Apoteoza për merituesin e votës
Të votosh nuk është vetëm një e drejtë, por mbi të gjitha, një detyrim. Kush nuk voton praktikisht mund të quhet i vdekur, pasi jo vetëm nuk vë në jetë një nga të drejtat themeltare që gëzon, por njëkohësisht bëhet subjekt i vullnetit të të tjerëve, nuk merr pjesë në jetën vendim-marrëse shoqërore.
Por vota në shoqërinë shqiptare ka një problem ekzistencial. Është një subjekt ndaj të cilit ekzistojnë presione të panumërta dhe shpeshherë nuk i jepet vlera nominale që meriton. Pjesë thelbësore e këtij problemi është manipulimi i saj.
Proceset zgjedhore të viteve të fundit kanë treguar se ajo jo vetëm mund të nëpërkëmbet, por mund edhe të deformohet në trajtat më ireale të mundshme. Kjo krijon një krizë besimi tek votuesi, i cili domosdoshmërisht ndihet i poshtëruar. Natyrisht, nuk krijon vetëm një krizë besimi tek votuesi aktual, por mbi të gjitha tek votuesi i së nesërmes. Kushedi sa fëmijë adoleshentë kanë ndjerë frustrimin e prindërve të tyre në lidhje me mosrespektimin e të drejtës së tyre zgjedhore apo vetzgjedhëse. Kjo krijon një gjendje të rënduar psikologjike tek raporti i tyre me të ardhmen e tyre si votues.
Problemi shtrihet edhe më gjerë. Në një vijë kronologjike më të afërt, zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 duhet të ishin një dilemë intriguese për mjaft të rinj të cilët për kufizimet moshore, e kanë për herë të parë marrjen pjesë në procesin e votimit. Fatkeqësisht ato nuk përbëjnë një dilemë intriguese, por thjesht një kokëçarje të pavlerë. Këta të rinj i presin me indiferencë këto zgjedhje sepse nuk shikojnë tek ato mundësi përmirësimi të jetës. Dhe kjo nuk vjen si pasojë e mentalitetit të tyre fatalist, por vjen si pasojë e marrëdhënies që politika ka krijuar me realitetin dhe ata.
Ata përballen me një retorikë gati-gati të sëmurë politike. Ekziston një tendencë e pashëruar ende gjatë këtyre njëzet e kusur vjetëve të tranzicionit për të dalë gjithmonë nga aspekti profesional politik dhe për të përfunduar në argumente banalë, ofendime personale, kërcënime dhe insinuata nga më të larmishmet.
Demagogjia gjithëpërfshirëse është një tjetër simptomë e degjeneruar e politikës shqiptare, e cila kalon dhe skajet më të paimagjinueshme. Produkt i pashmangshëm i saj është fillimisht iluzionimi, për të përfunduar më pas me zhgënjim, ku padyshim më të ndjeshmit janë pikërisht këta të rinj, të cilët për nga aspiratat janë më afër perëndimit se kushdo tjetër, ndërsa për nga realiteti therës janë po aq larg sa dhe të tjerët.
Disa skeptikë do të thonë se ky është një ekzagjerim, se shumë nga këta të rinj do jenë duke iu afruar qendrave të votimit në zgjedhjet e ardhshme. Kjo mund të jetë e vërtetë. Jo të gjithë do të tërhiqen nga zhgënjimet dhe disa prej tyre do iu drejtohen realisht qendrave të votimit. Por në momentin kur do jenë përballë fletës së votimit, afër kurorëzimit të të drejtës së tyre, ata përsëri do jenë pre e dilemave të panumërta.
A vallë ndonjë nga subjektet politike që rreshtohen aty është përfaqësuese e denjë e interesave, idealeve dhe aspiratave të ardhshme të tyre? Përgjigja duhet analizuar shkallë-shkallë.
A mund të jetë vallë përfaqësuesja e tyre partia që aktualisht është në pushtet, e konsumuar nga pushteti dhe e akuzuar për gjithfarë aferash korruptive që rëndojnë në kurriz të interesave të tyre? Apo mund të jetë përfaqësuese partia më e madhe opozitare, e cila është në faj për paaftësinë e treguar në mbrojtjen e interesave të tyre ndaj makutërisë së pushtetit? Apo mund të jetë përfaqësuese partia e majtë që papritur bëri koalicion me të djathtët, por që herë pas here flirton prapë për t'u kthyer majtas? Ndoshta zgjidhja më e mirë do ishte një nga partitë e sapo-krijuara. Ndoshta do të ishte më e udhës të votohej partia që proklamon një utopizëm nacionalist? Apo ndoshta një nga partitë e vogla që as e merr mundimin të paraqesë platformë elektorale dhe e bazon elektoratin vetëm tek miqtë dhe familjarët?
Në këtë realitet shqiptar që lëngon, dëshirat dhe shpresat e këtyre të rinjve, por dhe e gjithë shqiptarëve në tërësi mbeten të tilla, sepse pragmaticiteti i partive politike mbetet brenda një qarku meskin dhe aferash individualiste. Dhe këta të rinj ndoshta e hedhin vërtet votën, por do e hedhin kot, pa bindje, symbyllurazi. Mund ta hedhin thjesht për efekt të inercisë. Por edhe mund të mos ta hedhin fare. Dhe nëse kjo situatë vazhdon, në zgjedhjet e tjera e njëjta situatë mund të ndodhë edhe me brezin tjetër që do votojë për herë të parë. Dhe shoqëria shqiptare do bëhet një shoqëri gjithmonë e më shumë e deziluzionuar. E ardhmja nuk do jetë më rezultat i zgjedhjes që demokracia në vetvete të lejon të bësh, por do jetë fatalitet. Dhe duke refuzuar votimin, jo për zgjedhjen personale, por për faj të politikës që nuk reflekton asnjë shpresë, atëherë kjo politikë do e çojë shoqërinë shqiptare gjithmonë e më shumë drejt një shoqërie që nuk beson tek vota e saj, drejt një shoqërie të vdekur.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)