Arbri: E dija që do e fitoja Big Brother-in, isha më i miri!
Anisa Çela
Arbri fituesi i këtij edicioni të Big Brother-it duke lënë mënjanë modestinë thotë në një intervistë për Tirana Observer se ai e dinte që në fillim që do ta fitonte këtë garë, pasi sipas tij ai ishte më i miri. Gjithashtu ai thotë se Liami dhe Ermal përfituan nga ai, pasi duke bërë debat me të ata nxorrën në pah bagazhin e tyre. Më tej ai thekson se këtë çmim ia dedikon vetëm familjes, pasi vetëm për ta hyri në lojë, dhe se ata janë të lirë ti përdorin si të duan paratë. Në fund ai u premton fansave të tij të shumtë se do tu kthejë të gjithë përgjigje në Facebook për urimet.
Arbër ju jeni i pari fitues i këtij reality-show nga Kosova, si ju bën të ndiheni kjo.
Ndjesi shumë e veçantë dhe kënaqësi që jam fitues, por dua të them që jam fituesi i Kosovës dhe Shqipnisë. Ndihem krenar pasi ishin gjithë shqiptarët që më votuan që arrita deri në këtë fitore. Mund të them që jam krenar për Big-Brother-in tim.
Pyetja që të gjithë duan të dinë përgjigje është çmimi i madh kujt i dedikohet.
E kam deklaruar shpesh herë që këtë shumë ia dedikoj prindërve të mi. Ata e dinë vete se çdo të bëjnë me atë shumë parash dhe se ku do i çojnë. Pasi kur hyra në Big-Brother, hyra vetëm për ta dhe për asnjë tjetër.
Ju hytë jo në ditën e parë të Big Brother-it, por gjithsesi ju arritët ta fitonit zemrën e publikut dhe ta fitonit atë, si ndiheni?
Ndihemi shumë mirë, pasi unë nuk kam pasur asnjë strategji apo lojë në mendjen time për ta fituar atë, thjesht kam dashur dhe arrita që të isha vetvetja ime. Mund të them se Ermali dhe Liami kanë përfituar nga unë, pasi kanë nxjerrë në pah bagazhin që kishin duke biseduar apo bashkëbiseduar me mua, pasi e vunë re që smund ta bënte me asnjë tjetër këtë gjë.
Ju ishit në përballje me 4 konkurrentë të fortë, mendoje se do ishe ti fituesi?
Në momentin kur ngelëm vetëm ne të 5-të unë e dija që do isha fituesi. Pastaj duhet të them se duke gjykuar personalitet apo loja që është bërë aty brenda, gjithçka që unë kam bërë ka qenë më e dukshme nga pjesa tjetër e banorëve aty brenda. Bindjen se do e fitoja unë e kam pasur që në fillim, por vetëm javën e fundit e kam shprehur.
Cilat kanë qenë reagimet e publikut kosovar?
Mund të them se vendlindja ime apo vendi im është krenar për fitoren time dhe për mua. Kanë qenë të shumtë miqtë që më kanë thënë se ka qenë ky edicion më i shikuari në Kosovë dhe se kanë ndarë çdo moment me mua. Pritja ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Jam habitur dhe nga komentet që më janë bërë në faqen time të rrjetit Facebook, ku akoma nuk kam gjetur mundësi tu kthej përgjigje. Por dua tu them të gjithë fansave të mi se do gjej kohë dhe do u kthej të gjithëve përgjigje, ku dua ti falënderoj për çdo koment që më është bërë.
Kjo është një eksperiencë që jo të gjithë u vjen ta kenë, mendon se je bërë pishman për ndonjë gjë të cilën nuk e ke bërë aty brenda.
Nuk bëhet njeri pishman kur është fituesi.
Në momentin kur ndodheshit në përballje me Liamin menduat se do ishit ju fituesi apo Liami
E vetmja gjë që unë kam thënë në atë moment është se do jem unë fituesi. Nuk i trembesha aspak përballjes me Liamin pasi dhe ai ishte lojtar si çdo konkurrent apo si të 4-ërt finalistët e tjerë.
Çfarë arrite të merrje nga kjo eksperiencë, përveç çmimit?
Shumë gjëra, eksperiencën, shoqërinë ku një nga personat që kam më shumë shoqëri është Erjoni, por pa i anashkaluar dhe të tjerët.