E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata zgjedhore dhe precedenti i ardhshëm politik

Presidenti i Republikës pritet të dekretojë këto ditë datën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, duke i dhënë kështu startin zyrtar count down-it për pretendentët për drejtimin e vendit në periudhën 2013-2017. Shkelja e afateve edhe me përz-gjedhjen e trupës së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do administrojë këtë garë, nuk i ka penguar forcat politike në vend, që të mos vonojnë në nisjen individuale të fushatës, duke u shtrirë gjeografikisht në mbarë vendin, si me takime ashtu edhe me (për)zgjedhje në degët partiake lokale.
Turi i inaugurimeve të Kryeministrit në shkolla të mesme në mbarë vendin dallon për ligjërimin e spikatur elektoral në trajtën e llogaridhënies e premtimeve tipike elektorale, por edhe të sulmit ndaj rivalit politik, përpara auditorit të gabuar.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka nisur serinë e denoncimeve me stafetë, duke pretenduar e ilustruar korrupsionin e qeverisë, të kombinuar me takime me kategori të caktuara të shoqërisë, që nga ish-të përndjekurit e deri tek biznesi i vogël në Tiranë. Ky i fundit, një kategori mesa duket e ndjeshme numerikisht, u bë për disa ditë molla e sherrit mes Edi Ramës, që u premtoi heqjen e taksave dhe Partisë Demokratike, e cila, për disa ditë rresht, u investua në takime sy më sy me këtë biznes, deri në nivel deputeti, zëvendësministri e nënkryetar bashkie. Përtej pjesës zbavitëse, kur biznesmenë të vegjël shfaqeshin në ekran, të lumtur, se paguanin taksa të pranueshme, e praktikisht luteshin që të mos u hiqeshin(!!!!), edhe pa qenë ekspert ekonomie, me një arsyetim të thjeshtë, është e qartë se mungesa e taksave nënkupton mungesë shërbimesh e për pasojë, sigurisht që duhet të ketë taksa dhe ato duhet të paguhen! Në këtë rast, heqja e tyre nuk i shërben as qeverisë/Bashkisë e as vetë biznesit të interesuar.
Por, mënyra se si zhvillohet lufta politike mes pozitës e opozitës në Shqipëri, përveç ashpërsisë e kurbave ekstreme të saj, jep imazhin e pasigurt të modelit të ngjashëm edhe për të nesërmen. Kjo pasi, edhe në nivel thjesht politik, kush do e pengojë pozitën e sotme të sillet njëlloj, kur të dalë nesër në opozitë? Që nga bllokimet e parlamentit e deri tek çadrat në bulevard... Apo opozita e sotme, nesër në pushtet, mund të pengohet njëlloj në realizimin e reformave të domosdoshme për vendin, por edhe për detyrimet që do imponojë procesi i avancuar i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në mënyrë të ngjashme, mazhoranca e nesërme mund të ushtrojë diktatin e kartonit, për ta realizuar vendimmarrjen në çdo institucion, sipas interesit të vet politik. E njëjta gjë vlen edhe për marrëveshjet politike të kryera brenda natës. Ato janë të mira kur i volit njërës palë, e nuk duhen kur tjetrës nuk i intereson më konsensusi. Nga ana tjetër, pavarësisht se përshëndeten nga faktori ndërkombëtar si arritje e dialogut politik, dukshëm, marrëveshjet-pazare cenojnë vetë procesin e demokratizimit të vendit, me efektet që prodhojnë ngërçin e radhës.
Interesi i ditës, si makth dominues i klasës sonë politike, mbart filozofinë e vjetruar "après moi le deluge" ("pas meje, le të bëhet qameti"), apo asaj shqiptare "të bëhem edhe një herë nuse, pa e di unë si nusëroj". Kjo mendësi nuk mund të ketë as vend e as efekt më, në vitin 2012, sepse "nusërimi" qoftë i përsëritur apo i ri fringo, nuk bëhet dot pa partnerin, e për pasojë respektimi institucional i rregullave qeveri-opozitë, mbetet jetik për të ardhmen e vendit e të qytetarëve të tij. Dihet që detyra e një klase politike është të prodhojë politika, e në këmbim, të marrë besimin e qytetarëve të kënaqur nga këto politika dhe cinizmin e atyre që janë zhgënjyer nga ato. Ky rregull vlen posaçërisht në fushatën elektorale të filluar jozyrtarisht.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›