E Hënë, 2 Nëntor 2026

Apolonia turistike, pjesë e guidave për nxënësit e Kosovës

Apolonia, qyteti antik i Ilirisë, është një nga parqet arkeologjike më të vizituara në vendin tonë. Të shumtë janë vizitorët vendas dhe të huaj që e përfshijnë atë në itinerarin e tyre kur vizitojnë Shqipërinë. Ky itinerar tashmë është pjesë e paketave turistike.

Nga Kosova vijnë rregullisht nxënës të shkollave, të cilët njihen me vlerat historike të këtij parku.

“Jemi nga shkolla fillore “Refat Mziu” nga Skënderaj. Është hera e parë që vijmë. Kënaqësi e veçantë që ndodhemi në vatër të kulturës së lashtë ilire”, tha mësuesi.

Një nga drejtuesit e guidave pohon se Apolonia mbetet një nga pikat më atraktive të paketave turistike në trekëndëshin Gjirokastër–Apoloni–Berat, apo Ardenicë–Apoloni–Berat.

“Janë shitur shumë paketa turistike dyjavore që fillojnë nga juglindja e Shqipërisë, vazhdojnë në jug, jugperëndim dhe më pas në pjesën e Shqipërisë së Mesme. Të gjitha këto janë itinerare standarde. Duke qenë se përveç vendeve të përfshira në UNESCO, përfshijmë edhe disa vende me arkeologji të rëndësishme si Apolonia, këto vende janë bërë atraksione me rëndësi të veçantë”, tha Denis Agolli në rolin e guidës.

Apolonia është një ndër qytetet antike më të mëdha në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera me të njëjtin emër në kohët antike. Ajo ka vlera të mëdha historike dhe kulturore.

Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen rrënojat e murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›