E Shtunë, 31 Tetor 2026

Archea, Bota që krijoi Neda

E mbyllur në Shtëpinë e Big Brother, shkruante me gishtërinj mbi avullin e xhamave, me laps nëpër mure, me pluhur sheqeri mbi çarçafët e shtratit.

Shkruante për ta shprehur me gjithë ngjyrat e saj dashurinë, për ta zbuluar atë që kishte në kokë, për ta nxjerr jashtë atë që mendonte, për ta shkarkuar nga shpirti atë që ndjente.

Kjo është Neda Karafili.

Vajza 20 vjeçe, e cila studion filozofinë, fjalët që i kishte brenda vetes tashmë i ka bërë bashkë, si copëza proze, brenda dy kapakëve të letrës.

Është ulur dhe ka shkruar një libër, që e ka titulluar Archea, botuar nga Shtëpia Botuese OMSCA-1.

“Kjo ishte ëndrra më e madhe që kisha”, thotë Neda.

Që kjo ëndërr të kthehej në realitet, duhej të ishte afër Ogren Balluku, djali që tash e një vit ia mori dhe ia dha zemrën Nedës.

“Besoj se për një krijues, libri i tij është si një fëmijë, një krijesë për të cilën duhet të kujdesesh për gjithçka, për çdo detaj”, thotë Neda.

Në këtë libër, pasthënien e së cilit e ka bërë shkrimtari i njohur Visar Zhiti, Neda Karafili zbërthen Archean, një nga konceptet e para që haset në leximin për lindjen e filozofisë, duke trajtuar lindjen, dashurinë dhe vdekjen.

“Janë copëza proze si poezi apo poezi si copëza proze? Edhe njëra, edhe tjetra, ose asnjëra, një lloj i vaçantë, ku zbrazen me nerv emocione, imazhe të papërfunduara, me një si çrregull të qëllimtë, do të më pëlqente të thosha… Duke shfletuar librin e Neda Karafilit, ndihmohemi gjithsesi për të zbuluar se çfarë i shqetëson të rinjtë tanë dhe ç’prurje e re u avitet letrave shqipe, teksa themi me zemër: Mirë se vini!”, shkruan Visar Zhiti.

Libri tashmë ndodhet në raftet e librarive kryesore të Tiranës, ndërsa së shpejti pritet të shpërndahet në qytetet tjera të Shqipërisë, e po ashtu edhe në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›