Aquila tronditet sërish, 278 numri i viktimave

Sërish një natë tmerri për banorët e Abruzos kur lëkundje të tjera tërmeti janë ndiher në orët e vona të natës. Lëkundje të forta janë ndiher rreth orës 00:55 me amplitudë 4.3 ballë dhe një tjetër është shënuar në orën 02:52 me një magnitudë 5.2 ballësh me epiqendër në Aqulia, Pizzoli dhe Barete. Mediat italiane raportojnë se është konfirmuar vdekja e të paktën 278 personave, ndër të cilët 16 janë fëmijë, ndërsa ekziston ende frika se bilanci i viktimave mund të shtohet edhe më tej. Megjithatë ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën për të nxjerrë nga rrënojat trupa të pajetë, por edhe për të asistuar ata që janë plagosur nga kolapset e ndërtesave. Gjithashtu është raportuar për më shumë se 1100 të plagosur dhe 25 mijë të tjerë të zhvendosur nga rajoni i goditur. Operacionet e kërkim - shpëtimit kanë gjetur trupat të tjerë të pajetë. Pritet që të premten të kryhen ceremonitë e para të varrimit të viktimave të tërmetit. Ndërkaq, Presidenti i vendit Xhorxho Napoletano ka lajmëruar sot një vizitë në zonat e prekura nga tërmeti, për t'u solidarizuar me personat e prekur nga fatkeqësia. Një vizitë gjatë javës së ardhshme është njoftuar edhe nga Papa Benedikti XVI.