E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Imami: Me Eduard Selamin do të kemi një fitore të madhe të PD-së në Librazhd, e në të gjithë vendin

10-05-2013 / Gazeta 55

Imami prezanton në Librazhd, Eduard Selamin si kandidatin e këtij qyteti

Ditën e sotme, Kryetari i Grupit të Punës për qarkun e Elbasanit, z. Arben Imami, prezantoi në qytetin e Librazhdit si deputet të këtij qyteti, z.Eduard Selami ku e cilësoi atë si një ndër themeluesit e Partisë Demokratike.
“Edi”, tha ai, zgjodhi qytetin e tij, Librazhdin dhe jam i bindur që së bashku, me Eduard Selamin në krye do të kemi një fitore të madhe të PD-së në Librazhd, e në të gjithë vendin.
Imami, vlerësoi punën e shkëlqyer që është bërë në zgjedhjet e shkuara, duke filluar nga ish - kryetari i Partisë, z. Arianit, e të gjithë të zgjedhurit, që na bënë të mundur ta ndjejmë veten dhe të jemi fitimtarë në zgjedhjet lokale 2011. Imami falënderoi dhe deputetin Çota, në emër të kryetarit të Partisë z. Berisha. Ai u shpreh se bashkëpunimi i kolegut Çota i cili me një dashuri për bashkëpunim, me këmbëngulje dhe me maturi, çoi në një rezultat jashtëzakonisht të mirë në 2009 sepse pa atë fitore nuk do të mund të arrihej objektivi dhe këto zgjedhje do të ishin një fitore e padiskutueshme me Edi Selamin në 2013.
Imami duke folur për punën e bërë në Qarkun e Elbasanit tha se, “jam i sigurt që do të gjeni mirëkuptimin më të madh, mençurinë, dashamirësinë maksimale dhe të gjithë së bashku në katër vjeçarin e ardhshëm ta bëjmë Librazhdin, rrethin e tij, në një rreth jo thjesht të PD-së por në një vend ku të jetohet sa më mirë dhe ju i keni provat për këtë”. “Ju e dini sa investime janë bërë në Librazhd, mbi 50 milion euro. Ju e dinë që vetëm në Qarkun e Elbasanit janë shtruar mbi 1 mijë km rrugë. Kur flasin Artan Lame dhe të gjithë ata që nuk janë 10 mijë, thjesht gënjejnë. Nuk janë 1000 për Qarkun e Elbasanit letra janë në km që i kanë bërë vetë, që i keni bërë ju, i kam bërë me Rrahimin, me Luanin, me Aranitin. Gjithçka që ka mbetur dhe për këtë ju siguroj, kemi një porosi nga Sali Berisha: “Premtoni dhe mos gënjeni”. Çdo të thotë kjo? Premtoni se të gjitha këto  ne do t’i bëjmë. Ne do ta mbarojmë infrastrukturën këtu dhe në Dragostunë, Orenjë, Lunik, Vilan, Stravaj. Por nuk mund të harrojmë që për këtë Qark dhe për këtë rreth në veçanti është bërë shumë dhe kam përmendur vetëm investimet lokale, në shkolla, qendra shëndetësore, rrugë sisteme uji etj. Pa përmendur rrugën Elbasan –Tiranë, që shkurton shumë rrugën tonë, tuajën drejt Tiranës”- tha ai.
Imami vazhdoi fjalën e tij duke vijuar me planet e së ardhmes që ka qeverisja e 4 viteve të ardhshme me Partinë Demokratike. “Brenda muajit do të përfundonte asfaltimi i pjesës së parë së rrugës Librazhd-Stërblevë dhe do të vijojmë punimet edhe më tej në atë  drejtim, ku komuna e Lumnikut dhe Orenjës përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë rrugë nga ku do të bëhen dhe degëzimet në këtë 4 vjeçar të ardhshëm.
Pra në tërësi, u shpreh ai, puna e qeverisë, puna e Kryeministrit, vëmendja e tij në mënyrë të posaçme për Librazhdin me investime, me subvencionim, sponsorizime të bujqësisë, etj kanë bërë të mundur zhvillimin e këtyre zonave. Kryetari i Grupit të Punës, nuk la këtu pa përmendur dhe punimet për kaskadën e Devollit që do të fillojnë të hënën duke cilësuar se ky investim do të ketë rreth 5 mijë vende pune që do të hapen për banorët e zonave përreth. Ka një të ardhme të bukur për Librazhdin, tha ai sepse qeveria dhe Kryeministri ka punuar duke pasur dhe një kandidat si Selami të shkëlqyer, një djalë të qytetit dhe një personalitet të nivelit të lartë kombëtar nga ku vijoi ai, jam i bindur se edhe socialistët duhet ta mendojnë më mirë që ta hedhin votën për Eduard Selamin”- deklaroi Imami.

Eduard Selami: Vota për Partinë Demokratike, votë për një Shqipëri më të zhvilluar

Duke folur për kandidimin e tij si deputet në Librazhd, Eduard Selami tha se çdo votë për Partinë Demokratike, është votë për Librazhdin dhe Shqipërinë e zhvilluar. Selami nuk i shmangu emocionet për rikthimin pas shumë vitesh, në qytetin që e rriti dhe e edukoi, ndërsa u shpreh se do të punojë me përkushtim për të ardhmen e Librazhdit dhe të gjithë Shqipërisë. “I rikthyer pas kaq shumë kohësh në qytetin e Librazhdit i cili ka ndryshuar shumë, ashtu siç ka ndryshuar e gjithë Shqipëria, por nga ana tjetër ka akoma shumë punë për të bërë si për Shqipërinë e për Librazhdin, ditët që vijnë do të jenë ditë shumë më të mira. Për këtë duhet një punë e përbashkët si brenda strukturave të Partisë Demokratike, por edhe jashtë saj sepse ne që në fillim atë punë që kemi nisur me Partinë demokratike së bashku që në fillimet e para të lëvizjes demokratike nuk e kemi shkëputur interesin e Partisë nga interesi i të gjithë shqiptarëve. Ndaj unë mendoj se sot më shumë se kurrë një votë për Partinë demokratike do të jetë një votë për Librazhdin, për të ardhmen e Librazhdit, për një Librazhd më të mirë, por edhe për një Shqipëri më të mirë. Për një Shqipëri që është futur në një rrugë shumë të mbarë, por është akoma në një moment të rëndësishëm për të bërë një hap akoma edhe më të madh për anëtarësimin e plotë në vendin ku meriton, në vendin ku ne e ëndërruam vite më parë në Europën e bashkuar. Edhe një herë dua t’iu falënderoj për insistimin tuaj që unë të vija këtu dhe për pritjen mjaft të ngrohtë, për mbështetjen tuaj që ma keni dhënë gjithmonë dhe që dëshmon mbështetjen që i jepni Partisë Demokratike do të jetë një mbështetje që do të përdoret në të mirë të këtij vendi dhe të Librazhdit. Një votë për Partinë demokratike do të bëjë të mundur që gjithë ato projekte dhe plane konkrete e shumë të rëndësishme që Partia Demokratike me Kryetarin e saj z. Berisha do të bëjnë të mundur një ecje shumë më të shpejt të Shqipërisë përpara. Faleminderit për mbështetjen dhe ju uroj suksese në 23 qershor, suksese të cilat do të jenë të përbashkëta. Përpara!”- deklaroi kandidati i Partisë Demokratike në Librazhd, Eduard Selami.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›