Basha fiton Tiranën
KQZ mbylli mbrëmë procesin e numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar dhe sot pritet zbardhja e vendimit që e shpall Lulzim Bashën si fitues të bashkisë së Tiranës me 78 vota diferencë me rivalin e tij të opozitës. Procesi s’ka asnjë pikëpyetje nga ana e integritetit dhe pritet të mos pësojë ndryshime as gjatë procesit të ankimimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mandaton Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Pas një maratone të gjatë procesi, prej më shumë se 2 javësh nga dita e votimit, KQZ në rolin e KZAZ-së së Tiranës, finalizoi mbrëmë procesin e numërimit të votave të kontestuara, duke shpallur edhe fituesin e këtyre zgjedhjeve, i cili është kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha.
Lulzim Basha fitoi këtë garë me një diferencë prej 78 votash. Lulzim Basha arriti të marrë 171 vota, kundrejt 83 votave të kandidatit socialist, Edi Rama.
Numërimi i kutive të fundit që kishin mbërritur nga KZAZ nr. 49 në kryeqytet që i përket njësisë bashkiake nr. 5, nuk ndryshoi të dhënat në rezultate, edhe pse të dy kandidatët kanë marrë vota të konsiderueshme.
Epërsinë e tij, Lulzim Basha e kishte vënë që në numërimin e vota të kontestuara në njësitë bashkiake nr. 8, nr. 6, nr. 9 dhe nr.1 1. Numërimi i çdo vote të qytetarëve tregoi se verdikti i tyre ishte për ndryshimin e madh të kryeqytetit, të atij ndryshimi që do të pagëzohej në 8 maj 2011. Sigurisht, kjo nuk është një fitore për Lulzim Bashën, as për Partinë Demokratike apo koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, por në radhë të parë është një fitore për vetë qytetarët e Tiranës, të cilët me vullnetin e tyre të pavarur, i dhanë fund dogmës së betonit, abuzimit dhe keqadministrimit të qytetit. Tirana pritet të njohë një dimension të ri zhvillimi si dhe një kulturë demokratike në drejtim të menaxhimit, administrimit dhe shërbimit ndaj qytetit dhe komunitetit.
KQZ, i jep fund një maratone të gjatë numërimi votash
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli dje procesin e numërimit të fletëvotimeve të hedhura në kuti të gabuara nga zgjedhësit, gjatë procesit të votimit të 8 majit në bashkinë e Tiranës. Fletëvotimet e fundit që u administruan dje nga KQZ, i përkisnin ato të KZAZ-së nr. 49, në njësinë bashkiake nr. 5 në kryeqytet. Para nisjes së këtij procesi, Komisioni u përfshi nga debatet, pasi përfaqësuesit e opozitës, sërish e kundërshtuan numërimin e fletëve të kontestuara, si një veprimtari e paligjshme që nuk parashikohet në kodin zgjedhor.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani mbrojti ligjshmërinë e numërimit të këtyre fletëve, që sipas tij është aplikuar dhe në zgjedhjet e kaluara, ndërsa iu referua dhe rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR të 2009-s. Ai përsëriti se KQZ ka vendosur që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit dhe të numërojë votat e pa-numëruara për kryetar bashkie, këshilli bashkiak, kryetar njësie bashkiake, vota të cilat kanë mbetur të pa-numëruara. “KQZ si niveli më i lartë i administratës zgjedhore ka të gjitha kompetencat ligjore për të përmbyllur procese të tilla duke marrë dhe kompetencat e komisioneve të niveleve më të ulëta të administratës zgjedhore dhe shembuj të tillë kemi pasur me bollëk gjatë historisë së zgjedhjeve, si në vitin 2001, 2003 2007. Pra, ka qenë një rrjedhë logjike dhe një mënyrë të vepruari kjo kur KQZ ka marrë kompetencat e KZAZ-së për ta përmbyllur procesin”, shpjegoi Ristani.
Gjatë të shtunës në mbrëmje, KQZ hapi 14 kuti me fletë të kontestuara nga 22 në total që i përkisnin KZAZ-së nr. 49, për t’i dhënë fund procesit të numërimit mbrëmë rreth orës 22:30. Ndërkaq, në fillim të mbledhjes së djeshme, KQZ rrëzoi me 7 vota dy kërkesa ankimore të ardhura nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që kontestonte numërimin e votave për këshillin bashkiak Gjirokastër, si dhe kërkesën ankimore të kandidatit të pavarur për komunën Rukaj, Qarku Dibër.
Të dyja ankesat u hodhën poshtë me të njëjtin argument si të pabazuara në prova dhe ligj.