E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia shton kureshtjen dhe numrin e turistëve të huaj

FIER- Gjatë muajit korrik numri i turistëve që kanë vizituar qytetin antik të Apolonisë, 12 km larg qytetit të Fierit u rrit me 15%, duke shënuar edhe numrin më të lartë të vizitorëve në dekadën e fundit (rreth 2700 turistë).

Apolonia antike është një destinacion i preferuar turistik për vizitorët vendas e të huaj. Çdo ditë e më tepër numri i turistëve që kanë vendosur "Apoloninë" në axhendën e tyre rritet ndjeshëm. Tashmë harta gjeografike e vizitorëve i kalon kufijtë e Ballkanit dhe Europës". Kureshtja për vlerat antike të Apolonisë ka ngërthyer edhe turistë nga Azia dhe Amerika.

"Mirëmenaxhimi i situatës dhe zgjerimi i zonës së vizitueshme ka shtuar numrin e vizitorëve," tha Drejtori i Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, Marin Haxhimihali.

Në vijim të prezantimit të programit të masave dhe faktorëve që kanë ndikuar në rritjen e numrit të vizitorëve në Apoloni, Haxhimihali përmend një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore me sinjalistikën dhe promocionin.

"Përsosja e rrjetit të sinjalistikës dhe të shtigjeve turistike, pastrimi i përgjithshëm i territorit me mjete të specializuara duke evakuar mbeturinat e grumbulluara prej vitesh, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe përsosja e shkallës promocionale, e kanë bërë qytetin antik vitrinën turistike në qarkun e Fierit", thekson Haxhimihali.

Sipas tij, tashmë mes Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë dhe agjenCive të ndryshme turistike janë vendosur kontakte bashkëpunimi dhe ka një kalendar të përbashkët veprimi.
"Është shtuar personeli me një ciceron, ndërkohë që është organizuar sistemi i dezhurnit, duke mundësuar praninë e personelit në çdo orar dhe në fundjavë", u shpreh Haxhimihali.

Apolonia, u zbulua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Por, gjurmët e para të pranisë së tyre në këtë vend datojnë në vitin 588. Gjatë viteve të para të ekzistencës së saj, Apollonia ruajti kontaktet me Korintin dhe Korkyrën, si dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.

Qyteti antik i Apolonisë është shpallur Park Arkeologjik kombëtar në vitin 2006. Në muajin gusht të vitit të kaluar në këtë park gjatë një ekspedite të përbashkët shqiptaro-franceze u zbulua busti i një mashkulli të zhveshur . Ky bust u gjend gjatë gërmimeve në një kanal që lidhte vilat romake të shekullit të III pas Krishtit në Apoloni.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›