kanë ardhur sipas kohërave. P.sh. në shekullin XI janë ndërtuar puset, dhe më vonë në brendësi të kalasë ka patur edhe ndërtime të periudhës Bizantine”- tha Përzhita.

Dosja e “Eposit të Kreshnikëve” në mars në UNESCO

Që prej 10 vjetësh 29 shtatori i kushtohet trashëgimisë kulturore. Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore “festohet” me një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin. E në kuadër zyrtarisht u publikua se dosja për përfshirjen në trashëgiminë shpirtërore të UNESCO-s të “Eposit të Kreshnikëve” do t’i dorëzohet institucionit ndërkombëtar në mbrojtje të trashëgimisë në muajin mars të vitit të ardhshëm. Një fakt i tillë është pohuar nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, në “takimin” e tij me shtypin me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë, ditë në të cilin u zhvilluan aktivitete në gjithë Shqipërinë. Ministri bëri një prezantim të punës së bërë për përgatitjen e dosjes për përfshirjen e “Eposit të Kreshnikëve” në listën e trashëgimisë kulturore shpirtërore të UNESCO-s. “Jo me më pak rëndësi në këtë ditë feste, është edhe fakti se puna për përfshirjen në listën e trashëgimisë kulturore shpirtërore të UNESCO-s në nevojë për mbrojtje urgjente të homofonisë legjendare shqiptare të kënduar dhe shoqëruar me lahutë – “Eposi i Kreshnikëve” sikurse njihet nga opinioni publik, po vijon me ritëm të lartë. Ne synojmë që brenda marsit 2012 të dorëzojmë në UNESCO këtë dosje teknike, ndërkohë që po punohet për pasurimin e saj me fotografi, dokumentarë dhe informacione shkencore”. Gjithashtu Bumçi deklaroi se është rritur numri i vizitorëve në vend dhe gjatë 8 muajve të parë të 2011-s ai ka arritur në 256 mijë. Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore festohet prej më shumë se dhjetë vitesh në datën 29 shtator. Kjo ditë shoqërohet me një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin, të organizuara nga institucionet e trashëgimisë, si ekspozita, mini panaire, festivale etj. Në sajë të iniciativës së MTKRS-së, të gjitha muzetë dhe parqet arkeologjikë kombëtare, por edhe monumentet e vizitueshme në të gjithë territorin e vendit, do të jenë të hapur falas për publikun.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›