Arben Ristani: respektuam të drejtën legjitime të qytetarëve për të numëruar çdo votë

“Zgjedhësi ka votuar ndershëm, lirshëm si dhe ka hedhur votën atje ku ai mendonte se duhet ta hidhte. Ne respektuam të drejtën legjitime të qytetarëve për të numëruar çdo votë të vlefshme”
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani u shpreh dje pas mbylljes së numërimit të votave të kontestuara se institucioni që ai kryeson, zbatoi ligjin si dhe respektoi të drejtën kushtetuese të qytetarëve, duke numëruar me përpikmëri votën e tyre. Sipas Ristanit, KQZ u kthye në rolin e një KZAZ-je, për të rregulluar punën e institucioneve në varësi të saj. “KQZ është organi më i lartë i administratës zgjedhore. Ai mund të marrë të gjitha kompetencat e institucioneve në varësi të tij, në këtë rast të KZAZ-ve. Praktika për të është shumë e larmishme dhe ka ecur rigorozisht. Ka shumë raste si në 2011, 2003, 2007 dhe 2009-ën, ku KQZ ka marrë rolin e institucioneve në varësi, për të bërë më mirë atë që këto s’e kishin bërë siç duhet. Ne zbatuam ligjin, për numërimin e çdo vote të qytetarëve të Tiranës. Ligji parashikon që çdo votë është e barabartë. Neni 117 dhe 118 i kodit zgjedhor, parashikojnë qartë se kur vota është e vlefshme dhe e pavlefshme. Votat e hedhura në kutinë e gabuar, janë vota të vlefshme. Zgjedhësi e ka bërë të qartë votën e tij, ai ka votuar vetëm për njërin prej kandidatëve. Vota e hedhur në kutinë e gabuar, ka qenë një gabim teknik”- u shpreh kreu i KQZ-së.
Ristani shtoi më tej se do të ishte më e lehtë nëse ligji do ta kishte parashikuar më parë këtë situatë. “E mira do ishte sikur ligji ta parashikonte këtë çështje, por eksperienca zgjedhore në Shqipëri nuk e kishte ndeshur një fenomen të tillë. Kjo për shkak edhe të rezultatit të ngushtë në këto zgjedhje të të dy kandidatëve, për të cilën besoj se edhe për 100 vitet e ardhshme nuk besoj se do të përsëritet”- deklaroi Ristani.
Ai tha se vendimi i KQZ, është akt i ankimueshëm si dhe subjektet ankimuese mund të ndjekin rrugët ligjore.
Kuti të numëruara - 125
Lulzim Basha, vota të vlefshme - 171
Edi Rama, vota të vlefshme - 83