Arben Imami: PS nuk ka një program, Rama nuk lejoi për 4 vjet që vendi të futej në BE

Reagim pas prezantimit të programit të qeverisë majtiste
Demokratët besojnë se të shtunën dhe në vijim do ta kenë të lehtë të bëjnë oponencën e programit qeveritar të kabinetit Rama, sepse, sipas tyre, Kryeministri Edi Rama nuk ka një program real, ku premtimet elektorale të shoqërohen me masa dhe afate të qarta për realizimin e tyre. “Kryetari i PS-së zgjodhi të mbajë një fjalim të gjatë dhe të flasë për gjithçka dhe për asgjë, sepse, në fakt, PS nuk ka një program. Se pari, nuk u përcaktua një kohë, nuk u përcaktuan disa hapa. Fushata elektorale ka tre muaj që ka kaluar. Kohë për të menduar ka patur dhe mund të ishte planëzuar se çfarë do të bëjnë dhe si do ta bëjnë. Në fakt, nuk dëgjuam asnjëherë se kur dhe si do të bëhen këto gjëra”, theksoi Imami. Ish-ministri i Mbrojtjes bën pjesë tek ata politikanë që besojnë se nuk ka premtim që nuk mund të realizohet. Por në rastin e dy premtimeve më të spikatura të kryeministrit Rama, taksimin progresiv, kush fiton më shumë, paguan më shumë dhe shëndetësinë falas pa kontribute, demokratët janë të bindur se do të sjellin regres, me taksa më të larta direkte dhe indirekte.“Çdo gjë realizohet. Nuk ka gjëra të parealizueshme. Ka edhe taksë të jashtëzakonshme, siç është vendosur në 45-n në këtë vend dhe mund të realizohet. Dhe taksa progresive po kështu mund të realizohet. E realizoi edhe shoku Enver premtimin për shëndetësi falas, por në fakt nuk ka patur shëndetësi falas. Shëndetësia mbahej me parate qe dilnin nga puna e qytetareve te këtij vendi. Dhe në këtë rast, nuk kemi gjë tjetër, veçse kemi një taksim jo të drejtpërdrejtë. Do të ishte fat i madh që të tilla projekte ekstreme të mos gjenin realizim, por kjo është një çështje që do t’i mbetet kohës”, thotë Imami. Por duke mbajtur këtë qëndrim kritik dhe mosbesues ndaj programit të kryeministrit Rama, demokratët thonë se kanë një arsye madhore përse nuk urojnë dështimin e qeverisë. “Unë personalisht dhe çdo qytetar shqiptar nuk është i lumtur, nëse kjo qeveri do të dështojë dhe sidomos kaq shpejt. Jemi në kushtet e një krize, e cila ka mbërthyer te gjithë Evropën. Dritarja ende duket shume e largët. Dhe, nëse nuk do të ketë një seriozitet për t’iu përgjigjur kësaj emergjence, sigurisht që Qeveria do të dështojë, por kjo nuk është çështje e qeverisë. Është çështje e qytetareve shqiptare. Në nuk mendojmë se sa me keq të jetë Shqipëria, aq më mirë do të jetë PD-ja. Ata menduan kështu. Nuk lejuan për 4 vjet që vendi të futej në Bashkimin Europian, sepse menduan sa me keq vendi, aq me keq PD-ja, aq më mirë PS-ja. Jo! Kjo nuk është konstruktive, kjo nuk është ajo çka kërkojnë shqiptarët sot”, sqaron Imami.