E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardian Paci, rikthim në vendlindje

“Back home” (kthim në shtëpi) quhet ekspozita e parë vetjake e artistit Adrian Paci, e cila do të hapet në Galerinë e Arteve të Shkodrës, nga data 17 shtator deri më 10 tetor 2011. Përveç shfaqjes për herë të parë në Shqipëri të veprës “Centro di Permanenza Temporanea”, në këtë ekspozitë do të prezantohet një pjesë e rëndësishme e veprës, që i ka siguruar artistit bashkëkohor Ardian Paci një njohje të gjerë ndërkombëtare. I njohur veçanërisht si video-artist, Paci përdor njëkohësisht mjetet tradicionale të pikturës, vizatimit apo skulpturës, duke u spostuar vazhdimisht mes pikturës dhe videos, mes imazhit në lëvizje dhe atij statik, mes fotografisë dhe filmit, në kërkim të “momentit të tensionit si një metaforë të botës dhe gjendjes së saj në ndryshim të pareshtur”; në kërkim të një historie njerëzore, portreti apo thjesht një imazhi që “tregon” diçka që shkon “përtej” fakteve individuale të dukshme e të thjeshta; për t’i kthyer ato në simbole të “human condition” dhe momenteve ekzistenciale të njeriut. Ai u bë i njohur me videon e vajzës së tij vetëm 3-4 vjeçare, e cila u rrëfen kukullave histori nga kujtimet e një fëmije që ka përjetuar tmerrin e vitit të mbrapshtë ’97 në Shqipëri. Adrian Paci u lind në Shkodër, Shqipëri, në vitin 1969. Nga 1987-a deri më 1991 ndoqi studimet në Akademinë e Arteve të Tiranës, Shqipëri. Lektor i historisë së artit dhe estetikës në Shkodër nga viti 1995 deri më 1997-n, vit në të cilin u shpërngul për në Milano, Itali. Lektor për artet vizuale në Akademinë e Arteve, Bergamo (2002-2006), Universiteti IUAV, Venecia dhe Nuova Açademia di Belle Arti, Milano. Aktualisht jeton dhe punon në Milano, Itali. Ndër ekspozitat personale më të fundit të tij mund të shkëpusim: 2010 - “Motion Picture(s)”, Kunsthaus Zyrih; “Bloomberg Space”, Londër; Museum of Modern Art Istambul; 2009- “Panoramica”, Museo Tamayo, Mexico City”; “Centro di permanenza Temporanea”, Outlet Project Room, Istambul; etj. Veprat e Pacit bëjnë pjesë në koleksione të rëndësishmem si Salomon Guggenheim Foundation, Nju Jork; Museum of Modern Art, Nju Jork; Centre Georges Pompidou, Paris; Moderna Museet Stockolm; Kunsthaus Zurich; GAMeC, Bergamo; Fundacio “La Caixa”, Barcelonë; Maxxi, Romë. Adrian Paci përfaqësohet nga galeritë Kaufmann Repetto, Milano; Galerie Peter Kilchmann, Zyrih dhe Peter Blum Gallery, Nju Jork.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›