E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: “Azem Hajdarin e vranë në kulisat e pabesive dhe revanshit – sot, mishërim i unitetit rreth vlerave të demokracisë”

13-09-2013 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Azem Hajdarit, në Lëvizjen Demokratike të dhjetorit 1990 e cila shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura  komuniste dhe  fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore. “Sot kemi ardhur te ky vend i zgjedhur dhe i shenjtë i prehjes së dëshmorëve  të atdheut, për të sjellë eshtrat e një heroi, për t’u përkulur me nderim e mirënjohje të thellë para veprës së  tij, për t’u betuar në heshtje, si në një tempull të udhës sonë, para kujtimit  të tij. Rini e Shqipërisë, ti që ishe foshnje në vitet nëntëdhjetë  të shekullit të kaluar, ti që linde në ato vite, ti  që je tani bukuria dhe shpresa e re e këtij vendi të lirë dhe demokratik! Kujtohu, kujtohu sot se ishte një djalë i ri ai që u priu studentëve, në dhjetor të vitit 1990, kur ata u ngritën dhe kërkuan udhëkryqin e historisë, në natën e errët pa busull të Shqipërisë komuniste. Liri dhe Demokraci! Kujtohu se ky djalë ishte studenti i Fakultetit të Filozofisë, Azem Hajdari, kujtohu dhe krenohu, kujtohu dhe mendo!
Ai nuk është më fizikisht mes nesh, edhe pse po të ishte gjallë, sot do të ishte vetëm 50 vjeç. Na mungon të gjithëve, u mungon familjes dhe të afërmve, shokëve dhe miqve, i mungon Shqipërisë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, në një ditë zije, dhimbje të thellë dhe revolte të ligjshme, demokratët dhe mbarë njerëzit e lirë të Shqipërisë  i dhanë lamtumirën e fundit tribunit të tyre, krah i djathtë i Sali Berishës, në betejat e mëdha politike për themelimin dhe afirmimin e Partisë Demokratike, për mbrojtjen e kësaj partie në ditë shumë të vështira, nga skenarët  ogurzinj që synonin eliminimin e saj. Ajo ditë e mallkuar, megjithatë, nuk ka qenë errësira por drita; nuk ka qenë fundi por fillimi i përjetësisë për Azem Hajdarin, për vendin e merituar që ka dhe do të ketë përgjithmonë në historinë e demokracisë shqiptare. Gjatë këtyre viteve, Azem Hajdari është nderuar me urdhrat dhe titujt më të lartë nga  presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe i shumicës dërrmuese të qyteteve  të Shqipërisë, i votuar si i tillë me konsensus të gjerë nga këshillat pluralistë të bashkive. Rrugë, lagje, shkolla, ekipe sportive, etj mbajnë emrin e tij. Megjithëse ka kaluar vetëm një dekadë e gjysmë nga dita e tij e rënies, Azem Hajdari pason rilindësit tanë më të shquar, për sa u takon vlerësimeve dhe nderimeve institucionale, sepse Lëvizja Demokratike e dhjetorit 1990 shënoi ndarjen e Shqipërisë nga diktatura  komuniste, fillimin e erës së re të demokracisë perëndimore. Kjo ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën Rilindja e vërtetë e Shqipërisë, pas dekadave të izolimit dhe robërisë” - u shpreh z. Basha. Për kreun e Bashkisë, Lulzim Basha, figura e Azem Hajdarit apelon dhe sot për bashkim dhe unitet, rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. “Azem, ti je gjallë, sepse ti je e do të jesh vizioni, qëndresa, guximi ynë, sepse je e do të jesh frymëzimi i brezave që kanë mësuar nga ti, se liria u përket atyre që luftojnë çdo ditë për ta fituar atë! Sot, ndërsa vazhdon të lartësohet në piedestalin e nderit të kombit, figura e Azem Hajdarit  apelon  më fort se kurrë, për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vërtet ishte themelues dhe drejtues i lartë i Partisë Demokratike, por trashëgimia dhe testamenti  i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh” – theksoi kryebashkiaku Basha. Kreu i PD solli në vëmendje se “nuk është e vërtetë, se përmbysja e komunizmit në Shqipëri u bë në mënyrë krejt paqësore”. Sipas tij, lëvizja shqiptare për liri dhe demokraci ka dhënë liderin e saj të parë, ka paguar me gjakun dhe jetën e Azem Hajdarit. “Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër ish-komunist. Nuk e vranë në betejën ballore të fillimit por  pas disa vitesh, në kulisat e pabesive dhe revanshit. Sot, ndërsa vazhdon të lartësohet në pidestalin e nderit të kombit, figura e Azem Hajdarit apelon më fort se kurrë, për bashkim dhe unitet rreth vlerave të demokracisë dhe çështjes kombëtare. Vërtetë ishte themelues dhe drejtues i lartë i  Partisë  Demokratike, por trashëgimia dhe testamenti  i tij politik u përkasin gjithë shqiptarëve, pa dallim partish, krahinash dhe fesh. Megjithatë, në këtë çast, ne të gjithë kemi dëshirë të thërrasim thirrjen tonë të njohur: “Azem, ti je gjallë!” Sepse ti je e do të jesh Shqipëria e lirë dhe demokratike. Sepse ti je e do të jesh Shqipëria në NATO. Sepse ti je e do të jesh ëndrra jonë për Shqipërinë në Europë. Sepse ti je e do të jesh Kosova e lirë. Sepse ti je e do të jesh kombi i bashkuar, në rrugën drejt Europës. “Azem, ti je gjallë!” Sepse ti je e do të jesh vizioni, qëndresa, guximi ynë. Sepse je e do të jesh frymëzimi i brezave që kanë mësuar nga ti, se liria u përket atyre që luftojnë çdo ditë për ta fituar atë. I përjetshëm kujtimi yt, prehu në paqe në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut!”- përfundoi kreu i PD, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›