Arabia Saudite, shteti i 58 që njeh pavarësinë e Kosovës - njohjen e rëndësishme e përshëndet i pari, kryeministri Sali Berisha
Zyrtarisht, dje pasdite, ministria e jashtme e Arabisë Saudite ka bërë të njohur se Riadi ka vendosur ta njohë pavarësinë Kosovës. Kjo është një njohje më rëndësi të jashtëzakonshme, duke qenë se vjen nga një prej shteteteve kryesore të botës islame. Njohja nga Arabia Saudite shpie numrin e njohjeve në 58-të. “Në përputhje me lidhjet religjioze dhe kulturore me popullin e Kosovës, dhe në shenjë respekti për vullnetin e popullit të Kosovës për ta fituar pavarësinë, Mbretëria e Arabisë Saudite njofton për njohjen e Republikës së Kosovës dhe shpreson që ky zhvillim do të kontribuojë pozitivisht në përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë si dhe vendeve të saj fqinje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite.
Kryeministri Berisha ka qenë politikani i parë i hapësirës mbarëshqiptare, që nga Pekini, ku ndodhet për vizitë zyrtare, ka përshëndetur vendimin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Arabisë Saudite. Në emër të qeverisë së Shqipërisë, ai e vlerësoi vendimin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Arabisë Saudite, si një akt historik i Mbretit Abdullah në marrëdhëniet miqësore midis kombit saudit dhe kombit shqiptar. “Arabia Saudite ka dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e Kosovës. Me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, Mbreti Abdullah dhe vendi i Tij mik japin një kontribut të ri madhor në paqen dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Kryeministri Berisha në Pekin, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, me ftesë të Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, z. Wen Jiabao.
Në janar të këtij viti, ministri i jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha qe për vizitë në Arabinë Saudite, me ç’rast pat marrë edhe angazhimin paraprak të Mbretit Abdullah për njohjen së afërmi të pavarësisë së Kosovës, por edhe për marrjen e një roli më të fortë të avokatit prej sauditëve në gjirin e vendeve të Konferencës Islamike, në mënyrë që shumica e këtyre vendeve ta njohë shumë shpejt shtetin më të ri të botës.