E Diel, 1 Nëntor 2026

Arbën Xhaferi humbet ndjenjat, pëson goditje cerebrale

Oliverta Lila

Politikani dhe intelektuali shqiptar është gjetur pa ndjenja në shtëpinë e tij në Tetovë, si pasojë e një hemorragjie cerebrale. Mjekët thonë se gjendja është e rëndë dhe po e mbajnë në trajtim intensiv. Prej disa kohësh Arbën Xhaferi, 64 vjeç, vuante nga një fazë e avancuar e sëmundjes së Parkinsonit

Arben Xhaferri

Pas një hemorragjie cerebrale, Arbën Xhaferi ndodhet në gjendje kome në spitalin e Shkupit. Politikani dhe intelektuali është gjetur pa ndjenja në shtëpinë e tij në Tetovë rreth orës 21.00. Ai është dërguar menjëherë në spitalin klinik të Shkupit, ku i është dhënë ndihma e parë. Lajmi i gjendjes së rënduar shëndetësore të ish-kryetarit të PDSH-së dhe njëherazi kryetar nderi i kësaj partie, është pritur me hidhërim në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, në të cilën Xhaferi ka qenë gjithnjë i pranishëm. Sipas gazetës në gjuhën shqipe Zhurnal, mjekët po bëjnë përpjekje për shpëtimin e tij, ndërsa gjendja shëndetësore e Xhaferit vijon të jetë ende në rrezik, për shkak të gjakderdhjes masive në tru. Nga spitali pohohet se Xhaferi ndihmohet nga aparatet e frymëmarrjes. “Mbrëmë, rreth orës 21.00, Arbën Xhaferi është pranuar në klinikën e neurokirurgjisë si pasojë e përkeqësimit të njëhershëm dhe humbjes së vetëdijes. Pacientit i është dhënë terapi dhe për momentin është në gjendje të rëndë, por relativisht të qëndrueshme. Janë ndërmarrë të gjitha masat dhe shërimi është në vijim”, ka thënë dje për mediat doktor Vlladimir Mirçevski, neurokirurgu kujdestar i klinikës së neurokirurgjisë. Në përgjigje të interesit të gazetarëve, Mirçevski deklaroi dje se pacienti ishte akoma është në gjendje të vështirë dhe pa vetëdije. Mirçevski theksoi se askund në botë nuk jepen parashikime për sëmundjen gjatë 48 orëve të para, pasi pranohet pacienti në spital. Arbën Xhaferi, ish-kryetari i PDSH-së për shumë vite, vuan nga sëmundja e Parkinsonit, por sipas doktor Mirçevskit, kjo nuk mendohet të ketë ndikuar në gjendjen e tij aktuale. Arbën Xhaferi është deputet aktual i PDSH-së dhe kryetar i parë i kësaj partie. Për 12 vite me radhë, Xhaferi ka qenë në krye të PDSH-së deri në vitin 2007, kur në krye të partisë erdhi zëvendësi i tij, Menduh Thaçi. I lindur në qytetin e Tetovës më 24 janar të vitit 1948, Xhaferi ka qenë mësues që në moshën 18vjeçare. Libri Arbën Xhaferi rrëfen, në Tetovë në kërkim të kuptimit, i gazetarit Enver Robelli, ndërtuar mbi përgjigjet e 40 pyetjeve është një lloj biografie e tij. Pas Tetovës u kthye në Prishtinë, ku ëndërronte dhe krijonte filma të jashtëzakonshëm për Gjon Millin për tu marrë në fillim të viteve 90 me politikë së pari në Kosovë, pastaj në Maqedoni. Për shkak të sëmundjes që i ka avancuar, Arbën Xhaferi ka qenë i tërhequr këto kohë nga skena politike, por nuk ka munguar me mendimin kritik për zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë. Në intervistat e tij për shtypin në hapësirën mbarëshqiptare, Xhaferi ka folur me tone të forta për mungesën e bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, ka folur për klimën e nxehtë politike dhe debatet që, sipas tij, nuk prodhonin asgjë dhe ka qenë aktiv edhe në çështje të historisë e gjuhës. Në një formë të çuditshme, sëmundja ia ka mprehur të menduarit. Duke qenë statik, është më vëzhgues se çka qenë ndonjëherë. Duke u kufizuar në komunikimin e përditshmërisë, përpiqet që çdo fjalë që e thotë të jetë pjesë e përshkrimit të fenomeneve, të të kuptuarit të tyre, jo këmbim bosh fjalish Atë që sëmundja po përpiqet tia marrë fizikisht, nuk po ia merr shpirtërisht, ka thënë disa muaj më parë gazetari Enver Robelli, ndërsa ishte i pranishëm në Tiranë në promovimin e librit kushtuar Xhaferit. Në një intervistë të gjatë të datës 17 korrik 2012 për gazetën Shqip, duke nisur nga debati i fundit mbi standardin e gjuhës shqipe, Arbën Xhaferi foli për situatën mes akademikëve, për ndërhyrjet politike, por edhe për vetëdijen shqiptare në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Po qe se çështja e unitetit kombëtar do të varej vetëm nga dëshira e një populli që të bashkohet, me siguri shënimi i 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të shërbente si shtysë për tu afruar sa më shumë me ata që e afirmojnë këtë ide. Por, siç dihet ky problem nuk varet nga vullneti i mirë i shqiptarëve, as nga politika që ndiqet nga ata. Vendime me peshë të këtillë nuk i takojnë kategorisë së politikës ditore, por marrëveshjeve afatgjata dhe gjithëpërfshirëse në mes të dy popujve, ka thënë Arbën Xhaferi në intervistën për Shqip të pak kohëve më parë. Mjekët thonë se kurimi po bëhet intensiv, duke shpresuar në një përmirësim të gjendjes së tij. O. Lila

Ora 21.00

Arbën Xhaferi është gjetur pa ndjenja në shtëpinë e tij në Tetovë, rreth orës 21.00 të së mërkurës. Ai është shtruar në klinikën e neurokirurgjisë, si pasojë e përkeqësimit të njëhershëm. Mjekët e kanë vënë në trajtim intensiv

 

Sëmundja

Arbën Xhaferi, ish-kryetari i PDSH-së për shumë vite, vuan nga sëmundja e Parkinsonit, por sipas doktor Mirçevskit, kjo nuk mendohet të ketë ndikim në gjendjen e tij aktuale

 

Mjekët

Vlladimir Mirçevski, neurokirurgu kujdestar i klinikës së neurokirurgjisë, duke sqaruar mediat ka thënë dje, se gjendja e Arbën Xhaferit është e vështirë, por e qëndrueshme

Arbën Xhaferi humbet ndjenjat, pëson goditje cerebrale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›