E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apple mbetet pa Jobs

Edhe pa Steve Jobs’in në krye, Apple Inc duhet t’i bindë investitorët dhe konsumatorët se nuk ka nevojë për forcën që qëndron prapa iMac, iPod, iPhone dhe iPad për avancimin e mëtutjeshëm të kompanisë, në formë të hiteve të ardhshme teknologjike. Nga Express më 26 gusht 2011 në ora 10:13

Tim Cook, pasardhësi i zgjedhur nga vetë Jobs, ka mbajtur në vazhdimësi poste të larta në mungesë të Jobs’it të sëmurë, i cili të mërkurën dha dorëheqje nga posti i shefit ekzekutiv dhe u zgjodh si kryetar i bordit të Apple. Edhe pse jo as përafërsisht i njohur si Jobs, Cook është njeriu që udhëhoqi me Apple që nga janari. Gjatë kësaj kohe aksionet e kompanisë janë rritur për 62 përqind.

Jeff Gamet, redaktor përgjegjës i web-faqes së Apple, që fokus ka faqen e lajmeve The Mac Observer, deklaroi se largimi i Jobs ka më tepër një rëndësi sentimentale sesa praktike. Sipas tij, ky ndërrim ishte paralajmëruar telegrafikisht tash disa vjet.

"E gjithë ajo që ka bërë Apple ka kohë që ka qenë zyrtare, megjithëse në formë administrative. Kjo nënkupton se është Tim ai që e drejton kompaninë, kurse Steve merret vetëm me pjesën e tij; pra, që të sigurohet se produktet e prodhuara përmbushin standardet e Apple", deklaroi ai.
Por analisti i Global Equities Research, Trip Chowdhry, mendon se vëmendja maniakale e Jobs ndaj detajeve është ajo që bëri që Apple të dallohej nga të tjerët. Sipas tij, linja e prodhimeve të Apple mund të jetë e sigurt për disa vitet e ardhshme, megjithëse Chowdhry parashikon se kompania përfundimisht do të përballet me sfidën e ndryshimit të ideve karshi tregut.

"Apple është Steve Jobs, Steve Jobs është Apple, dhe Steve Jobs është vetë risia", thekson Chowdhry.

"Ju mund t’ua mësoni njerëzve se si të jenë më efikas operacionalisht, ju mund të punësoni konsulentë që të ju tregojnë si ta bëni këtë, por vetëm Zoti krijon risi. ... Apple pa Steve Jobs është asgjë", përfundon ai.
Dorëheqja e Jobs duket të jetë rezultat i një gjendjeje të papërcaktuar shëndetësore, për shkak të së cilës ai ishte në pushim mjekësor që nga muaji janar.

Në një letër drejtuar bordit të Apple dhe "komunitetit të Apple", Jobs thotë se ai gjithmonë ka thënë se “nëse ndonjëherë do të vije dita kur unë nuk mund të përmbush detyrat dhe pritjet e mia si CEO i Apple, do të jem i pari që do t’ju njoftoj për këtë. Fatkeqësisht, kjo ditë erdhi".

Shëndeti i Jobs ka qenë prej kohësh një shqetësim për investitorët e Apple, ngase ata Jobs’in e shohin si një profet të teknologjisë. Ai i kishte mbijetuar më parë kancerit në pankreas dhe kishte bërë transplantimin e mëlçisë.
Nga kompania u tha se Jobs ia dorëzoi dorëheqjen bordit të mërkurën, dhe sugjeroi që Cook, zyrtari më i lartë operativ në Apple, të emërohet udhëheqës i ri i kompanisë. Apple gjithashtu sqaroi se Cook do të jetë anëtar i ri i bordit.

Kryesuesi i Genentech Inc., Art Levinson, nëpërmes një deklarate të lëshuar në emër të bordit të Apple, tha se “vizioni dhe lidershipit i jashtëzakonshëm i Jobs ka ruajtur dhe ka udhëzuar Apple’n për të arritur në pozitën ku ndodhet, si kompania më inovative dhe më e vlefshme në botën e teknologjisë".

Sipas Levinson, Jobs do të vazhdojë me ofrimin e “idetë, kreativitetin dhe inspirimin e tij unik”, por edhe se bordi ka "besim të plotë" se Cook është njeriu i duhur për zëvendësimin e tij.

"13 vjetët e Tim në shërbim të Apple janë karakterizuar me një performansë të jashtëzakonshme, dhe ai ka demonstruar një talent të mrekullueshëm dhe një gjykim të shëndoshë në çdo gjë që ka bërë", theksoi Levinson.
Në fillim të këtij muaji Apple për shkurtazi u emërua si kompania më e vlefshme në Amerikë, duke e tejkaluar edhe Exxon Mobil. Pas mbylljes së tregut të aksioneve të mërkurën, vlera Apple ishte 349 miliardë dollarë, menjëherë pas Exxon Mobil, që vlente 358 miliardë dollarë.

Hitet e Jobs duket se vetëm sa rriteshin me kalimin e vitit: Pas kompjuterit të gjallë iMac dhe iPod’it të kudogjendur, iPhone e ridefinoi kategorinë e ‘smartfonëve’ , ndërkohë që iPad krijoi një treg të tërë të tabletë-kompjuterëve.

Edhe vetë aura e Jobs dukej të ishte pjesë e atraksionit. Në skenë, në ngjarje tregtare dhe në ceremoni të ndryshme të kompanisë, Jobs shfaqej në ‘uniformën’ e tij: me xhinse, me atlete të bardhë e zi dhe në bluzonin e zi, derisa para audiencave prezantonte pajisjet e reja, ngjyrat e reja dhe shtojcat e reja softuerike, ndërkohë që finalen e madhe e niste me parathënien e pritshme: “Edhe një gjë”.

Jobs (56) u kujdes për Apple që nga themelimi i kompanisë që përbëhej prej dy personave, e deri kur kompani u shndërrua në të adhuruarën e Silicon Valley, atëherë kur Apple II – që ishte kompjuteri i parë që i shtyri njerëzit e zakonshëm të krijonin varshmëri nga ai – i nxiti IBM Corp dhe të tjerët që të luftonin për të marrë një copë të tregut të PC kompjuterëve për vete.
Pas rënies së madhe që Apple e pësoi në mesvitet e 80’a, Jobs u detyrua të largohej nga kompania. Gjatë 10 viteve në vijim ishte shef në Next, një tjetër kompani e kompjuterëve, dhe në Pixar, një kompani kjo që merrej me animacione kompjuterike, e cila, duke u bazuar në idenë e tij, prodhoi filmin e animuar "Toy Story".

Apple ishte para rrënimit kur Jobs u kthye aty si këshilltar, në vitin 1996. Viti përfundoi me 900 milionë humbje, meqenëse PC kompjuterët e bazuar në Microsoft Windows e dominuan tregun kompjuterik. Fati i kompanisë filloi të rikthehet falë prodhimit të parë të saj të ri nën drejtimin e Jobs - iMac. iMac u lansua në vitin 1998 dhe u shit në afro dy milionë ekzemplarë gjatë vetëm 12 muajve të parë të prodhimit.

Përfundimisht Jobs u bë CEO i përkohshëm, e më vonë edhe i përhershëm. Popullariteti i Apple u rrit në SHBA gjatë viteve 2000, në kohën kur linja e pafund e iPod’ve i shtyu shumë përdorues të Windows’it drejt posedimit të një pashijeje të Apple. Në vitin 2007, Apple krijoi edhe një sensacion tjetër, kur prezantoi telefonin celular iPhone, një smartfone ky me pamje të ngurtë, por të fuqishme, i cili e dominoi shpejt industrinë.

iPad u prezantua vetëm rreth një vit e gjysmë më parë, por deri më tani janë shitur rreth 29 milionë ekzemplarë, gjë që frymëzoi rivalët e shumtë për hyrje në tregun e tabletë-kompjuterëve, i cili mezi ekzistonte para se Apple të hapërojë në të.

Ka pasur edhe pengesa, natyrisht. Apple ishte përfshirë në hetimin masiv të Komisionit të Fondeve dhe Shkëmbimeve, në mesin e viteve të 2000’a, që në fikus kishte rritjen artificiale të vlerës së aksioneve dhe të granteve opsionale. Por Jobs dhe Apple dolën të padëmtuar, pasi që dy ish-drejtues të kompanisë morën fajin përsipër.

Apple and Jobs

Prill 1976: Dy studentët që braktisën studimet, Steve Wozniak (26) dhe Steve Jobs (21), themelojnë kompaninë Apple Computer, Inc. Dy partnerët e rinj u desh të shinin dy kalkulatorë me vlerë 1,300 dollarë për të filluar procesin e nisur punën e kompanisë.

1980: Apple ofron në shitje aksione në vlerë prej 4.5 milionë dollarësh, respektivisht nga 22 dollarë për një aksion. Të gjitha aksionet u shitën brenda pak minutash.

1982: Deri në janar 1982 Apple shiti 6,500,000 kompjuterë Apple Macintosh në botë. Në dhjetor 1982 ishte kompanie parë kompjuterike që arriti të shes një miliardë dollarë për një vit.

1996: Në dhjetor 1996, Apple pagoi 377 milionë dollarë për blerjen e kompanisë Next, që për dymbëdhjetë vjet udhëhiqej nga Steve Jobs, pas largimit të tij nga kompania Apple. Vizioni Jobs dhe Apple u bashkua sërish.

2000: Falë përpjekjeve të Jobs, Apple sërish u bë kompani profitabile. Kompania kishte 94 përqind fitim neto, profit ky që rezultoi me 601 milionë dollarë dhe me një rritje të aksioneve për 140% në vitin 1999.

25 gusht 2011: Aksionet e Apple ranë për 7 përqind brenda ditës, si reagim ndaj dorëheqjes së Jobs. Kompania më e vlefshme botërore e teknologjisë tash e tutje sytë i ka të drejtuara kah Tim Cook, i cili sapo mori përsipër postin e Steve Jobs.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›