E Shtunë, 31 Tetor 2026

Funerali, përcillet për në banesën e fundit Arjan Selimi

Në varrim vetëm familjarë dhe miq të ngushtë, pjesa tjetër “të stepur” nga kamerat dhe forcat e shumta të policisë që ndoqën ceremoninë

Pak njerëz, por shumë lot, dje ndërsa të afërmit përcollën në banesën e fundit Arjan Selimin (Armand Andoni) të vrarë 4 ditë më parë në afërsi të shtëpisë së tij në Tiranë. Ceremonia mortore nisi në orën 10:00 të paradites së djeshme, kur familjarët dhe miqtë e paktë të Arian Selimit e kanë përshëndetur atë për herë të fundit. Lamtumirë të fejuarit të saj i dha edhe artistja dhe regjisorja e njohur Inis Gjoni, e cila dje për herë të parë pas vdekjes së të fejuarit të saj Arjan Selimi doli nga shtëpia. E shoqëruar nga motra e saj e vogël këngëtarja Ingrid Gjoni, motra e madhe Ilda, nëna e saj dhe mjaft familjarë, Inisi i ka dhënë lamtumirën njeriut të saj të dashur, prej të cilit pret edhe një vajzë që do të lindë në muajin janar.

Ka qenë një ceremoni e shkurtër, me një fjalë biblike nga një prift katolik, i cili ka lexuar edhe disa rreshta nga “Ungjilli sipas Gjonit”, kërkesë e bërë kjo paraprakisht nga Inisi. “Do të doja të lexoja disa fjalë nga Ungjilli sipas Gjonit me kërkesë të nuses së Andonit”, është shprehur prifti dhe më tej ka lexuar pjesën ku Jezusi flet për parajsën, në të cilën kanë vend të gjithë…

Pas meshës kurorat dhe tufat me lule kanë mbuluar varrin e ri, të 37-vjeçarit Arian Selimi, që mbeti i vrarë në një atentat, për të cilin ende nuk ka autorë. Ajo që ka rënë në sy në këtë ceremoni mortore ka qenë numri i paktë i njerëzve. Më së shumti kanë qenë familjarët dhe miqtë e Inis Gjonit, të afërmit e Arianit dhe pak shokë të tij. Prezenca e medias apo edhe punonjësve të rendit në këtë ceremoni mortore ka stepur mjaft njerëz për të qenë të pranishëm në përcjelljen e fundit të Arjan Selimit.

Nëna e Arianit e ka pasur mjaft të vështirë varrimin e të birit. Ajo është larguar e para nga ceremonia, duke mos e përballuar dot takimin me njerëzit. Pas saj janë larguar dhe dajat dhe motra e Arianit, ndërsa e fejuara, Inisi, ka qëndruar për të takuar këdo që kishte ardhur në ceremoni.

Nëna e Armando Andonit: E ndieja që diçka kishte ndodhur

Luçia Andoni, nëna e Armando Andonit, ndërsa qëndronte në kokën e të birit, para se të shkonin në ceremoninë mortore, tregonte copëza kujtimesh nga ajo ditë e trishtë kur mori vesh lajmin e hidhur për humbjen e të birit. “E kam ndjerë prezencën e tij si një siluetë, aromën e parfumit të tij, sikur më kalonte përpara kompjuterit”, ka treguar ajo, ndërkohë që si asnjëherë atë ditë (kur ndodhi vrasja) nuk kishte aspak dëshirë që të shkonte në shtëpi. Bashkëshorti i saj, babai i Arianit ndërkaq e kishte marrë vesh lajmin nga televizori. Pa kaluar pak, e telefonon motra e madhe e Inisit për t’i treguar se çfarë kishte ngjarë. I ka treguar se e dinte tashmë dhe po priste bashkëshorten, Luçien, të kthehej nga puna për t’i thënë asaj. Por Luçia thotë se vetëm në shtëpi nuk donte të shkonte atë pasdite. Si kurrë ndonjëherë këmbët nuk i bënin të largohej për në shtëpi. I shoqi e ka marrë disa herë në telefon pasi po vonohej, por ajo i kishte thënë se do të vonohej pak, pasi do të hidhte një sy nëpër dyqane. Më tej, vëllezërit e saj i kanë thënë në telefon që të shkonte në shtëpi. Diçka kishte ndodhur. Luçia e ndjente. Sapo hyn në shtëpi, e kupton nga vështrimi i të shoqit që ajo më e tmerrshmja kishte ndodhur. “Mos më thuaj asnjë gjë”, i kishte thënë atij, ndërsa babai i Arianit i është përgjigjur se “Ti je nënë, e kupton”. Lotët më tej kanë marrë rrugën e tyre. Do të vijojë të rrijë edhe pak ditë në Tiranë, së bashku me vajzën e saj të vetme dhe vëllezërit. Për t’u kthyer më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, larg vendit të saj dhe trupit të të birit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›