E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presidenti i KE, Barroso do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë”

23-05-2011 / Gazeta 55

Berisha: Opozita është e lirë të protestojë

Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi dje përmes një konference për shtyp nga selia e Kryeministrisë, se opozitës i garantohet çdo e drejtë kushtetuese, për të protestuar paqësisht.
Deklarata e kryeministrit erdhi pas paralajmërimeve të kryesocialistit Edi Rama se do të përshkallëzojë rezistencën në mbarë vendin. Edhe pse dalja e radhës e kryeministrit lidhej me sezonin turistik dhe masat e marra nga pushteti vendor, nuk la pa përmendur situatën politike, ku veçoi momentin pas-zgjedhor.
Sipas kryeministrit, mbetet për t’u vlerësuar roli i komisionerëve si dhe i forcave të policisë së shtetit, të cilët garantuan mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Unë e di që ju do të dëshironit pyetje për tema të tjera  dhe normale për zgjedhjet, por unë do të preferoja sot duke shprehur mirënjohje të thellë ndaj atyre dy zonjave komisioneve dhe pesë zotërinjve komisionerë  anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjithë stafit  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesve të forcave politike, të cilët po punojnë me një përkushtim të madh dhe në kushte do të thosha të vështirësuara, dua të shpreh mirënjohje shumë të thellë ndaj të gjithë efektivit të policisë së shtetit për sakrificën e tyre të madhe që po bëjnë , përmbushjen me profesionalizmin më të lartë të detyrës. Natyrisht do të jem dhe jam shumë shpesh para jush, por sot preferojë që temë e kësaj konference të mbetet turizmi, turizmi, dhe vetëm turizmi”, u shpreh kryeministri Berisha, duke kërkuar mirëkuptimin e mediave të pranishme.
Kreu i ekzekutivit iu referua edhe vizitës së Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manual Barroso, ku tha se ai do ta vizitojë shumë shpejt Shqipërinë. “Jam i bindur se do të jetë një histori e vërtetë suksesi, por mos harroni se zoti Barroso nuk vinte në një vizitë apo pushime private në Shqipëri, vinte në një vizitë zyrtare, e cila ka disa rregulla të tjera. Në qoftë se ka një problem përreth KQZ, nuk ka një problem askund tjetër ku turistët të mos pushojnë, u dogjën ca goma e u bënë ca gjëra, por këto nuk janë gjëra të pazakonshme në një vend të lirë. E zakonshme nuk është rrethimi i komisionit, por për të tjerat, protestat janë kudo, është një konstante, nuk gjen vend sot që të mos ketë një protestë. Protesta janë pjesë e një dëshmie të një demokracie që funksionon”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Komenti i djeshëm i kryeministrit Berisha lidhej me përgatitjet për nisjen e sezonit të ri turistik. Berisha tha se Shqipëria pret të vizitohet nga miliona turistë dhe në një situatë të tillë, vlen të theksohet se organet e pushtetit vendor duhet të marrin masat e para, për t’i garantuar pushuesve standarde bashkëkohore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›