E Diel, 1 Nëntor 2026

21 Janari/ Prendi akuzon Prokurorisë, fëmijët e Ziver Veizit kërkojnë dëmshpërblim

Seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi është zhvilluar paraditen e djeshme në Gjykatën e Tiranës. Prendi dhe gardisti Agim Llupo, janë të akuzuar për vrasjen e demonstruesve më 21 janar. Ish-komandanti i Gardës, gjatë seancës ka akuzuar Prokurorinë, i cili sipas tij nuk ka kryer hetime.
Akuzat e Andrea Prendit për Prokurorinë
Vetë kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi e deklaroi veten të pafajshëm, duke deklaruar se ai dhe grupet e gardistëve që drejtonte atë ditë, kryen vetëm detyrën për mbrojtjen e Kryeministrisë. Prendi, deklaroi se u qëllua me armë me fishekë luftarakë, kur mbaruan ata të manovrës, në ajër në momentin që sipas tij situata u bë shumë e dhunshme dhe rrezikohej jo vetëm jeta e gardistëve por edhe e personaliteteve shtetërore. Sipas Prendit, Prokuroria e paragjykon atë pa prova, duke kërkuar arrestimin e tij që një ditë pasi kishte ndodhur ngjarja, si edhe duke ushtruar presion psikologjik ndaj tij dhe gardistëve të tjerë për orë me radhë gjatë marrjes në pyetje. Prendi akuzoi edhe kreun e prokurorisë së Tiranës dhe vartësit e tij se gjatë marrjes së tij në pyetje e kishin mbajtur deri në të gdhirë, dhe ua kishin firmosur dëshmitë pa ua dhënë t’i lexonin. Prendi e deklaroi të pafajshëm, jo vetëm veten, por të gjithë efektivin e tij, duke thënë se nuk kanë shkelur asnjë ligj, përkundrazi, sipas tij janë treguar tepër të kujdesshëm edhe pse në territorin e Kryeministrisë janë futur persona të dhunshëm.
Shtyrja e gjyqit
Trupi gjykues gjatë seancës së 23 majit vendosi shtyrjen e seancës pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët pretendojnë se aktet e ekspertimit janë kryer pa vendim prokurorie dhe si rezultat duhet të konsiderohen të pavlefshme. Prokurori i çështjes kërkoi kohë për të shqyrtuar kërkesën dhe seanca u ndërpre. Prokuroria e Tiranës dorëzoi pak javë më parë në gjykatë dosjen e ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit ku në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, para godinës së Kryeministrisë humbën jetën katër demonstrues. I pari që kryeson listën e katër të pandehurve, është ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të demonstruesit Faik Myrtaj. Agim Llupo, ish-shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, do të përgjigjet para drejtësisë për vrasjet e demonstruesve, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda.

Fëmijët e Ziver Veizit padi në gjykatë për dëmshpërblim
Fëmijët e Ziver Veizit, protestuesit të vrarë në 21 Janar para kryeministrisë kanë hapur padi në gjykatë për dëmshpërblim. Padi për të njëjtën arsye ka hapur dhe vëllai i Hekuran Dedës. Fëmijët e Ziver Veizit, Klajdi dhe Ana Veizi kërkojnë që të dëmshpërblehen për vrasjen e babait të tyre, kurse vëllai i Hekuran Dedës për vrasjen e vëllait të tij. Kërkesat për padi janë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku dhe po gjykohet dosja me tre të pandehur për vrasjen e 4 protestuesve në demonstratën e 21 janarit, të një viti më parë ku mbetën të vrarë katër protestues ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Ndër dy viktimat ishin edhe Hekuran Deda dhe Ziver Veizi.

Gjykata e Apelit liron 3 nga
anëtarët e Bandës së Cërrikut
Skandalet në gjykatat e vendit vazhdojnë të ndodhin ndërsa lirohen nga ambientet e burgut të akuzuar me vrasje e me një sërë akuzash të tjera të rënda. Ditën e djeshme Gjykata e Apelit ka liruar 3 anëtarët e Bandës së Cërrikut. Meti Bozi, i cilësuar si organizator i masakrës i dënuar me burgim të përjetshëm nga Krimet e Rënda, rifiton lirinë me vendim të Gjykatës së Apelit, për shkak të mungesës së provave dhe fakteve. Apeli liroi ditën e djeshme gjithashtu Llazar Bicjan dhe Skënder Cani, të dënuar përkatësisht me 22 dhe 21 vjet burg. Për të pandehurit e tjerë është lënë në fuqi masa e dënimit dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Arjan Toska dhe Roland Xhepexhiu janë dënuar me burgim të përjetshëm, Alban Toska e Entel Gashi me 22 vjet burg, Tomorr Buzani 22 vjet burg, ndërsa i penduari i drejtësisë Bujar Buzani do të vuajë 8 vite burg. 9 anëtarët e Bandës së Cërrikut akuzohen për ngjarjen e ndodhur më 23 mars të vitit 1997 në Cërrik, ku u sulmuan me antitank 6 punonjës të Gardës së Republikës, si dhe u plagosën 16 efektivë të tjerë të Policisë dhe Gardës. Kjo masakër ka qenë një nga ngjarjet më të tmerrshme të ndodhura në 1997-tën ku shumë persona humbën jetën si pasojë e agresionit nga banda e Cërrikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›