Ardant dhe Paskaljeviç
Njëri film është frymëzuar prej librit të Ismail Kadaresë “Eskili, ky humbës i madh”. është ekranizuar prej aktores së njohur franceze Fanny Ardant dhe prej tij ka lindur filmi “Hi dhe gjak”, i cili u realizua në Rumani. I dyti është “Muajt e mjaltit”, prodhimi shqiptaro-serb që nën regjinë e serbit Goran Paskaljeviç u vlerësua suksesshëm në festivale të ndryshme botërore. Rrugëtimi, pjesëmarrja dhe njohja e tyre nëpër festivale duket se nuk ka përfunduar ende.
Të dy filmat, bashkë me regjisorët përkatës, kësaj here do të jenë pjesë e edicionit të 21 të Trieste Film Festival që do të zhvillohet nga data 21 deri më 28 janar në Itali. “Hi dhe gjak”, që për herë të parë e ka prezantuar para publikut aktoren Fanny Ardant edhe si regjisore, sjell historinë e Judit dhe tre fëmijëve të saj. Gruaja jeton e vetme në Marsejë dhe pas vrasjes së të shoqit i është dashur të përballojë e vetme jetesën në një vend të huaj. Djali i saj më i madh është Ismaili, 22 vjeç, i cili i gëzohet jetës dhe dëshiron ta jetojë atë. Vëllai i tij, Pashko, 20 vjeç, është disi më i qetë, ndërsa Mira, 15 vjeçe, është gëzimi i familjes, edhe pse ajo nuk dëgjon... Një martesë në vendlindjen e saj bën që Judit të kthehet në atdhe me të tre fëmijët pas 18 vitesh mungesë.
Por rikthimi i saj do të bëjë të shpërthejnë luftërat e vjetra mes klaneve rivale. Kështu nis edhe një herë cikli i dhunës dhe gjakderdhja... Ndërkaq, me “Muajt e mjaltit” publiku shqiptar është më tepër i familjarizuar dhe i mbushur me informacione. Ai do të jetë pjesëmarrës në kategorinë e eventeve speciale të festivalit të Triestes. Bëhet fjalë për një film mjaft të përfolur, jo vetëm sepse është i pari prodhim shqiptaro-serb në fushën e kinematografisë, por edhe sepse ngjarja që filmi trajton është kaq e prekshme dhe aktuale për shoqëritë ballkanike të ditëve tona. Filmi, i cili vjen si një apel i qartë për publikun europian, kushtuar vendeve të Lindjes, të cilat nuk i janë është bashkuar ende Europës, sjell historitë paralele të dy çifteve të reja. Njëri çift është nga Shqipëria e tjetri nga Serbia. Pika e takimit mes ngjarjeve është fakti që ata vendosin të largohen prej vendeve të tyre në kërkim të një jete më të mirë në Europën Perëndimore. Gjithçka është treguar përmes vështrimit vizionar e gjithë kolorit, që përbën edhe të veçantën e regjisorit serb.
Por Goran nuk është i vetmi prej familjes Paskaljeviç që do të marrë pjesë në Trieste Film Festival. Bashkë me të, edhe i biri Vladimir (pjesëmarrës në Tirana Film Festival që u zhvillua në fund të vitit që shkoi në Tiranë), do të jetë pjesë e këtij festivali. Ai do të paraqitet me filmin “Djavolja varos” (“Qyteti i djallit”), një komedi e zezë, me të cilën ai do të konkurrojë në seksionin e filmit me metrazh të gjatë. Histori që gërshetohen në një ditë të vetme (ditë kur zhvillohet një kampionat i rëndësishëm tenisi që transmetohet drejtpërdrejt në televizion, e ku sfidohen yjet më të mëdhenj kombëtarë). Ngjarja është vendosur në Beogradin e ditëve tona, pikërisht siç na e tregon titulli në “Qytetin e djallit”. I ftuar në këtë festival do të jetë edhe mjeshtri i kinematografisë greke me famë ndërkombëtare Theo Angelopoulos. Bashkë me shkrimtarin e njohur Claudio Magris, Angelopoulos do të diskutojë mbi temën e ndryshimeve historike, politike, gjeografike e kulturore nga rënia e Murit të Berlinit e deri në ditët tona.
Trieste Film Festival, që tashmë ka mbërritur në edicionin e 21 të tij, është një festival në qendër të të cilit janë kryesisht filma që vijnë prej Europës Lindore. Në këtë konkurs filmat e kohëve të fundit do të jenë të ndarë në kategorinë e filmave me metrazh të gjatë, me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë.