Aragones: “Italia, e ringjallur nga vdekja”
Italia dëshiron të rifitojë reputacionin e kampionëve të botës kur të ndeshet çerekfinale me Spanjën (sot ora 20:45), pas mbijetesës me “Grupin e vdekjes’. Italia u kualifikua falë fitores 2-0 kundër Francës, e ndihmuar edhe nga fitorja 2-0 e Holandës me Rumaninë në ndeshjet e fundit të Grupit C të Kampionatit Europian. Në kontrast me Italinë, Spanja i fitoi të tre takimet në grupin D.
ARAGONES - Në Kupën e Botës 2006, Spanja dukej e pathyeshme në fazën e grupeve, por u eliminua nga Spanja në raundin me eliminim direkt. “Ky ekip ka mësuar shumë që nga Kupa e Botës”, - tha mesfushori Ksabi Alonso. “Ne ishim një ekip i ri dhe ta tani e dimë se çfarë janë këto kompeticione”. Trajneri i Spanjës, Luis Aragones, pranoi se Italia kishte bërë një fazë të varfër në ndeshjet në grup, por gjithsesi ndjen shqetësimin e tij.
“Në mbrojtje ata janë më perfektët. Ne e dimë sesi është Italia, për më tepër që ata janë kampionë të botës. Ajo dukej e vdekur dhe e kallur, por ja që është në çerekfinale. Italia di si të dalë nga kohët e këqija dhe këtë e tregon historia”.
DONADONI – Trajneri i Italisë, Roberto Donadoni i bën thirrje bashkëkombësve të tij në prag të sfidës të Spanjës. “Italianë, besoni te ne. Jemi gati të luajmë kundër një kundërshtari të madh. Duhet përqendrim. Mungea e Pirlos e Gatuzos? Kemi alternativa të tjera që gëzojnë besimin e shokëve. Tifozëve u them të bësojnë te ajo që kemi bërë. Unë kam vendosur shpirtin dhe trupin në gjithçka që kam bërë”, - tha 44-vjeçari gjatë konferencës së tij për shtyp. “Aspekti mendor është i rëndëishëm. Duhet të jemi të bashkuar. Penalltitë? Do të flas nesër (sot), por e di kush është i zoti për të gjuajtur”. Donadoni flet edhe për Luka Tonin: “Unë nuk jam nga ata që shikoj statistikat, por sigurisht që i uroj të shënojë gol, edhe pse këtë do të dëshiroja ta realizonte edhe një mbrojtës. Por unë e kam thënë se një penallti e fituar dhe karton i kuq (i marrë nga kundërshtari) në ndeshjen kundër Francës janë të barabartë me një dopietë”
TONI – Sulmuesi i Gjermanisë, Miroslav Kloze, zbuloi për mediat se shoku i tij i ekipit te Bajerni i Munihut, italiani Luka Toni, ishte ankuar pranë tij se kishte humbur “mikun e tij më të mirë, topin”, qysh nga fillimi i Euro 2008-s. “Pas fitores sonë kundër Portugalisë, shkëmbyem SMS-ë me Lukën. Ai më dha që në këto momente kishte probleme me mikun e tij më të mirë’, - tha Kloze. “Kur unë i kërkova se me kë, dhe se a mundesha unë ta ndihmoja. Ai mu përgjigj se miku i tij më i mirë ishte topi”. Toni, i cili është ende në kërkim të golit të parë në Europian, realizoi 39 gola për Bajernin në të gjitha kompeticionet.
TORRES - "Nuk bënë një paraqitje të mirë në fazën e grupeve, por e njëjtë gjë ndodhi me Italinë edhe në Kupën e Botës, të cilën në fund arritën ta fitonin", - u shpreh sulmuesi i Spanjës, Fernando Torres, në praj të sfidës Spanjë-Itali. Sulmuesi i Liverpulit shprehet se Italia është pretendente ne këtë ndeshje, pavarësisht paraqitjeve mjaft të mira të bërë nga spanjollët në fazën e grupeve.
Mbreti
Spanja do të ketë mbështetjen e mbretit Huan Karlos dhe mbretëreshës Sofia në ndeshjen kundër Italisë. Formacioni spanjoll i fitoi të tria ndeshjet në grup, por në çerekfinale do të ketë përballë Italinë, “delen e zezë”.
Bastet
Një ndër kompanitë më të mëdha të basteve në botë “Bwin” sheh Spanjën favoritë për fitimin e ndeshjes. Formacioni i David Vijas me shokë kuotohet me 2.45 për fitoren. Fitorja e Luka Tonit e co. me 2.85 dhe barazimi ka koeficientin 3.10.
Kasijas: “Kam frikë nga Luka Toni”
Të gjithë lojtarët spanjollë e konsiderojnë Italinë favorite. Të njëjtin mendim ndan edhe portieri i Realit të Madridit, Iker Kasijas. “Spanja bëri shumë mirë në fazën e parë, por megjithatë niset e paavantazhuar. Italia është favorite porsa i përket historisë, pasi ka arritur më shumë finale, ka fituar më shumë dhe sepse Spanja ka fituar vetëm një Europian, dhe kjo kohë më parë”. Kasijas ka frikë para së gjithash një lojtar italian: Luka Tonin. “Duhet të jemi të kujdesshëm nga topat standardë, pasi Toni është shumë shtatlartë. Nëse arrijmë ta bllokojmë atëherë do të jemi në rrugën e mbarë për t’i dhënë fund mallkimit në çerekfinale”.
Spanjë-Itali, bilanc i hidhur spanjoll
• Spanja dhe Italia janë ndeshur me njëra-tjetrën në 27 raste. Spanja ka fituar tetë takime, Italia nëntë dhe dhjetë herë janë ndarë në barazim. Në kompeticione bilanci i Spanjës është i varfër: vetëm 1 kundrejt 5 të Italisë, ndërsa 3 ndeshje janë mbyllur në barazim. Spanja nuk e ka mundur Italinë në një kompeticion të madh, qysh nga viti 1920 në Lojërat Olimpike të Antverpës në Belgjikë kur fitoi me rezultatin 2-0.
• Dy ekipet janë ndeshur dy herë në Kampionatet Europiane: 0-0 në fazën e grupeve në Euro 1980, ndërsa në Euro 1988, Italia fitoi 1-0. I vetmi titull i Spanjës në kompeticionet e mëdha daton vitin 1964, kur ajo organizoi Kampionatin Europian, ndërkohë që titulli i fundit i madh i Italisë është ai i vitit 2006, kur “axurët” fituan për herë të katërt Kampionati Botëror.
• Spanja ka në eruopian ekipin e tretë më të ri, me një moshë mesatare 26.44 vjeç, ndërkohë që Italia me një mesatare prej 29.14 vjeç është më e vjetra.
• Gjithsesi, Spanja e mundi Italinë në ndeshjen e fundit miqësore midis tyre, me një gol në formë voleji të realizuar nga David Vija, i cili udhëheq edhe listën e golashënuesve me katër gola, tre prej të cilëve të realizuar në fitoren 4-1 kundër Rusisë.
• Spanja është e pamundur në 19 ndeshjet e fundit, por iberikët kanë një zakon që nuk i kalojnë dot çerekfinalet në një turne të madh.
• Ndeshja e tyre e fundit në një turne të madh ka qenë ajo e Kupës së Botës të vitit 1994, kur Italia fitoi 2-1 me Spanjën e ku Mario Tasoti i theu hundën sulmuesit spanjoll Luis Enrike. Në atë takim për Italinë luante edhe trajneri aktual Roberto Donadoni.
Tregu i zi, 1000 euro bileta Spanjë-Itali
Një biletë për ndeshjen Itali-Francë, e luajtur për fazën e grupeve në “Letzigrund” në Zyrih (30 mijë vende) kishte shkuar deri në 750 euro. Për ndeshjen çerekfinale Spanjë-Itali, që do të luhet në “Ernst-Happel Stadion” të Vjenës (52 mijë vende) ka shkuar deri në 800 euro, por në disa raste edhe 1000 euro.
Gazeta italiane “Gazzetta dello Sport” shkruan se për dy bileta dy tifozëve italianë iu ofrua në tregun e zi 1500 euro.
Sondazhi
Italia me tifozen më të bukur
Gazeta më e madhe sportive në Itali, “Gazzeta dello Sport”, ka organizuar një sondazh për tifozen më të bukur të Kampionatit Europian 2008.
Ja dhe rezultatet
Italia 41.0%
Portugalia 21.9%
Franca 9.1%
Polonia 8.4%
Spanja 6.2%
Austria 5.5%
Suedia 4.9%
Kroacia 3.1%
Numri i votuesve: 43743
23 Qershor 2008