Kur shkrimtari pranon të kufizohet
Mira MEKSI
Prej kohësh tashmë, në Shqipëri, sikundërse edhe nëpër qarqet kulturore të mbarë lëmshit të dheut, shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë, botues, deri edhe bukinistët - një term ky që prej më pak se dy vjet filloi të përdorej në qarqet shqipfolëse për të shënjuar librashitësit ambulantë - kanë rrahur vazhdimisht që të ngrenë zërin dhe të tundin me tërsëllimë zilet e alarmit lidhur me krizën nëpër të cilën po kalon libri. Ka syresh, madje, që shprehen haptazi se “prej kohësh libri është në luftë për mbijetesën”.
Ndër debatet në fjalë, ajo çka përthith si me magnet vëmendjen, është pa dyshim përkufizimi dhe orientimi i krizës në fjalë. Në thuajse tërësinë e tyre, zërat e përfshirë në alarmin e lartpërmendur nuk flasin për krizën brenda vetë librit, por për krizën nëpër të cilën po kalon libri.
Drejtimi i krizës në këtë rast është më se i qartë e duket se përcakton më së miri edhe natyrën që shfaq vetë kriza, për të cilën flitet: është krizë jashtëlibrore, jashtëletrare, lidhet drejtpërsëdrejti, sipas gjykimit të tyre, me të ashtuquajturën “humbje”, “firim” të lexuesve apo, në rastin më fatlum, reduktimin e tyre në një “pakicë”. Kjo diagnozë krize krijon përshtypjen se, ai që është thuajse në fazën e shuarjes, është lexuesi, se vetë letërsia gëzoka shëndet të plotë. Këta zëra, madje, ngarendin shpeshherë të zbulojnë e nxjerrin në shesh edhe “burimin”, “rrënjët” e këtij “mëkati” që bëhet ndaj librit, i cili në optikën e tyre është i pamëkatë e i pacen.
Sipas sondazheve më të fundit në disa vende të zhvilluara perëndimore, kriza nëpër të cilën po kalon libri gjykohet të jetë fryt i pashmangshëm i “mosedukimit”, i “moslëvrimit” të “kulturës së leximit” në epokën e televizorit, masmedias dhe telematikës, që do të thotë, në një kuptim të fundmë, se është thjesht çështje “programesh”, “nismash”, çka tingëllon fare qartas një ideologji, madje, mund të shfaqet me ngjyresa të theksuara anakronizmi për këdo që besonte në shprangosjen e letërsisë nga kthetrat e ideologjisë dominuese pas stinëve të neorealizmit, passtrukturalizmit dhe dekonstruksionalizmit. Porse problemi s’mbaron me kaq, për aq sa ideologjia në fjalë shfaqet tejet e përafrueshme me diktaturën leximore që njohëm në Shqipërinë e viteve të regjimit të kaluar, kur shtrëngoheshim të lexonim veprat e... dihet se çfarë veprash, sikundërse dihet edhe se cilat ishin veprat që ndaloheshim dhunshëm të lexonim.
Sipas këtij qëndrim të ngritur ideologjikisht mbi themele të fuqishme dhe tejet të frikshme totalitariste, ai që lipset “programatizuar”, “skematizuar” dhe “formatizuar” në shije, grishje dhe vullnet është lexuesi, pra.
* * *
Në numrat e saj, Mehr Licht ka arritur të tregojë qartazi qëndrimin e vet sa më larg kësaj diktature ideologjikisht, etikisht dhe estetikisht të rrezikshme; ajo ka gjykuar krejt të papranueshme prirjen që rreh të fajësojë lexuesin dhe struktura të caktuara shoqërore (në këtë rast shtetin, që nuk rrit trysninë e vet kontrolluese në lidhje me shkallën e lejimit të idiosinkrasisë leximore, apo që s’harton programe për “formatizimin” e kësaj idiosinkrasie, ku përfshihet edhe vullneti i individit) për krizën nëpër të cilën po kalon libri. Në jo pak numra të saj, Mehr Licht ka rrahur të japë një pamje të qartë e objektive lidhur me krizën në fjalë, duke e diagnostikuar si një shfaqje simptomatike dhe e drejtpërdrejtë e bjerrjes së sistemit të vlerave dhe e tregtarizimit të gjithçkaje, përfshirë edhe vlerat letrare dhe artistike, çka vërehet mjaft frikshëm edhe në hapësirat letrare të vendit tonë. Sakaq, në përpjekjet e saj, Mehr Licht s’ka mbetur thjesht në suazën e diagnostikimit; përkundrazi, nga numri në numër, ka rrahur fuqishëm që të vendosë një gur në ngrehinën e rrënuar të vlerave letrare, ndonëse është shumë më e kufizuar në mjete sesa masmedia apo vetë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve... Më tepër sesa humbje të lexuesit, Mehr Licht ka rrahur, dhe ka arritur të tregojë vazhdimisht e qartas, se koha në të cilën po jetojmë karakterizohet jo nga humbja e lexuesit, por nga humbja e vlerave dhe triumfi globalizues dhe totalizues i kundërvlerave. Në këtë humbje vlerash apo triumf kundërvlerash letrare ka ndikuar shumë edhe kriza e kritikës letrare e shprehur në shpërfytyrimin e natyrës dhe misionit të saj.
Afërmendsh, nuk jemi në hapësirën e volitshme për të ndërmarrë një dekonstruktim të kritikës letrare sipas frymës dhe protokolleve derridiane; përballja e realitetit të teksteve dhe praktikave konceptuale me ligjërimet kritike që jepen në lidhje me to, kërkon një hapësirë shumë më të gjerë sesa e jona. Porse kjo hapësirë gjykojmë se është e mjaftueshme për të parashtruar, në mënyrë sa më të përmbledhur, degët që formojnë pemën gjenealogjike të krizës së kritikës letrare. Ajo që mund të shihet si trungu i pemës në fjalë, është procesi i metamorfozës nëpër të cilën ka kaluar kritika letrare. Fjala është për një proces tjetërsimi të saj, për një gjerdan kompromisesh me të cilat është vetëlidhur si me vargonj.
* * *
Procesi i shpërfytyrimit të kritikës gjenealogjikisht zë fill me krizën e vetë objektit të saj: me librin, artin, vetë letërsinë si e tillë. Kritika letrar është fryt i drejtpërdrejtë i letërsisë si ligjërim i dallueshëm në formë, natyrë dhe përmbajtje, i nevojave të këtij të fundit për t’u njohur dhe pranuar si i tillë. Shpeshherë, në kohët tona duket se harrojmë që lindja e kritikës letrare në shek. e XVIII ish fryt i kahjes së vetëvendosjes së ligjërimit letrar, i dallimit të tij nga ligjërimi teologjik, fetarologjik dhe filozofik. Në kohët tona, objekti i kritikës letrare, ligjërimi letrar dhe artistik, ka kohë që po përjeton një krizë të brendshme, duke na përballur mjaft shpesh me mungesën e librit. Të kuptohemi drejt, me këtë nuk duam të themi se është mpakur libërshtypja, por se është rritur ndjeshëm shtypjelibri, shtypja e librit, e thënë qartazi, e vetë artit dhe e letërsisë, aq sa, më tepër se kurrëherë më parë, libri/arti/letërsia rrezikon paq të kthehet në “tymnaja e fundit e një realiteti në firim e sipër”, për të sjellë ndërmend zërin profetik të Nietzsche-s.
Faktorët që ndikojnë në këtë drejtim janë kompleksë, shpeshherë rrëshqitës, të natyrës sa brendaletrare, po aq edhe jashtëletrare.
Faktori kryesor lidhet pa dyshim me tregtarizimin e letërsisë. Sot, më tepër se kurrë, natyra e “painteresët” e veprës letrare është kthyer në një stereotip, në një klishe që shpreh një vlerë tashmë të vjetër e dalëmode, dhe kjo për shkak se letërsia prej kohësh është kthyer në pjesë e ingranazhit të tregut, duke iu bindur verbërisht, deri në skllavëri, ligjësive të kërkesëofertës, duke u shfaqur si një prodhim, mall i zakonshëm dhe jo si krijim, për të rendur kësisoj jo drejt lexuesit, por drejt konsumatorit. Ajo çka rrjedh prej këtij ridimensionimi të letërsisë, që shkon gjer në tjetërsimin e saj, është mjaft e qartë: në bashkëpunim dhe pleqërim me botuesin, shkrimtari pranon të kufizohet në jo pak drejtime; përzgjedh tema që i përgjigjen kërkesës së tregut, bën lëshime në “gjini”, në “stile”, në “skena”, duke e “kripur” jo pak tekstin edhe me fjalë “pikante”, rreh të hyjë në garë me retorikën e bardhë të masmediave, me audiovizualizmin e televizorit dhe kinemasë, duke i dhënë lexuesit libra sa më të shkurtër, sa më të thjeshtëzuar në teknika e prosede letrare, dhe sa më të ngjeshur me informacion, me fraza të gatshme, arrin gjer aty sa ka raste kur bëhet edhe shesh marketingu për aksh malltregu, duke e bërë faqen e një libri artistik e letrar fort pak të ndryshme nga kolona e një gazete. Kësisoj, nga letërsi për masat, shkrimtarët rrahin të lëvrojnë letërsi të masave. I shtyrë nga sasia e informacionit që kërkon të përcjellë, si dhe nga shpejtësia me të cilën rreh ta përcjellë, shkrimtari i sotëm zhytet kokë e këmbë në objektivizëm, rrëfen “përmes gjësendeve”, duke e shndërruar edhe vullnetin e tij në pjesë të këtij objektivizmi, për t’u njësuar kësisoj me realitetin e jashtëm, me tërësinë e gjësendeve rrethuese. Përpos kësaj, në vendin tonë ka kohë që ka nisur të fryjë era e globalizmit letrar - po aq e çuditshme dhe e panjohur më parë, njëlloj si fenomeni i tranzicionit ekonomik; madje, kjo erë u ndie qysh në vitet e para të “hapjes”, kur shkrimtarët tanë nisën të rrëmonin për “modele” dhe “tema” të Evropës perëndimore, a thua se letërsia e mirë përcaktohej nëpërmjet dhe nga kufij shtetesh të zhvilluara e demokratike. Në faqet e saj, Mehr Licht është munduar të nxjerrë në pah krizën që përjeton letërsia shqiptare e këtyre 17 vjetëve të fundit, e shprehur edhe në një lloj avanguardizmi të rremë modelesh dhe eksperimentimesh në emër të prirjeve nevrotike të llojit “ja risi, ja s’ka”.
* * *
Kriza e objektit letrar, e përvijuar kësisoj, nuk mund të mos vendoste në krizë edhe vlerat kritike, “bursën e vlerave” (la bourse des valeurs), siç i cilëson Paul Valéry. Sakaq, vendin e kritikës së mirëfilltë e zë kritizeristika, një paralele e masmedias, e cila rreh të kryejë rolin e ndërmjetësit mes librit dhe lexuesit dhe t’u përgjigjet e përunjur rregullave të diktuara nga tregu. Në një kohë kur thuajse tërë burimet kulturore dhe letrare sundohen egërsisht nga ligjësitë e shitblerjes, nga “globalizimi kapitalistik”, siç e emërton Steiner-i, kritizeristika ngarend me yrysh të madh drejt orientimeve të tregut, duke qëndruar në sinergji të plotë me nevojat e tij dhe, për të mbijetuar, hyn në garë me retorikën e bardhë të masmediave, kthehet në mekanizëm publicitar, e pret botimin e një vepre me lavdërime apo me fyerje, duke mos parashtruar, në të dyja rastet, asnjë lloj argumentimi të qëndrueshëm brendaletrar. Kritizeristika, përpos krizës së kritikës letrare dhe mungesës së zhvillimit të ndërgjegjes kritike, mishëron paq edhe krizën e “dyshimit”, pas të cilit struket edhe nevoja për ndryshim. Në një botë konsumistike, “dyshimi” shihet si armiku më i rrezikshëm. Në këtë rol të ri, kritizeristika e shtyn krizën te kuptimi i saj i fundmë, etimologjik, te kuptimi që kishim harruar, atë të krisjes, thyerjes, për aq sa, përmes status quo-së që sundon çdo hapësirë a realitet të çliruar nga dyshimi, kritizeristika rreh të thyejë ligjësitë e dialektikës, duke i dhënë, nga njëra anë, fund “zhvillimit” të letërsisë dhe, nga ana tjetër, duke shënjuar shndërrimin e saj në pjesë të shkëmbimit, të konsumit, në fund të fundit, mallëzimin e saj, kthimin e saj në mall. Ajo çka qëndron pas kësaj kritike të shformuar në thelbin dhe natyrën e vet, është një formë komunikimi që i kushton më tepër vëmendje formës sesa përmbajtjes, ngarend të ngjitet nga një tribunë në tjetrën për të shpërndarë duartrokitje teatrale, në vend që të rrahë të zbresë poshtë, në galeritë e zgafellet e tekstit. Për këtë lloj pseudo-kritike, që është paralele e retorikës së bardhë të masmediave, problemet dhe çështjet në lidhje me të vërtetën nuk mbartin kurrfarë rëndësie, për aq sa e vërteta lidhet gjithnjë me praninë e dyshimit. Kjo vërehet më qartë se kurrë sot, në kohën kur mekanizmi publicitar shfaqet thelbësor për vetë tregun e ngërthyer nga kriza e shkaktuar nga mbiprodhimi dhe nënkonsumi. Kjo shpjegon edhe arsyen përse kritizeristika në Shqipëri shfaqet më së shumti në kolonat e gazetave. Ky lloj përngjasimi deri në mimetizëm majmunor i kritizeristikës me entet publicitarë jo vetëm që e bën këktë të shfaqet e pabesueshme në sytë e lexuesve, por i largon syresh edhe nga bota e librit, nga ajo e letërsisë dhe artit, pasi lexuesit e dinë mjaft mirë thënien e vjetër “gjymi bosh bën zhurmë të madhe Kjo mund të tingëllojë si fort abstraguese, ndërkohë që rrezikon të kthehet në të ardhmen tonë letrare, nëse gjërat do të vijojnë sipas kësaj kahjeje dhe me këtë ritëm të çmendur.
“Gjykimi”, si mision i kritikës në lidhje me letraren e një vepre, sot duket i largët dhe i panevojshëm, apo në rast se vazhdon të lëvrohet tek-tuk, kushtëzohet nga një frymë specialistike, lind, zhvillohet dhe përhapet vetëm në qarqet e mbyllura akademike, duke u shfaqur një formë komunikimi me qark të mbyllur.
23 Qershor 2008