Shqipëria kandidat potencial për integrimin në BE
Fjala e Presidentit Nishani në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Strasburg, më 4 tetor 2012
I nderuar zoti President i Asamblesë Parlamentare, Jean Claude Mignon,
I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm, Thǿrbjorn Jagland,
Të nderuar anëtarë të Asamblesë Parlamentare,
Zonja dhe zotërinj!
Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën tuaj, për t`iu drejtuar këtij sesioni të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një organizatë e bazuar në vlera universale, sikurse janë të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës! Këshilli i Evropës ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e unitetit në hapësirën evropiane, bazuar në këto vlera, duke lehtësuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Është privilegj dhe kënaqësi e veçantë për mua, gjithashtu, të ndodhem sot këtu, në Pallatin e Evropës, duke përfaqësuar Presidencën e parë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Një nga demokracitë më të reja evropiane pason, në këtë presidencë, demokracinë më të vjetër të kontinentit, atë britanike.
Përfitoj nga rasti për të falënderuar përzemërsisht Presidentin Mignon për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore që më është rezervuar mua dhe delegacionit shqiptar gjatë qëndrimit tonë në Strasburg!
Më lejoni gjithashtu, të shpreh konsideratën dhe vlerësimin tim të veçantë për Sekretarin e Përgjithshëm Jagland, për kontributin e shkëlqyer që ai dhe ekipi i tij kanë dhënë në reformimin e Këshillit të Evropës, me synim shndërrimin e kësaj organizate në një aktor të fuqishëm politik dhe rritjen e vizibilitetit të saj përtej kufijve të hapësirës evropiane!
Zoti President,
Në fazën fillestare të periudhës tranzitore, Shqipëria, e dalë nga diktatura më e fortë në kontinent dhe izolimi i plotë, kishte nevojë të ngutshme për institucione të vërteta demokratike dhe për një kuadër ligjor evropian, ku do të mbështeste themelet e shtetit të ri të së drejtës dhe ekonomisë së lirë të tregut. Për këtë arsye, në fillim të viteve ’90-të u vendosën kontaktet e para me institucionet politike evropiane si: Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si edhe një sërë institucionesh financiare: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në këtë kuadër, komunikimi me Këshillin e Evropës dhe institucionet e tij ishte më intensivi dhe më i nevojshmi për demokracinë e brishtë shqiptare, që hidhte hapat e para të saj. Nuk e kemi konsideruar anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës si një objektiv në vetvete, por si një instrument të domosdoshëm për të konsoliduar institucionet demokratike të shtetit të së drejtës në shërbim të qytetarëve dhe aspiratës sonë evropiane.
Në vitin 1995, Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta të plota. Ishte ky një moment inkurajues për demokracinë e re shqiptare dhe një hap shumë i rëndësishëm në konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës.
Periudha gjashtëmujore 23 maj – 9 nëntor 2012 shënon një kulm tjetër në historinë njëzetvjeçare të bashkëpunimit tonë. Shqipëria për herë të parë, kryeson Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Gjatë këtyre dy dekadave, Shqipëria dhe shoqëria shqiptare pësuan transformimin më të thellë, më të gjerë dhe më intensiv në historinë mijëravjeçare të kombit të vjetër shqiptar. Vendi i rekordeve në shkeljen e lirive të njeriut është sot në timonin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, këtij tempulli evropian të të drejtave të njeriut. Shqipëria, e njohur për armiqësinë e saj fanatike ndaj Perëndimit, është sot anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe, aktualisht, ndihmon me trupa për paqen në Afganistan e gjetkë. Ajo, nga konsumatore e dikurshme është shndërruar kështu në kontributore për sigurinë e këtyre vendeve, të rajonit e vendeve demokratike. Dikur, një vend tërësisht i izoluar, tashmë pret me besim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, bazuar në meritë, ndërsa qytetarët shqiptarë, lëvizin të lirë, pa viza në Evropë.
Dikur, nga një vend me një ekonomi thellësisht autokratike është shndërruar sot në një ekonomi tërësisht dinamike të tregut të lirë. Sot, vendi im përballon suksesshëm ndikimin e krizës globale ekonomike dhe financiare, duke shfaqur një rritje pozitive ekonomike dhe financiare, rrjedhojë e politikave të matura makro-ekonomike, reformave të mirëstrukturuara, liberalizimit të tregtisë, klimës së sipërmarrjes dhe një sërë reformash të tjera të guximshme të ndërmarra në këtë sektor.
Gjatë viteve 2007-2012, rritja mesatare ekonomike e Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë 5%. Raporti i Konkurrencës Globale 2011-2012 i Forumit Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë në vendin e 78 mes 142 vendesh dhe ekonomish. Po ashtu, Raporti “Të bërit biznes, 2012” i Bankës Botërore mbi “Lehtësinë e të bërit biznes” e rendit Shqipërinë në vendin e 82 në mes të 183 ekonomive. “Për marrjen e kredisë” dhe “Mbrojtjen e konsumatorëve” Shqipëria renditet respektivisht në vendin e 24 dhe në atë të 16, renditje që e vendos Shqipërinë në mes të vendeve me rezultatet më të larta.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se, ajo që pritet nga autoritetet shqiptare është rritja e nivelit të standardeve, dhe jemi tërësisht të angazhuar për përmirësimin e vazhdueshëm të tyre, për t’u integruar denjësisht në familjen evropiane.
Këto hapa të konkretizuara po realizojnë një ëndërr të përjetshme evropiane të shqiptarëve, një aspiratë që vuri në lëvizje masat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët mbushën rrugët dhe sheshet me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Kjo moto frymëzoi shqiptarët në betejën e tyre finale kundër diktaturës së fundit në Evropë.
Shqipëria po feston 100-vjetorin e pavarësisë së saj. Të shumta kanë qenë përpjekjet e kombit shqiptar për të ruajtur ekzistencën e tij kundër copëtimeve, spastrimeve etnike dhe pushtimeve të ndryshme. Por sot, festojmë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, që ka ditur të shfrytëzojë vlerat e lirisë me arritje konkrete. Presidenca e Komitetit të Ministrave është qershia në tortën e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit tim.

Që nga momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, kjo organizatë dhe institucionet e saj kanë dhënë një kontribut të çmuar në procesin e konsolidimit të reformave demokratike. Veçanërisht, Shqipëria ka përfituar nga ekspertiza dhe bashkëpunimi me Këshillin e Evropës në fusha të tilla si:
-Reforma kushtetuese, nëpërmjet bashkëpunimit me Komisionin e Venecias;
-Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike sipas standardeve evropiane;
-Vendosja dhe konsolidimi i një sistemi gjyqësor efikas dhe të pavarur;
-Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshëm (hartimi i një strategjie antikorrupsion 2007-2013);
-Rritja e kulturës demokratike; e të tjera reforma.
Sot, Shqipëria është kandidat potencial për anëtarësim në BE dhe në këtë kontekst, Këshilli i Evropës luan një rol të rëndësishëm si vektor i politikës evropiane në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në forcimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Suksesi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë padyshim, edhe me bashkëpunimin e frytshëm me Këshillin e Evropës.
Nga ana tjetër, Presidenca shqiptare e Komitetit të Ministrave të Këshilli i Evropës na jep një shans të madh për të dhënë kontributin tonë në këto fusha, duke çuar përpara arritjet e kryesive paraardhëse, si dhe duke kontribuar me vlerat më të mira të vendit tonë. Me politikën e saj të matur dhe të moderuar, Shqipëria luan një rol stabilizues në rajon. Ndonëse një komb i vogël, Shqipëria mund të japë një mesazh të madh. Toleranca dhe harmonia fetare, një veçori unike shqiptare, është një model i bashkëjetesës në diversitet. Sakrifica e shqiptarëve, shpeshherë shumë përtej mundësive dhe kapaciteteve të tyre, për të mbrojtur hebrenjtë që kërcënoheshin nga rreziku i zhdukjes, është një shembull eklatant se si një komb i vogël, por me zemër të madhe, mund të bëjë diferencën.
Të gjithë ne e kemi të qartë se diversiteti është “destiny of Europe”, duke qenë se shumëllojshmëria etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore ka karakterizuar gjithmonë shoqëritë evropiane. Themeluesit e Evropës së Bashkuar kanë parë në të një forcë dhe avantazh për kontinentin tonë. Presidenca shqiptare ka bindjen që Këshilli i Evropës, me të gjitha njohuritë dhe përvojën që disponon, është një organizatë ndërkombëtare e përshtatshme për promovimin e shoqërive demokratike, që respektojnë diversitetin dhe bashkëjetesën e lirë paqësore.
Për këtë qëllim, presidenca shqiptare do të organizojë në Tiranë, një Konferencë të nivelit të lartë me temë: “Diversiteti në Evropë: një forcë për të ardhmen”.
Pjesë e tematikave të diskutimit është dhe dialogu me fqinjët e Mesdheut, me qëllim ndarjen e eksperiencave më të mira drejt krijimit të shoqërive të hapura demokratike të qëndrueshme.
Më lejoni të përfitoj nga rasti për të tërhequr vëmendjen edhe në një aspekt tjetër, i cili lidhet me trashëgiminë kulturore evropiane!
Trashëgimia kulturore është pjesë e pandarë e sistemit të vlerave evropiane. Respektimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore është jetësore për zhvillimin e identitetit evropian. Por, asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë. Trashëgimia jonë kulturore ka vlera të paçmueshme, por është shumë lehtësisht e cenueshme. Ruajtja e saj kërkon veprim dhe investim të përbashkët nga të gjitha palët e interesuara – nga shoqëria civile, sektori i trashëgimisë, autoritetet publike të të gjitha niveleve, kombëtare dhe evropiane, nga kushdo që është i interesuar për trashëgiminë kulturore.
Zoti President,
Në strukturën aktuale politike-institucionale të Evropës bën pjesë edhe rajoni i Ballkanit, i cili aktualisht po integrohet në mënyrë progresive në strukturat evropiane. Vendet e tij kanë lënë pas të shkuarën dhe po shikojnë drejt së ardhmes.
Ballkani Perëndimor është sot i gjithi i orientuar drejt integrimit evropian dhe, veçanërisht, bashkëpunimi rajonal përbën një instrument shumë të rëndësishëm të zhvillimit shumëdimensional të këtij rajoni, në funksion të përshpejtimit të synimit të përbashkët eurointegrues të vendeve tona.
Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar drejt angazhimit maksimal në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të rajonit. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit.
Interesave kombëtare të Shqipërisë i shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar.
Realizimi i një mjedisi të tillë kërkon frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi nga të gjithë faktorët në rajon, si në nivelin dypalësh, ashtu dhe shumëpalësh.
E ardhmja e përbashkët e rajonit është stabilizimi në kuadër të proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike. Kjo është e vetmja rrugë që të çon drejt zgjidhjes së problemet të trashëguara nga historia.
Ne inkurajojmë dialogun dhe luftën institucionale si të vetmet mekanizma komunikimi për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe ndërmjet fqinjëve në rajon.
Për Shqipërinë, bashkëpunimi rajonal shkon përtej vetëm shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë. Pasi ne besojmë se, nëse angazhohemi bashkërisht, ne mund të ndërtojmë një infrastrukturë moderne të përbashkët rajonale. Ne po heqim të gjitha barrierat jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, duke nxitur shkëmbimet midis vendeve tona. Në të njëjtën kohë, duke njohur më mirë kulturën, historinë e zakonet e fqinjëve, ne mund të përmirësojmë imazhin e rajonit tonë, mund ta bëjmë atë një treg tërheqës dhe konkurrues, dhe mund të përafrojmë perspektivën e tij eurointegruese. Nën këtë frymë, luajmë një rol moderator për ruajtjen dhe forcimin e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan.
Si një instrument të kësaj politike tonën moderuese shohim edhe praninë e faktorit shqiptar në pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Ne gjithmonë e kemi konsideruar faktorin shqiptar si urë lidhëse midis vendeve tona dhe kemi inkurajuar shqiptarët në rajon të jenë promotorë bashkëpunimi dhe nxitës së proceseve të përbashkëta eurointegruese të vendeve ku ata jetojnë.

Më lejoni të theksoj veçanërisht rëndësinë e implikimit të Këshillit të Evropës në Republikën e Kosovës!
Vlerësojmë angazhimin e Këshillit të Evropës në vendin tonë dhe rajonin e Ballkanit, në zbatimin e projekteve specifike dhe atyre tematike. Nënvizojmë, veçanërisht, rëndësinë domethënëse të angazhimit të Këshillit të Evropës në Kosovë, për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, për t’i ofruar një perspektivë evropiane të gjithë qytetarëve që banojnë atje.
Kosova duhet të jetë një zonë e sigurtë për të gjithë qytetarët e saj, ku standardet e Këshillit të Evropës të forcohen në mënyrë të vazhdueshme, ku instrumentet kryesorë evropianë të aplikohen plotësisht, së bashku me mekanizmat e tyre të kontrollit.
Pozicioni ynë është fare i qartë. Republika e Kosovës është tashmë një realitet dhe një faktor stabiliteti në rajon, i cili ka hedhur poshtë çdo skepticizëm. Çështja e statusit dhe integritetit territorial janë kapituj të mbyllur. Ne jemi për një anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse vetëm në një rast të tillë qytetarët kosovarë do përfitonin maksimalisht nga standardet e Këshillit të Evropës dhe do të kishin akses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, në kushtet aktuale të një statusi neutral të Këshillit të Evropës për Kosovën, siç edhe rekomandohet në Rezolutën 1739 (2010) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pavarësisht qëndrimeve mbi çështjen e statusit, të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës duhet të mbështesin një implikim më të madh të këtij institucioni në Kosovë dhe forcimin e kontakteve direkte midis autoriteteve kosovare dhe stafit të Këshillit të Evropës, në të gjitha nivelet. Qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe meritojnë plotësisht standardet evropiane, të mishëruara më së miri në Këshillin e Evropës.
Kosova, me mbështetjen e vendeve mike që e përkrahin, ka bërë përparime konkrete dhe ka hyrë në rrugën e konsolidimit shtetformues. Këtë fakt e dëshmoi edhe vendimi i fundit i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për t’i dhënë fund pavarësisë së saj të mbikëqyrur. Ky vendim nis një faqe të re në historinë e Kosovës, atë të funksionimit të saj si shtet plotësisht sovran dhe i pavarur.
Kosova po dëshmon në vazhdimësi angazhim serioz drejt konsolidimit të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Ajo ka ngritur institucione demokratike shumetnike gjithëpërfshirëse, tërësisht funksionale në gjithë territorin e vendit, duke na dëshmuar të gjithëve përgjegjshmëri dhe vizion për të lënë pas një të kaluar të hidhur e për t’u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve nën territorin e saj të ndërtojnë të ardhmen e familjeve e fëmijëve të tyre. Dhe këtij synimi për të parë drejt të ardhmes i shërben edhe rinisja e shpejtë e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të ndikonin në normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve.
Të nderuar miq,
Mandati i Këshillit të Evropës është i fokusuar në Evropë, por shumë nga çështjet kyçe influencohen sot nga zhvillimet në vendet fqinje: rajoni i Mesdheut, Lindja e Mesme, Azia Qendrore, etj., të cilat fqinjësojnë Evropën. Për pasojë, shumë nga aktivitetet e Këshillit të Evropës, përfshirë disa nga konventat e rëndësishme synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin përtej kufijve të Evropës. Kështu, masat e ndërmarra kundër terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore, pastrimit të parave, krimit kibernetik, etj., mund të jenë efektive vetëm nëse ne përfshijmë fqinjët tanë dhe punojmë ngushtësisht me organizatat e tjera ndërkombëtare.
Shpreh bindjen time të palëkundur se, Këshilli i Evropës i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme për të ofruar kontribut në ndërtimin e shoqërive demokratike të qëndrueshme në rajonet fqinje dhe se marrëdhëniet me këto rajone duhet të bazohen në respektin reciprok dhe ndjeshmërinë e duhur përsa i përket kontekstit kulturor dhe fetar të tyre.
Në veçanti, vlerësojmë rolin e Komisionit të Venecias në ofrimin e asistencës/këshillimit mbi çështjet ligjore kushtetuese në Marok dhe Tunizi, si dhe përsa u përket reformave të nevojshme për të përafruar legjislacionin kombëtar të këtyre vendeve me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria mbetet një vend që beson fort në dialogun mes civilizimeve dhe do të vazhdojë të jetë angazhuar aktivisht për rrafshimin e dallimeve për çështje që kanë të bëjnë me agjendën e të drejtave të njeriut. Pikërisht për këtë arsye, Presidenca e radhës shqiptare e Këshillit të Evropës ka zgjedhur si moton e saj: “Të bashkuar në shumëllojshmëri”.
Dialogu mes kulturave dhe civilizimeve të ndryshme duhet parë si një proces i vazhdueshëm që kërkon përkushtim, vullnet të mirë dhe kujdes.
Harmonizimi i diversitetit kulturor nuk është gjithmonë i lehtë, madje është sfidues për të gjithë ne.
Ne të gjithë jemi të hidhëruar nga pasojat e rënda që shkaktoi një video e pavlerë, që shfaqi mungesë të respektimit ndaj fesë islame dhe atë çka myslimanët konsiderojnë të shenjtë.
Qytetarët shqiptarë të të gjitha feve, institucionet tona shtetërore dhe institucionet fetare e injoruan këtë video nëpërmjet heshtjes. Eshtë për të ardhur keq që në disa pjesë të botës, kjo ngjarje nuk u përcoll me një reagim të njëjtë. Përkundrazi, u përdor për të ushqyer dhunën e verbër të turmave të zemëruara e të pashpresë – gjë që solli pasoja fatale. Duhet ta bëjmë të qartë: format e terrorizmit, veprimet ekstremiste të grupeve të izoluara dhe me qëllime të këqija kurrë nuk duhen ngatërruar me pozicionin ose të identifikohen me sjelljen e shoqërive dhe qeverive të tëra. Asnjë lloj zemërimi i përligjur nuk mund të justifikohet me veprime të paligjshme dhune. Të gjitha institucionet politikë dhe fetarë, dhe të gjitha shoqëritë duhet t’u kundërvihen këtyre veprimeve me forcë. Madje, ne duhet të angazhohemi në ndërtimin e mekanizmave parandalues, shoqërorë, edukativë dhe ligjorë për të parandaluar fenomene të tilla.
Ne i dënojmë me indinjatë veprimet terroriste kundër Ambasadës amerikane në Libi dhe kërkojmë ndëshkimin e autorëve. Dënojmë, gjithashtu, çdo lloj veprimi të shprehur nëpërmjet protestash të dhunshme kundër ambasadave perëndimore, misioni i të cilave është promovimi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes vendeve dhe kombeve.
Të nderuar miq,
Paqja dhe siguria në botë vazhdojnë të sfidohen nga tirania dhe shtypja në pjesë të ndryshme të saj. Ne dënojmë me forcë dhunën e ushtruar kundër popullit liridashës të Sirisë nga një regjim, i cili ka humbur në mënyrë të pakthyeshme legjitimitetin për të udhëhequr dhe përfaqësuar popullin sirian. Askush nuk duhet të qëndrojë mospërfillës ndaj ngjarjeve të tmerrshme që po ndodhin çdo ditë në Siri që prej një viti e gjysmë, me pasojë humbjen e jetës së dhjetëra mijëra njerëzve, me shkatërrim të qëllimshëm e të përhapur dhe vuajtje, të cilat e kanë kthyer atë vend dekada pas.
Ne të gjithë jetojmë në një botë që po globalizohet çdo ditë e më shumë, dhe që përgjatë historisë ka kaluar tragjedi të rënda njerëzore, ndaj të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kostot e gjakderdhjeve humane, për të ardhmen tonë të përbashkët.
Të nderuar të pranishëm,
Duke përfunduar, dëshiroj të vlerësoj veçanërisht rolin e veçantë dhe kontributin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në ruajtjen dhe promovimin e vlerave themelore të Organizatës në vendet anëtare të këtij organizmi dhe më gjerë.
Dëshiroj të shpreh veçanërisht falënderimet për ndihmën dhe mbështetjen që kjo Asamble i ka dhënë vendit tim në përmbushjen e gjithë angazhimeve dhe detyrimeve të duhura!
Duke ju uruar punime të mbara,
ju falemnderit!