Laçi bën gjëmën në Peqin, 5 gola Shkumbinit
Pas ndeshjes është dorëhequr dhe trajneri i Shkumbinit, Përparim Daiu
Laçi ka bërë një nga ato ndeshjet monumentale për të arritur të dalë kryelartë nga një fushë si ajo e Peqinit, ku Shkumbini aty është si Anteu, thuajse i pathyeshëm. Thuajse, sepse dje djemtë e Stavri Nicës kanë arritur të shënojnë plot 5 gola dhe, për të gjetur një goleadë të tillë në Peqin, duhet të shkojmë në kohën kur skuadra militonte në divizionet e ulëta, sepse që prej vitit 1994, që përkon me ngjitjen e skuadrës bardhekaltër në superligë, një rezultat i tillë nuk është regjistruar kurrë. Një goleadë me një rezultat të befasuar, që nuk e kishte parashikuar askush. Shkumbini, që nuk është larg zonës së ftohtë, është mundur thellë në fushën e vet, aty ku çdo ekip e ka të vështirë të dalë me pikë. Dhe ka qenë pikërisht Laçi, ekipi që i ka bërë “gjëmën” peqinasve, duke i shënuar pesë gola Shkumbinit si rrallë ndonjëherë. Ndeshja nisi krejt normalisht me Shkumbinin, që kaloi fillimisht në avantazh në minutën e 12-të. Dervishi fiton një 11-metërsh, që transformohet në gol nga Kuli. U duk se peqinasit do të merrnin një fitore komode, por në minutat e fundit të pjesë së parë, nis kthesa e madhe. Në minutën e 37-të është Dragiçeviç, që barazon shifrat pas një aksioni personal, duke vënë në gjumë mbrojtësit vendas dhe dërgon topin në rrjetë. Vetëm dy minuta më pas, është sërish Dragiçeviç, ai që përmbys gjithçka dhe kalon laçianët në avantazh, pas një kombinimi me kolegun e sulmit Selimi. Peqinaset duken të gjunjëzuar, ndërsa tifozët kontestojnë. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-2. Me fillimin e pjesës së dytë vjen edhe goditja e radhës nga Laçi. Këtë herë është Selimi që gjen golin, në minutën e 48-të, pasi shfrytëzon edhe mefshtësinë e mbrojtjes peqinase. Shkumbini e humb toruan dhe laçianët përfitojnë në maksimum. Në minutën e 54-të vjen edhe goli i 4-1, me Dragiçeviçin. Peqinasit shkurtuan diferencën e golave në 4-2, në minutën e 67’, falë sulmuesit boshnjak Gërboviç, por Laçi arriti të shënojë edhe golin e pestë në minutën e 76-të, falë sulmuesit Vilfor Hysa. Gol që fikson rezultatin përfundimtar në 2-5. Ndërkohë, Përparim Daiu ka dhënë dorëheqjen si trajneri i Shkumbinit, menjëherë pas humbjes 5-2 me Laçin. Kjo ishte humbja e dytë rresht e Shkumbinit në kampionat, pas asaj me Dinamon në “Qemal Stafa”, po me rezultat të thellë, 4-1. Shkumbini, pak ditë më parë u eliminua edhe nga Kupa e Shqipërisë, duke pasur tani si objektiv mbijetesën në Superligë. Kavajasi Daiu, i cili drejtonte skuadrën peqinase nga java e 15-të, ishte trajneri i tretë sezon i Shkumbinit, pas Mirel Josës (javët 1-2) dhe Agim Canajt (3-14). Kur kanë mbetur edhe nëntë javë nga përfundimi i sezonit 2010-2011, Shkumbini renditet në vendin e 7-të me 29 pikë (dhe një golavarazh -8 gola). Trajneri i ri i Shkumbinit do të përballet në javën e 25-të me Tiranën në kryeqytet. Nga 12 ekipe që ka Superliga, tetë prej tyre i kanë ndryshuar trajnerët me të cilët nisën sezonin: Shkumbini (3 herë), Besa (2), Tirana (2), Elbasani (2), Dinamo (2), Vllaznia (1), Bylisi (1) dhe Skënderbeu (1). Vetëm Flamurtari, Laçi, Teuta dhe Kastrioti nuk i kanë ndryshuar trajnerët. Superliga do të vijojë sot me katër ndeshje të tjera mjaft të rëndësishme për renditjen. Skënderbeu, që gjendet i dyti në renditje, 4 pikë pas Flamurtarit kryesues, do të luajë në transfertë ndaj Besës që lufton për mbijetesë. Transfertë të vështirë e pret edhe Tiranën në Krujë ndaj Kastriotit vendas, e po ashtu ndeshje të vështirë do të ketë edhe Vllaznia e Shkodrës në Durrës ndaj Teutës. Ndërsa në kryeqytet do të përballen Dinamo dhe Elbasani i vendit të fundit. Të dielën zbret në fushë Flamurtari kryesues, që do të duhet të luajë në transfertën e vështirë të Ballshit, ndaj Bylisit vendas, që së fundmi ka larguar edhe trajnerin maqedonas Nikolla Ilievski.