Arben Imami: Po shkojmë drejt një fitoreje të sigurt – PD i ka qëndruar korrekte marrëveshjes me LSI
Imami, vijon turin e takimeve në komunat e rrethit të Librazhdit
"Ne po shkojmë drejt një fitoreje sepse kemi punuar, jemi përpjekur, kemi zgjidhur shumë probleme, ndaj më shumë siguri dhe qëndrueshmëri për familjet, për vendin jep Sali Berisha dhe qeveria e Partisë Demokratike"
Kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit z. Arben Imami i shoqëruar nga deputeti i zonës së Librazhdit, z. Rrahim Çota, vazhdoi zhvillimin e takimeve në kuadër të turit për të komunikuar hapur me banorët dhe për tu njohur më nga afër me problematikat e këtyre zonave.
Sot, Ministri i Mbrojtjes dhe njëkohësisht Kryetari i Grupit të Punës së këtij qarku, përzgjodhi komunën e Librazhdit, Polis dhe fshatin Dragostunjë të komunës Qendër Librazhd.
Gjatë këtyre takimeve Imami shprehu dhe mendimin e tij për largimin e LSI-së nga koalicioni i djathtë ku theksoi se, “çdo parti e majtë apo e djathtë qoftë ajo, ka të drejtë të marrë vendime e saja, nga ku sigurisht, vendimet duhen marrë edhe në interes të partisë edhe në interes të vendit”. “Përpjekja për ta shfrytëzuar dhe për të destabilizuar qeverinë nga ana e socialistëve morri fund dje me votimin e qartë dhe me emërimin brenda 24 orëve të ministrave të rinj të kabinetit qeveritar. Ju e mbani mënd kur Fatos Nano tha ai, e qeverisi shtetin 6 muaj me zëvendës ministra por socialistët nuk arritën dot të provokojë krizën dhe ta përdorin shkëputjen e LSI -së për të arritur një qeveri teknike. Largimi i LSI-së është një largim normal dhe që pritej. Kemi bashkëpunuar 4 vjet dhe ka ndihmuar në stabilitetin e vendit. Në këto 4 vjet kemi qenë aleatë shumë seriozë dhe besnik ndaj tyre. Ne e kemi bërë detyrën tonë. Kryeministri Berisha ka qenë krejtësisht korrekt në marrëdhënie me ta, pa asnjë problem. Kërkesës së LSI-së, për të bërë koalicion me të majtët, kryeministri Berisha iu përgjigj pozitivisht, duke i thënë se ne zgjedhjet do t’i fitojmë edhe pa ju”- u shpreh z.Imami.
Ai sqaroi për banorët e Komunës Polis se duket qartë fitorja e Partisë Demokratike pasi, investimi në tunelin e Elbasanit është një investim i drejtpërdrejt për ju. “Në 40 minuta ju mund të arrini qendrën e Tiranës, ku për çdo lloj shërbimi siç janë spitalet apo edhe shkollat do t’i gjeni më afër. Por, sigurisht që kjo gjë s’do të ndihmojë vetëm për këtë, ajo do të ndihmojë shumë edhe për bujqësinë. Ne i kemi kushtuar shumë rëndësi infrastrukturës”, cilësoi Imami.
Për mandatin e ardhshëm, vijoi ai, ka ngelur shumë pak për të bërë në këtë drejtim, sepse në tetë vjet kemi bërë shumë më tepër se kaq. “Rruga ka vajtur në Funarë, në Zavali, ka filluar rruga që do të çojë deri në Peshkopi etj. Pra, këto që kanë ngelur janë pak në krahasim me atë që është bërë. Prandaj vijoi Imami, ne nuk gënjejmë në këtë fushatë kur themi se do t’i bëjmë të gjitha. Pjesa e infrastrukturës që ka ngelur do të realizohet e gjitha në mandatin tjetër dhe ky është një premtim. Janë bërë 10 mijë km rrugë, kanë mbetur edhe 3 mijë, janë bërë 800 ujësjellës, kanë ngelur shumë më pak, janë bërë 1300 shkolla, kanë ngelur edhe 300-400 shkolla, brenda 2 viteve të para të këtij mandati, pjesa dërrmuese e investimeve në infrastrukturë do të ketë përfunduar”- theksoi ai.
Kreu i grupit të punës të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami u ndal dhe në projektet e qeverisë për zhvillimin e sektorit bujqësor. Sipas tij, për katër vjeçarin e arshshëm qeveria parashikon dyfishimin e subvencionimeve për fermerët.
“Ka pasur një vëmendje të posaçme nga qeveria për bujqësinë, madje jo vetëm për të, por edhe për jetën si dhe mirëqenien në zonat rurale në tërësi. Kemi nisur nga rruga tha ai, sepse ku shkon rruga, shkon zhvillimi, ecën bujqësia, ecën prodhimi, afrohet prodhimi me tregun. Në 4 vitet e fundit në një kohë krize prodhimi bujqësor është rritur 33%. Është shumë e rëndësishme që një vend si Shqipëria i reziston krizës duke rritur prodhimin bujqësor dhe industrinë. Në 2012 prodhimi bujqësor është rritur në mbi 6% sepse kemi mbrojtur prodhimin vendas, jemi përpjekur të çojmë infrastrukturën atje ku ka produkt. Kemi marrë edhe masa për subvencionime, për frutorë, ullinj e arrorë, blegtori, bletari etj. Këto subvencionime në 4 vjeçarin e ardhshëm do të 2-fishohen. Masat e fundit të qeverisë do t’i vijnë shumë në ndihmë bujqësisë dhe juve si fermerë, për të ulur kostot e prodhimit. Heqja e TVSH-së për mekanikën, për inputet, për farërat, për plehrat etj, do të bëj që të ulet çmimi i tyre dhe në këtë mënyrë ju do të keni mundësi të prodhoni me kosto sa më të ulët. Gjithashtu, vëmendja jonë do të përqendrohet edhe te infrastruktura e bujqësisë që është uji, vaditje dhe kullim. Rritja e prodhimit bujqësor forcon ekonominë e vendit dhe ajo që ne do të arrijmë të bëjmë në 4-vjeçarin e ardhshëm është të arrijmë të eksportojmë dhe të importojmë me një balancë të përafërt. Me programin tonë, me anë të së cilit u thithën investimet e huaja, në këto 4 vitet e fundit kanë ardhur 1 miliard dollar çdo vit. Ne kemi planifikuar që këto investime të huaja të rriten, gjë e cila do të thotë vende të reja pune”- deklaroi më tej z.Imami.
Mandatin e ardhshëm, tha Imami, në Librazhd do nisin punimet për ndërtimin e dy rrugëve shumë të rëndësishme si ajo e Polis-it dhe Orenjës.
Në Dragostunjë z. Imami theksoi se ishte i bindur se rruga e kësaj komune do të ishte e para që do fillonte të ndërtohej në Qarkun e Elbasanit vitin që vjen. Ky është një premtim, tha ai. “Ju jeni njerëz që punoni dhe ne jemi këtu për të ndihmuar ata që punojnë”. “Tetë vite më parë qarku i Elbasanit nuk kishte asnjë km rrugë, ndaj kur ju them se rruga e Dragostunjës vitin që vjen do të jetë e para, e them me bindje sepse tashmë na kanë mbetur shumë pak. Ne po shkojmë drejt një fitore përfundoi Imami, sepse kemi punuar, jemi përpjekur, kemi zgjidhur shumë probleme, ndaj po të mendoheni mirë, më shumë siguri dhe qëndrueshmëri për familjet, për vendin jep Sali Berisha dhe qeveria e partisë demokratike. 42 mijë familje shqiptare kanë përfituar dhe ne në 4 vjeçarin e ardhshëm do të 2-fishojmë subvencionet për pemëtari, arrore dhe blegtori”.