E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbër Kadia: Ndërtimi në Prezë, leja u dha nga komuna Bubq

Tri ditë pas publikimit të lajmit për një ndërtim ndanë kalasë së Prezës, ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar. Arbër Kadia, drejtor i Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, sqaron për "Gazeta Shqiptare" detajet e ndërtimit që z. Beqir Ajazi, vjehrri i ministres Majlinda Bregu, po bën pranë monumentit të kulturës. Sipas Kadisë, i vetmi zyrtar që flet mbi ngjarjen, leja nuk është dhënë nga ministria ku ai punon. "Leja është dhënë nga Komuna Bubq dhe për të marrë më shumë informacione për ndërtimin në Prezë, duhet të shkoni atje. Atje duhet marrë përgjigje edhe për pyetjen që ju keni, mbi se është bazuar për të dhënë këtë leje ndërtimi", shprehet Kadia. Ai shton se ndërtuesi është pronar i truallit, sipas informacioneve që ai disponon. I pyetur se cili është statusi i zonës rreth kalasë, Kadia thotë: "Për zonën e mbrojtur, ligji i trashëgimisë, neni 32, 2003 i rishikuar në vitin 2008, thotë shprehimisht se e cakton institucioni i specializuar, që në këtë rast është Instituti i Monumenteve të Kulturës". Sipas tij, aty nuk ka zonë të mbrojtur dhe leja është dhënë nga komuna. Nga ana e tij, ai deklaron se "monumenti në vetvete nuk është i cenuar, sepse është 8 metra larg ndërtimit ndërsa ndërtimi nuk del mbi kala, për t'i prishur asaj pamjen". 

Kadia tha se për hollësi duhet pyetur Instituti i Monumenteve të Kulturës, pasi për këtë ndërtim në Ministrinë e Kulturës nuk ka ardhur asnjë projekt.
I pyetur nëse projekti i kësaj shtëpie është miratuar apo ka kaluar në KKR (Këshilli Kombëtar i Restaurimit), drejtori i Trashëgimisë sqaron se për sa kohë ndërtimi po bëhet në zonë jo të mbrojtur, nuk mund të shkojë në KKR. "Po të ishte zonë e mbrojtur do të kalonte, sepse do u përshtatej ligjeve të trashëgimisë, në rastin kur nuk është, nuk ka pse. Në këto kushte, leja dhe ndërtimi duhet t'i përshtaten planifikimit urban dhe rregullave që ka komuna Bubq. Ndaj është kjo komunë që duhet të përgjigjet për çdo gjë, edhe nëse siç supozohet, është shkelur ligji i trashëgimisë.
I pyetur nëse janë dërguar në terren ekspertë për të vëzhguar situatën, Kadia u shpreh se dje në drekë, ata kanë qenë në Prezë. "Absolutisht që po. Ne kemi njerëz që janë aty gjithë kohës. Ne i kemi dërguar specialistët tanë për të hulumtuar. Ata janë aty tani. Ata do të sjellin ekspertizën e tyre. Aktualisht ndërtimi është në fazë themelesh, e nëse ka shkelje, normalisht do të procedohet sipas ligjit. Por me hulumtimet tona dhe me interpretimin që i është bërë ligjit deri në këto momente, nuk ka shkelje", - tha i pari i Trashëgimisë. 

Ai bëri me dije se, sipas hulumtimeve të institucionit që ai përfaqëson, banesa që ka qenë aty deri në vitin 1920, ishte pothuaj ngjitur me kalanë. "Madje, pusi që është brenda mureve të kalasë, i përkiste asaj banese. Duhet shtuar se, banesat e familjeve shqiptare të pasura të kohës në përgjithësi, ndërtoheshin afër kalasë. Tani, në bazë të kësaj banese është marrë leje nga komuna", nënvizoi Kadia. Sipas tij, interpretimi me 30 metra që thotë një nga specialistët që ne kemi pyetur, nuk është tamam ashtu, sepse ligji nuk e shpreh.
Ndërtimi 

"Gazeta Shqiptare" publikoi në numrin e së dielës lajmin për ndërtimit e një shtëpie ngjitur me kalanë e Prezës. Po të dielën, ka reaguar edhe familja Ajazi, duke pranuar vërtetësinë e lajmit dhe duke sqaruar opinion publik se për objektin janë marrë lejet e duhura në instancat shtetërore. Ndërkaq, ndërsa Kadia deklaron se zona nuk është e mbrojtur, pritet që në ditët në vijim, Instituti i Monumenteve të Kulturës të sqarojë opinionin publik se mbi ç'baza dhe në çfarë kohe është marrë vendimi që zona përreth kalasë të mos jetë zonë e mbrojtur. Duhet sqaruar opinioni publik, për të ditur edhe nëse para se kjo zonë të shpallej jo e mbrojtur, është gërmuar aty për të ditur nëse ka shtresa arkeologjike dhe çfarë ka dalë në dritë? Një pyetje tjetër për të cilën duhet të marrim përgjigje është edhe nëse me këtë ndërtim (nuk dihet sa katësh dhe në ç'përmasa do të 'shtrihet'), dëmtohet pejsazhi historik i kalasë?
(e.m/GazetaShqiptare/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›