Importi i makinave të përdorura u rrit, ndërsa i atyre të reja u ul
Efektet negative të krizës financiare në vend kanë prekur tregun e shitjeve të automjeteve të reja. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, deri në fund të shtatorit të këtij viti janë importuar rreth 33% më pak automjete të reja se e njëjta periudhë e vitit 2008.
Në 9-mujorin e parë të 2009-s u importuan 2067 automjete me 0 kilometrazh, ndërkohë që në janar-shtator 2008 importi i tyre ishte rreth 3114 automjete.
Por rënia e importit të automjeteve të reja nuk ka çuar në tkurrjen e tregut të shitjeve të makinave në përgjithësi, sepse ajo është kompensuar nga rritja e importit të makinave të përdorura. Duket se konsumatorët vendas, me efektet negative të krizës financiare globale, i janë rikthyer blerjes së makinave të përdorura, që kushtojnë më pak.
Makinat e reja kanë humbur pozicionin e tyre në treg, duke zbritur në rreth 12% të tregut nga afro 20% që zinin në 9-mujorin e vitit 2008.
Operatorët e tregut konfirmojnë se në këtë periudhë ka pasur një rritje të shitjeve të makinave të vjetra, sepse shumë individë e kanë pasur të vështirë të blejnë makina me 0 kilometrazh, për shkak të vështirësive më të mëdha për të marrë një kredi, si dhe shtrenjtimin e tyre njëherësh.
Të vjetrat, 15% më shumë
Sipas doganave, deri në fund të shtatorit të këtij viti u importuan 15 451 makina të përdorura ose rreth 15% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në total, gjatë 9-mujorit u importuan rreth 17 518 makina, rreth 5.5% më shumë se janar-shtatori i vitit 2008.
Ndërkohë, për koncesionarët, më shqetësues është fakti i rënies së shitjeve te bizneset, që në fakt ishin faktori kryesor që ndikoi në rritjen e tregut të makinave të reja për vitin e kaluar. Kompanitë pohojnë se portofoli i automjeteve për biznes zë peshën kryesore në shitjet e tyre, kjo pasi bizneset po shtojnë kujdesin e tyre.
Blerësit e kategorisë “biznes” duket sikur kanë prirje për të mos investuar në këtë periudhë kohe, çka ka ndikuar në portofolin e shitjeve te kjo gamë blerësish. Shumë biznese kanë hequr dorë nga investimet këtë vit dhe pak prej tyre kanë menduar që të rinovojnë automjetet.
Gati 90% e klientëve i kanë blerë makinat me leasing apo me kredi dhe një nga shkaqet kryesore që shtoi shitjet e koncensionarëve në vitin 2008 ishte lehtësimi i kushteve të blerjes përmes kredive, ndërsa sot, situata duket gati e kundërt.
Qeveria shqiptare e takson shumë rëndë importin e makinave të përdorura, me qëllim që ta bëjë më atraktive blerjen e makinave të reja.