Apolonia shuan shpresat e PartizanitE vetmja kënaqësi “estetike” e Partizanit ndaj Apolonisë janë statistikat e përballjeve historike, ku në 58 ndeshje “demat” kanë fituar 37 herë, kundrejt 9 fitore të fierakëve (12 barazime). Fitorja e f

Mbrojtësi 19-vjeçar i Partizanit, Renato Mallota shënoi pas vetëm 100 sekondash lojë pas asistit të Elis Bakajt, duke bërë të heshte stadiumi “Loni Papuçiu’, por Apolonia u kundërpërgjigj kundër një Partizani që e mbylli me dhjetë lojtarë me tre gola në fitoren 3-1 të fierakëve në ndeshjen hapëse të javës së 16-të, çka krijoi një diferencë prej pesë pikësh me të kuqtë, që dhe pas kësaj jave rinë të “ngulur fort” në vendin e fundit.
Sulmuesi me përvojë Mladen Bërkiç barazoi shifrat në minutën e 20, duke sjellë edhe qetësi në bankinën fierake e rritur në maksimum adrenalinën në një “Loni Papuçiu” tërësisht të lirë për tifozët.
Kapiteni bardhejeshil Klodian Asllani – lojtari që i dhuroi Apolonisë edhe fitoren në fazën e parë në kryeqytet – shënoi golin e dytë pas pesëmbëdhjetë minutave lojë të pjesës së dytë, duke entuziazmuar trajnerin boshnjako-serb Esad Karishik, por dhe pjesën tjetër të lojtarëve për shpërblimin me një premio prej 50 mijë lekësh për fitore.
Në minutën e 71-të, Partizani, që ka “shijuar” disa herë mbetjen me dhjetë lojtarë gjatë këtij sezoni, do të mbetej pa portierin Orges Shehi. Kapiteni i “demave” frenoi në mënyrë të parregullt një lojtar fierak, dhe gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku, duke qenë se ish-futbollisti i Teutës ishte lojtari i fundit në rreshtimin e skuadrës së Shpëtim Duros e ndëshkoi me karton të kuq.
Trajneri i Partizanit kreu një zëvendësim të detyruar, duke hedhur në fushë portierin zëvendësues 19-vjeçarin Dashamir Xhika. Apolonia ngulmoi për të shënuar golin e tretë, atë të sigurisë, që e gjeti me anë të Arbër Dhramit në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë e që vulosi përfundimisht rezultatin 3-1 dhe humbjen e dytë sezonale të Partizanit ndaj Apolonisë, pas asaj në Tiranë (0-1).
Partizani është ende në kërkim të fitores, që i mungon prej 15 javësh, qysh kur fitoi në Lushnjë me rezultatin e ngushtë 1-0, dhe humbja në Fier me Apoloninë, duket se i dha fund ecurisë shpresëdhënëse të të kuqve. Tashmë në kuotën e 10 pikëve, dy më pak se Lushnja e vendit të 11-të, situata te Partizani nuk është aspak e qetë kur kanë mbetur edhe 17 javë për t’u luajtur.
E vetmja kënaqësi “estetike” e Partizanit ndaj Apolonisë janë statistikat e përballjeve historike, ku në 58 ndeshje “demat” kanë fituar 37 herë, kundrejt 9 fitore të fierakëve (12 barazime). Fitorja e fundit e Partizanit daton, më 21 prill 2007.
Partizani do të presë në ndeshjen e fundit të këtij viti, përpara ndërprerjes së kampionatit, Flamurtarin. Apolonia nga ana e saj do të përballet me Teutën, që nga ana e saj humbi të shtunën 0-1 në “Niko Dovana” me Besën.
E Shtune, 20 Dhjetor 2008