E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azem Hajdari prehet në Panteonin e Heronjve

13-09-2013 / Gazeta 55

Mijëra shqiptarë, në homazhet e Heroit të Demokracisë, tribunit që thirri i pari “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Azem Hajdari rivarroset tek “Dëshmorët e Kombit”, si simboli i një triumfi legjendar kundër diktaturës më të egër të Europës.

Me nderimet më të larta shtetërore, të organizuara nga Bashkia e Tiranës, është përkujtuar në 15 vjetorin e vrasjes, Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari i cili prej ditës së djeshme do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve. Personalitetet më të larta shtetërore, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kryeministri në detyrë, Sali Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha, përfaqësues të partive politike, studentët e dhjetorit ‘90, intelektualët, nismëtarë të lëvizjes për demokraci, miq, shokë, kolegë të Azemit dhe qindra qytetarë  të Tiranës janë përulur sot me nderim dhe respekt, përpara veprës dhe kontributit të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Për më shumë se dy orë, në Pallatin e Kongreseve janë zhvilluar homazhe, në nder të Azem Hajdarit, studentit që guxoi të ngrihej kundër regjimit komunist dhe të vihej në krye të lëvizjes studentore që i dha goditjen fatale regjimit më të egër diktatorial në Europë. Rreth mesditës, kortezhi i përmortshëm me arkivolin e vendosur në shtratin e topit, i shoqëruar nga dhjetëra qytetarë të Tiranës u nis për në Varrezat e Dëshmorëve, ku do të prehet përjetësisht.
Në fjalën e tij, kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh se sot në 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të Azemit shqiptarët bashkohen me nderimin për të. “Sot kemi ardhur tek ky vend i shenjtë për të sjellë eshtrat e një heroi, për të betuar në heshtje para guximit të tij. Azem Hajdari na mungon të gjithëve, i mungon të afërmve, i mungon Shqipërisë” - theksoi Basha. Gjithashtu Basha ka shprehur vlerësimet më të larta për Azem Hajdarin duke shtuar se lëvizja e Dhjetorit dha liderin e saj për demokracinë e vendit. Ndërkaq, kreu i FRD-së, Bamir Topi pas homazheve ka deklaruar se ndihet i emocionuar që Azemi do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve. “Fat i jetës sime që kam njohur Azem Hajdarin, njeriu më i hapur nga ata që kam njohur të Partisë Demokratike, shumë i guximshëm, dinjitoz, kurajoz, pa komplekse, që dinte të bënte edhe trimin edhe diplomatin. E përkujtoj me shumë mall, respekt, e vlerësim, ai do të mbahet mend si një njeri që do të frymëzoje të rinj e të reja, e ata që duan t’i hyjnë rrugës së politikës me dinjitet”- tha Topi. Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhrin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish - Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›