Basha dorëzohet për Florenc Hoxhën, por sërish e mban afër
Në krye të policisë bashkiake në Tiranë vendoset Vullnet Topalli
Pas një sërë ankesash, Florenc Hoxha hiqet nga policia bashkiake dhe dërgohet te ndërtimorja
Pas një sërë ankesash për drejtorin e policisë bashkiake në Tiranë, kryebashkiaku Lulzim Basha e ka fshehur Florenc Hoxhën në një tjetër detyrë, duke e liruar nga ajo që mbante që pas largimit nga policia. Ashtu siç ka bërë Basha, që në momentin kur ishte ministër i Brendshëm, e ka mbrojtur sërish Hoxhën, pavarësisht se ndaj tij ka pasur ankesa të shumta, sidomos nga Avokati i Popullit për çështjen e romëve.
Sipas të dhënave, drejtori i policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, është larguar nga detyra dhe është emëruar në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik. Mësohet se në vend të tij, në krye të policisë bashkiake u emërua drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Vullnet Topalli. Burime nga Bashkia e Tiranës bënë të ditur se Hoxha është liruar nga detyra me vendim të kryebashkiakut Basha, ndërsa mësohet se ai do të zërë vendin e Arben Nokës, por këtij të fundit nuk i është gjetur ndonjë post tjetër. Që nga muaji prill i këtij viti, policia bashkiake drejtohej nga Florenc Hoxha, i cili para këtij emërimi, mbante detyrën e shefit të Komisariatit Nr. 3 të Tiranës. Kreu i policisë bashkiake të Tiranës, i përfolur për konflikte të shumta me subjektet private, por edhe sepse goditi me grushte punonjësen e taksave të bashkisë, Anila Çobani, duket se është larguar nga ky post për të mbyllur disa plagë të shkaktuara gjatë qëndrimit të tij në këtë detyrë.
Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duket se e ka mbajtur afër Hoxhën që në momentet kur ishte ministër i Brendshëm. Në atë kohë, Florenc Hoxha ishte me detyrë në Akademinë e Policisë, pikërisht në sektorin e pranimeve dhe testimeve për gradë. Dhjetë ditë para ngjarjes së rëndë të 21 janarit para Kryeministrisë, Florenc Hoxha u emërua shefi i Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, ku edhe gjatë kësaj detyre, në kurriz të tij pati shumë ankesa, sidomos për ushtrim dhune pas ngjarjes së 21 janarit. Ai e mbajti detyrën e shefit të komisariatit, derisa Basha, i zgjedhur kryetar i Bashkisë së Tiranës, e emëroi drejtor të policisë bashkiake. Megjithatë, akuza më e fortë i ka ardhur gjatë kësaj detyre, që bën fjalë për dhunimin e komunitetit rom, veçanërisht fëmijëve. Akuza tepër e rëndë erdhi nga Amnesty International, organizatë me famë botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. AI është e shqetësuar për dhunimin potencial të së drejtës së familjeve rome për të siguruar jetesën, shkaktuar nga autoritetet vendore në Tiranë, që nuk i lejojnë ata që të mbledhin mbeturina të riciklueshme, shkruhet në një raport të agjencisë që u publikua pak kohë më parë. Sipas AI, që kur operacioni i policisë bashkiake hyri në fuqi në qershor, 92 persona janë gjobitur, ndërsa u janë konfiskuar mjetet e punës. Dhe kjo është shqetësuese, sepse rreth 700 familje rome në Tiranë e kanë mbledhjen e mbeturinave si të vetmin burim jetese.
Nga ana tjetër, thithja e drejtorit të policisë rrugore në varësi të bashkisë, ka hapur një shteg për lëvizje të reja në radhët e Policisë së Shtetit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk është deklaruar zyrtarisht asnjë emër për zëvendësimin e kreut të policisë rrugore, pavarësisht se janë përfolur disa drejtorë, por që mund të pasohen me lëvizje të drejtorëve edhe në qarqe.
Red. Akt.
Basha dorëzohet për Florenc Hoxhën, por sërish e mban afër burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip